Në kohën kur në institucionet e BE-së është rritur vigjilenca për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në media, dalin informata për raste kur deputetë të Parlamentit Evropian janë viktima të përgjimeve apo edhe janë takuar me persona të cilën dyshohen se kanë spiunuar për Rusinë.
Të martën portali me ndikim “Politico” ka botuar një artikull ku tregon se një shtetas i Serbisë me emrin Novica Antiq, i cili dyshohet se punon për shërbimin rus të zbulimit FSB, ka pasur takime me disa deputetë të Parlamentit Evropian.
“Politico” thirret në një njoftim të shërbimeve perëndimore rreth përpjekjeve të Rusisë që të përdorë shtetasit e Serbisë për tu infiltruar në BE. Ndër deputetët e Parlamentit Evropian me të cilët Antiq është takuar përmenden raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon dhe deputetja socialiste nga Italia, Alessandra Moretti.
Mediat në Serbi ndërkaq kanë njoftuar se Antiq është udhëheqës i Sindikatës ushtarake në Serbi dhe ndodhet në paraburgim për shkak se ka organizuar sindikata të cilat autoritetet në Serbi i konsiderojnë të paligjshme.
Po ashtu në mediat në Serbi thuhet se vet Antiq në biografinë e tij ka shkruar se është dekoruar për punën e tij nga organizata fetare, policore e ushtarake të Rusisë.
Nga Parlamenti Evropian prej personave të përmendur se kanë pasur takim me Novica Antiqin ka reaguar deri me tash vetëm Vladimir Bilçik. Ai ka thënë se si raportues për Serbinë ka pasur kontakte të numërta që kanë lidhje me punën e tij dhe se “personi në fjalë“ ka qenë pjesë e një takimi të organizuar nga sindikata evropiane ushtarake.
Edhe
Policia kontrollon Parlamentin Evropian nën dyshimin për ndërhyrje ruse
“Në asnjë rast nuk kam qenë në dijeni për ndonjë lidhje me FSB nga ana e individit me të cilin jam takuar e as nuk kanë qenë çështjet e lidhura me Rusinë apo Ukrainën pjesë e diskutimeve gjatë takimeve tona”, ka thënë ky deputet nga Sllovakia duke shtuar se ai pikërisht për shkak se është i vetëdijshëm për kërcënimet, për ndërhyrjet dhe dezinformimin nga ana e Rusisë, është posaçërisht vigjilent kur janë në pyetje kërcënimet e tilla.
Përgatiti: Augustin Palokaj