Ekspertët ukrainas dhe perëndimorë parashikojnë se Rusia do t’i rrethojë forcat ukrainase duke nisur nga Izyumi në veri dhe Mariupoli në jug. Kur forcat ruse do ta mposhtin rezistencën ukrainase te fabrika gjigante e çelikut në Mariupol, do t’i përdorin forcat e tyre deri në maksimum
Ofensiva e re ruse në Ukrainën lindore shënon shpresën e Moskës për të ndryshuar fatin e saj pas një lufte katastrofike shtatë javëshe. Forcat ruse kanë forcuar artilerinë dhe sulmet ajrore mbi pozicionet e Ukrainës në “zemrën” industriale të njohur si Donbas. Disa ditë pas pushtimit të Ukrainës, trupat ruse u vendosën në periferi të Kievit, por ofensiva u pengua shpejt nga rezistenca e vendosur ukrainase.
Ushtria ruse pësoi humbje të rënda dhe ofensiva e dështuar e Kievit rriti moralin e forcave ukrainase, duke i lejuar udhëheqësit e saj të marrin mbështetje të madhe ndërkombëtare dhe të sigurojnë më shumë armë nga Perëndimi. Kjo rriti kostot e luftës për Moskën.
Presidenti rus, Putin, zhvendosi fokusin në Donbas, vend ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat qeveritare ukrainase që nga viti 2014, pas aneksimit të Krimesë.
Pas tërheqjes nga Kievi, Chernihiv, Sumy dhe zona të tjera në Ukrainën verilindore, forcat ruse u tërhoqën në territorin e Bjellorusisë aleate dhe në zonën e Rusisë perëndimore për t’u riarmatosur dhe rifurnizuar për ofensivën e re.
Gjenerali Aleksandër Dvornikov u emërua komandanti i ri për këtë ofensivë. 60-vjeçari Dvornikov është një nga oficerët më me përvojë të Rusisë, i atribuuar për udhëheqjen e forcave të Moskës drejt suksesit në Siri në fushatën e pamëshirshme për të mbështetur regjimin e presidentit Bashar Assad në një luftë civile që shkatërroi qytete të tëra dhe bëri që miliona të zhvendosen. Emërimi i tij shënon ndërgjegjësimin e Kremlinit për të përmirësuar forcat ushtarake.
Mst: Ofensiva e re
Ukraina lëshon mbi 400 dronë drejt Moskës teksa Zelensky përballet me protesta
Zyrtarët ukrainas thanë se sulmi filloi të hënën në Donbas, ku Rusia përpiqej ta shtynte ofensivën përgjatë frontit në formë harku prej 480 km nga verilindja në juglindje. Bombardimet u shtuan të martën dhe Rusia tha se në 24 orët e fundit, sulmuan 60 mjete ushtarake ukrainase bashkë me aeroplanët ushtarakë, duke sulmuar 1.214 trupa të koncentruar.
Pentagoni e përshkroi fushatën e fundit si “reformim i operacioneve ushtarake”, si fazë përgatitëse për ofensivë më të madhe.
Justin Crump, ish-komandanti britanik i tankeve, i cili udhëheq “Sibylline Ltd., konsulencë për mbrojtje, tha se rusët kanë përshkallëzuar me bombardime dhe po tentojnë të marrin pjesë të territorit, veçanërisht në Donbas.
“Rusët shpresojnë ta shkatërrojnë pjesën më të madhe të ushtrisë së rregullt ukrainase, forcat më të mira ukrainase”, tha Crumpp për “The Associated Press”.
Plani i Rusisë
Ekspertët ukrainas dhe perëndimorë parashikojnë se Rusia do t’i rrethojë forcat ukrainase, duke nisur nga Izyumi në veri dhe Mariupoli në jug. Kur forcat ruse do ta mposhtin rezistencën ukrainase te fabrika gjigante e çelikut në Mariupol, do t’i përdorin forcat e tyre deri në maksimum.
Disa ekspertë parashohin se Rusia mund të përdorë forcat e saj në veri të Krimesë, duke pushtuar qendrat industriale në Zaporizhzhia dhe Dnipro në lumin Dnieper, kështu duke ndarë Ukrainën më dysh.
Tetë vjet duke luftuar separatistët, forcat e Qeverisë ukrainase kanë ndërtuar shumë llogore përgjatë vijës kufitare ku rusët kanë dështuar të hyjnë. Por Crump dhe ekspertë të tjerë kanë vërejtur se Ukrainës po i harxhohen armët dhe mjetet e tjera.
“Ukrainasit po përdorin shumë mjete”, tha ai. “Dhe kjo është pjesë e strategjisë së Rusisë ku ajo vazhdimisht sulmon në mënyrë që ta bëjë Ukrainën të shtijë mbi raketat, ta përdorë artilerinë e saj dhe kështu t’iu harxhohen mjetet kur sulmet e mëdha do të ndodhin.
Ukraina ka pranuar aeroplanë ushtarakë nga Perëndimi, mjete për mbrojtje ajrore, artileri të rënde dhe forca të blinduara për të kundërshtuar avantazhin masiv rus në fuqinë e zjarrit. Aleatët perëndimorë kanë dhuruar armë të rënda, por nevojitet kohë për trupat ukrainase që të mësohen me përdorimin e tyre.
“Pajisjet e reja janë të mira dhe shumë ndihmëse, por problem është se duhet të mësosh si t’i përdorësh”, tha Crump, duke shtuar se Ukraina mund t’i dërgojë këto armë në vende larg luftës për t’iu dhënë mundësi ushtarëve t’i praktikojnë ato.
Sfidat e ushtrisë
Edhe
Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë
Ofensiva ruse mund të përballet me të njëjtat sfida me të cilat u ndesh në fillim të luftës. Gjatë përpjekjes së dështuar për ta sulmuar Kievin, ushtarët rusë u shtrinë përgjatë autostradave të kryeqytetit, duke u bërë objektiva të lehta për artilerinë, dronët dhe skautët ukrainas. Operacionet në lindje mund të jenë po aq të vështira, veçanërisht pas ardhjes së pranverës kur mbin bari me ç'rast sulmet guerile mbulohen nga ai.
Crumpi tha se rusët kanë mësuar nga gabimet e tyre dhe po shmangin linjat e gjata të furnizimit. Ata gjithashtu po përdorin hekurudhat në vend të kamionëve për transportim të pjesës më të madhe të furnizimeve. Ani pse terreni në lindje është më i sheshtë dhe i lehtë për rusët, shiu e ka bërë më të vështirë lëvizjen jashtë rrugës.
Ndërsa rusët duket se po i përdorin më mirë asetet e tyre, sesa në fillim të luftës, ai tha, “ata kanë ende probleme morale” dhe shumë njësi “janë dërguar në luftë pa pasur mjaftueshëm praktikë”.
Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Washington tha se ndërsa forcat ruse mund të jenë në gjendje të fitojnë territor përmes përqendrimit të madh të artilerisë, përpjekjet e tyre në lindje “nuk ka gjasa të jenë më të suksesshme se ofensivat e mëparshme të mëdha rreth Kievit”.
Ndoshta përsëri do të ketë “koordinim të dobët, paaftësi për të kryer operacione ndër vende dhe morali i ulët që penguan edhe ofensivat e mëparshme”, tha ai.
Momenti kyç
Pas një fillimi të dështuar, Putinit i duhet shumë fitorja në lindje për të rritur moralin e rusëve dhe për të negociuar përfundimin e armiqësive sipas kushteve të tij.
E goditur nga sanksionet perëndimore, Rusisë i mungojnë burimet financiare për një luftë të gjatë. Një konflikt i zgjatur do të shumëfishojë dëmin tashmë të rëndë ekonomike dhe do të nxisë tensionet duke gërryer bazën e mbështetjes së Kremlinit.
Rusia tashmë ka vënë në veprim njësitë e saj më të afta luftarake dhe luftimet e vazhdueshme ka të ngjarë ta detyrojnë atë të mobilizojë rezervistët dhe të dërgojë rekrutët e rinj në luftime – lëvizje që mund të sjellin pakënaqësi të gjerë publike.
Putini me siguri shpreson se shpartallimi i forcave ukrainase në lindje do ta detyrojë Kievin t’i pranojë kushtet kryesore të Kremlinit për ndalimin e luftimeve - njohjen e sovranitetit të Krimesë nga Moska dhe njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste lindore, duke përfshirë zonat që kanë qenë nën kontrollin e Ukrainës para luftës.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
“Unë mendoj se jemi në këtë pikë kyç ku zbulojmë nëse do të kemi paqe, pauzë apo një konflikt të zgjatur”, tha Crumpi.
Përktheu: Leutrime Rekaliu