Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pesë të vdekur dhe rreth 50 të zhdukur nga shembja e minierës së hapur të qymyrit në Kinë

Të paktën pesë persona kanë mbetur të vdekur dhe 48 të tjerë janë zhdukur pasi një minierë e hapur qymyri është shembur në Mongolinë e Brendshme, rajon autonom në Kinën veriore, raportoi të enjten “The Guardian”.

Një nga muret e minierës është rrëzuar rreth orës 13:00 me orën lokale të mërkurën, duke varrosur punëtorët në tonelata shkëmbinjsh dhe rërë. Një tjetër shembje ndodhi pesë orë më vonë, duke detyruar operacionin e shpëtimit të ndalonte.

Kërkimet rifilluan mëngjesin e së enjtes, me zjarrfikës, buldozerë dhe qenë shpëtimi të mobilizuar nga e gjithë krahina.

Presidenti Xi Jinping bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme në kërkim dhe shpëtim dhe ruajtjen e stabilitetit social.

Një hetim për shkakun e katastrofës ishte duke u zhvilluar.

Miniera operohet nga Inner Mongolia Xinjing Coal Industry. Vitin e kaluar kompania u gjobit për disa shkelje të sigurisë, duke përfshirë rrugët e pasigurta brenda dhe jashtë minierës dhe ruajtjen e pasigurt të materialeve të paqëndrueshme. Në qershor 2022, dy punëtorë u zbuluan se punonin në minierë pa certifikimin e duhur.

Edhe Të paktën 90 të vdekur nga shpërthimi në një minierë qymyri në Kinë Botë Të paktën 90 të vdekur nga shpërthimi në një minierë qymyri në Kinë

Kompania ka qenë gjithashtu e përfshirë në qindra procese gjyqësore në lidhje me borxhet e papaguara midis viteve 2014 dhe 2022, sipas mediave shtetërore.

Mongolia e Brendshme është një nga tre rajonet kryesore të Kinës për prodhimin e qymyrit. Së bashku me Shanxi dhe Shaanxi, ajo prodhon 90% të qymyrit të vendit. Në vitet e fundit qeveria ka nxitur për më shumë prodhim nga industria në një përpjekje për të grumbulluar rezerva karburanti. Vitin e kaluar Kina prodhoi një rekord prej 4.5 miliardë tonësh qymyr, një rritje prej 9% në vitin 2021.