Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pesë arsyet pse biseda e Bidenit me Jinping mund të jetë vendimtare

Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, foli të premten me presidentin kinez, Xi Jinping, nuk ishte thjesht një tjetër telefonatë në stuhinë e vazhdueshme të diplomacisë telefonike. Kjo telefonatë, e cila zgjati dy orë, sipas Shtëpisë së Bardhë, vjen në një pikë kthese të mundshme për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po e shohin me shqetësim në rritje partneritetin e ri midis Xi dhe presidentit rus, Vladimir Putin, dhe përgjigjja e Kinës ndaj pushtimit rus të Ukrainës ka rezultuar shqetësuese për vëzhguesit perëndimorë. Pekini duket se nuk është as plotësisht mbështetës dhe as kundërshtues, duke krijuar një qëndrim të pasigurt që Bideni shpresoi të deshifrojë në telefonatë.

Bideni e paralajmëroi për pasoja Kinën në rast se mbështet Rusinë, ndërsa Xi i kishte thënë presidentit amerikan se “konflikti nuk është në interesin e askujt”.

Telefonata erdhi në një moment kritik në luftën Rusi-Ukrainë

Biden foli me Xi në një moment vendimtar. Sipas zyrtarëve amerikanë, Kina po peshon nëse do të ofrojë ndihmë ushtarake apo financiare për Rusinë, e cila e ka kërkuar atë pasi ushtria e saj pësoi humbje të mëdha në Ukrainë. Nëse Kina bie dakord, ajo mund të zbehë marrëdhëniet e saj me Perëndimin për dekadat e ardhshme.

SHBA-ja u ka përcjellë aleatëve të NATO-s informacionet se Kina ka njëfarë vullneti për të mbështetur Rusinë, megjithëse si Moska, ashtu edhe Pekini e mohojnë atë.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Xi ka qenë i shqetësuar nga pushtimi rus dhe ajo që ka treguar ushtria ruse, e cila ka pasur pengesa logjistike dhe strategjike që nga fillimi i pushtimit më shumë se dy javë më parë.

Kina mund t'i ofrojë Rusisë një sërë mbështetjesh

Zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Kina do të ishte e gatshme t'i siguronte Rusisë pajisje të mëdha sulmuese si tanke apo avionë. Në vend të kësaj, zyrtarët thanë se besonin se ka më shumë të ngjarë që Kina të dërgonte sende më të vogla si ushqime, municione, pjesë këmbimi ose pajisje mbikëqyrjeje – nëse vendosin të ndihmojnë Rusinë.

Sipas zyrtarëve, është ende e mundur që Kina të ndihmojë Rusinë për zbutjen e efekteve të sanksioneve perëndimore përmes mbështetjes financiare. Megjithëse nuk ka gjasa që Rusia të zbusë plotësisht efektet e masave të SHBA-së e Evropës.

Në bisedën telefonike, Bideni shpresoi t’ia bënte të qartë Xisë anët negative të ndihmës për Rusinë, qoftë përmes ndihmave ushtarake apo financiare.

Xi pritet të sigurojë një mandat të tretë historik në pushtet gjatë Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste në Pekin këtë vjeshtë. Gjatë një viti kaq të rëndësishëm, ekspertët perëndimorë besojnë se Xi do të jetë veçanërisht i ndërgjegjshëm për rreziqet ekonomike që vijnë nga sanksionet dytësore. Tregtia midis Bashkimit Evropian dhe Kinës arriti në 800 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe tregtia SHBA-Kinë ishte mbi 750 miliardë dollarë, sipas të dhënave zyrtare të Kinës, ndërsa tregtia e saj me Rusinë ishte pak më pak se 150 miliardë dollarë.

Megjithatë, Bideni dhe administrata e tij kanë refuzuar të diskutojnë hapat që do t’i ndërmerrnin në rast se Rusia vendos ta ndihmojë Ukrainën.

SHBA-ja duhet të menaxhojë partneritetin 'gjakftohtë' midis Rusisë dhe Kinës

Edhe para se Rusia ta pushtonte Ukrainën, SHBA-ja po shikonte me kujdes ndërsa Putini e Xi po afroheshin më shumë. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Bill Burns, e quajti partneritetin mes tyre “shumë gjakftohtë”.

Putin dhe Xi Jinping deklaruan se marrëdhënia e tyre “nuk kishte kufij” në shkurt të këtij viti, kur presidenti rus vizitoi Pekinin për bisedime dhe mori pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore. Ata ishin njëzëri “kundër zgjerimit të mëtejmë të NATO-s”.

Që atëherë, partneriteti “pa kufij” mes tyre është testuar, ndërsa Xi ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ka pasur sinjale të përziera. Kina abstenoi në votimin kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara, që u duk si shenjë distancimi. Një zyrtar i lartë kinez deklaroi se sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohet, ditë pasi Rusia kishte nisur sulmin ndaj Ukrainës në shkurt.

Por shenja të tjera kanë treguar për një qëndrim më akomodues, duke përfshirë amplifikimin e dezinformatave ruse nga Kina. Dhe zyrtarët e lartë amerikanë kanë thënë se mungesa e denoncimit është tregues i mjaftueshëm se ku qëndron besnikëria e Kinës.

Aleatët amerikanë në Azi po vëzhgojnë nga afër reagimin e Kinës ndaj luftës në Ukrainë

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia – duke shkelur sovranitetin e saj dhe duke e çuar Evropën në konfliktin e saj më të keq në dekada – ka shkaktuar valë ankthi në mbarë botën. Një vend që shikonte nga afër është Tajvani, ishulli vetëqeverisës i pretenduar nga Kina.

Pekini kohët e fundit ka rritur fluturimet ushtarake pranë ishullit. Në ditët e para të konfliktit në Ukrainë ekzistonte frika se pushtimi rus mund të sillte pushtimin kinez të Tajvanit, edhe pse nuk dukej se një i tillë ishte i afërt.

Zyrtarët amerikanë që atëherë i kanë minimizuar paralelet, duke thënë se nëse ka ndonjë gjë, përgjigjja e bashkuar ndaj Rusisë mund të bëjë që Kina të rimendojë çfarëdo plani që ka për Tajvanin. Presidenti Xi ka besuar që interesat ekonomike nuk do t’i lejonin Perëndimin, SHBA-në, Japoninë e Australinë të vendosnin sanksione kaq të ashpra ndaj Rusisë. Tani ka ndryshuar mendje dhe po vepron me kujdes.

Biden dhe Xi kanë një histori të gjatë dhe botëkuptime të ndryshme

Bidenit i pëlqen të përmendë orët e gjata që ai kaloi me Xinë kur të dy shërbenin në rolin e zëvendëspresidentit në SHBA respektivisht Kinë. Ai ka pohuar se ka kaluar më shumë kohë me Xinë se çdo lider tjetër botëror.

Megjithatë, ata nuk janë takuar ballë për ballë qëkur Bideni mori detyrën dhe Xi nuk është larguar nga Kina gjatë pandemisë COVID-19.

Bideni dhe ekipi i tij kanë punuar për të krijuar një politikë të konkurrencës me Kinën. Ata kanë lënë në fuqi tarifat e vendosura nga ish-presidenti Donald Trump dhe kanë kritikuar Kinën për mospërmbushjen e angazhimeve të saj nga një marrëveshje tregtare e kohës së Trumpit.

Para konfliktit në Ukrainë, Bideni dukej se synonte të ripërqendronte politikën e jashtme amerikane drejt Azisë, ku ai e sheh konkurrencën midis SHBA-së dhe Kinës si një sfidë përcaktuese të shekullit të ardhshëm.

Dhe ndërsa kriza e Ukrainës ka preokupuar Shtëpinë e Bardhë javët e fundit, zyrtarët këmbëngulin se janë ende në gjendje të ruajnë vizionin e tyre për Azinë.

Artikuj të ngjashëm