Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën sulme të reja ajrore ndaj Iranit në orët e para të së enjtes, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke shënjestruar Bahrejnin, Kuvajtin dhe Katarin, në një përshkallëzim të ri të konfliktit që rrezikon marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit, e cila synonte t’i jepte fund luftës në Gjirin Persik.  

Sulmet ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet e fundit iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit shënuan fundin e armëpushimit të brishtë. Të mërkurën, forcat amerikane goditën një sërë objektesh ushtarake dhe infrastrukturë portuale në Iran, pasi Teherani kishte sulmuar disa anije tregtare pranë brigjeve të Omanit.

Megjithatë, sulmet e së enjtes u konsideruan më të gjera. Sirenat e alarmit u dëgjuan të paktën dy herë në Bahrejn, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane. Deri më tani nuk ka raportime të menjëhershme për dëme në Bahrejn, Kuvajt apo Katar. 

Ushtria e Kuvajtit bëri të ditur se po ndërhynte në mënyrë aktive për të neutralizuar dronët dhe raketat hyrëse, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit mori përgjegjësinë për sulmet ndaj Bahrejnit dhe Kuvajtit.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka goditur rreth 90 objektiva në territorin iranian, duke publikuar pamje që sipas saj tregojnë sulme ndaj pistave të aeroporteve dhe lëshuesve të raketave.

“Forcat amerikane mbeten vigjilente, me kapacitete vdekjeprurëse dhe të gatshme për të kryer operacionet e urdhëruara nga Komandanti i Përgjithshëm”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.

Sipas autoriteteve amerikane, sulmet kishin për qëllim të “dobësonin më tej” aftësinë e Iranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, rrugë strategjike përmes së cilës, para shpërthimit të luftës, kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në disa zona të vendit, përfshirë Bushehrin, ku ndodhet kompleksi i centralit bërthamor iranian, si dhe në qytetet portuale jugore Chabahar, Konarak, Bandar Abbas dhe Sirik.

Irani akuzon SHBA-në për sulm pranë një centrali bërthamor

1 muaj më parë / 9 kor 2026 14:54
Bushehr

Photo: Associated Press

Mediat shtetërore dhe ato të lidhura me shtetin në Iran raportojnë se centrali bërthamor i Bushehrit është vënë në shënjestër këtë pasdite.

Sipas një deklarate që i atribuohet zëvendësguvernatorit të provincës dhe që është publikuar nga mediat shtetërore iraniane, perimetri i centralit është goditur nga predha të lëshuara nga Shtetet e Bashkuara, raporton BBC.

Deri më tani, SHBA-ja nuk ka komentuar lidhur me këto sulme të fundit.

Aktualisht, sulmi pranë centralit bërthamor të Bushehrit është një nga pretendimet më serioze.

Nëse konfirmohet, një sulm pranë një objekti bërthamor do të përbënte një zhvillim me pasoja të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. 

E një sulm i mundshëm në një termocentral bërthamor mund të çojë në një rrjedhje rrezatimi në mjedis. Një rrjedhje e tillë në Gjirin Persik do të ishte një krizë ekzistenciale për shtetet arabe të Gjirit.

Termocentrali bërthamor i Bushehrit u ndërtua me ndihmën e Rusisë.

Ndërkohë sulmet i ka vazhduar edhe Irani. Forcat e armatosura të Jordanisë njoftuan përmes agjencisë shtetërore të lajmeve Petra se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar tetë raketa të lëshuara nga Irani këtë pasdite.

Sipas raportit, disa copëza të raketave kanë rënë në tokë, por nuk është raportuar për viktima apo dëme materiale.

SHBA-ja, e cila ka një bazë ushtarake në Jordani, ende nuk ka komentuar.

Por, ambasada e SHBA-së në Jordani u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të kërkojnë strehim, pasi "raportimet tregojnë se raketa, dronë ose predha ndodhen në hapësirën ajrore të Jordanisë".

Ambasada tha se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të japë informacione të tjera sapo të ketë zhvillime të reja.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën raundin tjetër të sulmeve ajrore kundër Iranit të mërkurën, disa orë pasi presidenti Donald Trump tha se armëpushimi midis dy vendeve mund të ketë "përfunduar".

Këto sulme bëhen një ditë pasi ushtria amerikane goditi disa zona ushtarake, pasi Irani shënjestroi anije tregtare në brigjet e Omanit.

Situata e tensionuar në Ngushticën e Hormuzit

1 muaj më parë / 9 kor 2026 12:24
Ngushtica e Hormuzit

Anijet që synojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit po përballen me një situatë të paqartë, pasi të dyja palët po përpiqen ta drejtojnë trafikun detar nëpër rrugë të ndryshme.

Anijeve u është rekomanduar të shmangin kalimin nëpër pjesën qendrore të ngushticës për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.

Qendra e Përbashkët për Informacion Detar, ku bëjnë pjesë edhe  Shtetet e Bashkuara, ka rekomanduar që anijet të ndjekin një itinerar pranë bregdetit të Omanit, në jug të ngushticës për të shmangur rrezikun nga minat detare iraniane.

Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se asnjë anije nuk lejohet të kalojë nëpër ngushticë, përveçse nëse ndjek një korridor të caktuar më në veri, më pranë vijës së tij bregdetare.

Autoriteti Iranian për Ngushticën e Gjirit Persik do të lëshojë leje kalimi vetëm për anijet që ndjekin këtë rrugë, ndërsa intinerarët e tjerë janë shpallur “rreptësishtë të ndaluar”.

Këto përpjekje konkurruese për të kontrolluar mënyrën e funksionimit të ngushticës  kanë shtuar pasigurinë dhe vështirësitë me të cilat përballen kompanitë e transportit detar në këtë korridor jetik të tregtisë ndërkombëtare.

Sulmet amerikane ndërpresin linjën hekurudhore të qytetit ku do të varroset Khamenei

1 muaj më parë / 9 kor 2026 11:32
Funerali

Photo: Associated Press

Shërbimet hekurudhore ndërmjet Teheranit dhe Mashhadit, ku pritet të zhvillohet funerali i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, janë ndërprerë.

Arkivoli i tij u dërgua me avion mirëpo nuk dihet nëse ishte e paraparë që bartja e tij të bëhet përmes linjës hekurudhore.

Mediat shtetërore iraniane kanë thënë se linja hekurudhore u godit nga një sulm amerikan, ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit deklaron se dy ura janë shkatërruar, raporton BBC.

"Po bëhen përpjekje që kjo linjë të riparohet sa më shpejt të jetë e mundur," tha një zëdhënës i Hekurudhave të Republikës Islamike të Iranit për Tasnim, një agjenci lajmesh e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

Rruga hekurudhore mes kryeqytetit Teheran dhe qytetit verilindor Mashhad raportohet të jetë linja më e ngarkuar hekurudhore në Iran.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), njoftoi se faza përfundimtare e ceremonive mortore, të cilat kanë zgjatur disa ditë, do të nisë në orën 14:00 sipas kohës lokale.

Arkivoli i Khameneit është ekspozuar në qytete të ndryshme të Iranit dhe Irakut gjatë gjashtë ditëve të fundit. Ai do të varroset në Mashhad, qytetin ku lindi ish-Udhëheqësi Suprem.

Teksa SHBA-ja ka rifilluar sulmet, Ministria e Shëndetësisë e Iranit njoftoi se 14 persona janë vrarë gjatë kësaj vale të fundit të luftimeve.

Sipas Hossein Kermanpour, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun në ministri, sulmet amerikane që goditën pesë provinca iraniane më 8 dhe 9 korrik kanë plagosur gjithashtu 78 persona.

Nga të plagosurit, 47 persona vazhdojnë të jenë të shtruar në spital, shtoi ai Kermanpour.