Botë

Përkulja e policit, ëndërron lidhje më të mira të Policisë me afro-amerikanët

Udhëheqësi i një njësie policore në New York mori vëmendje të madhe në fund të muajit maj, kur u gjunjëzua para protestuesve.

Me gjunjëzim bëri thirrje që të bëhet më shumë për të adresuar shqetësimet e protestuesve kundër racizmit.

Jeff Maddrey u përkul me kërkesë të protestuesve në Brooklyn. Por, edhe vetë e dëshironte një gjë të tillë, transmeton KOHA. 

“Arsyeja që u gjunjëzova është që të sillja paqe dhe bashkim mes policisë dhe komunitetit”, shprehet Maddrey, shef i Policisë.

Maddrey, afro-amerikan, vjen nga Brooklyni që ka qenë epiqendër e protestave kundër racizmit në New York.

Këto protesta thotë se kanë nisur si rezultat i gjeneratave të tëra të pabarazisë dhe tensioneve nga ana e policisë.

Është i mendimit se policia e New Yorkut duhet ta shfrytëzojë këtë protestë për të përmirësuar marrëdhëniet me komunitetin afro-amerikan. Ka bërë thirrje për takime me udhëheqësit e komunitetit dhe policisë.

“Duhet të kemi kontakte pozitive me të rinjtë afro-amerikanë, por edhe me komunitetet tjera. Ata duhet të ndihen të sigurt me policinë”, tha Maddrey.

Polici i New Yorkut me pak fjalë bëri thirrje për ndryshime rrënjësore në rregullat dhe trajnimet e policisë në komunikimet me njerëzit.