Botë

Oficerët e policisë në Londër bëjnë komente raciste, seksiste dhe tallin viktimat e përdhunimeve

Policia - Londer - skandali

Një hulumtim i BBC-së ka zbuluar se brenda Policisë Metropolitane të Londrës vazhdojnë të mbizotërojnë sjelljet raciste, seksiste dhe të dhunës, pavarësisht premtimeve për reformë pas vrasjes së Sarah Everardit. Pamjet sekrete tregojnë oficerë që bëjnë komente fyese, ushtrojnë dhunë të tepruar dhe nënvlerësojnë akuzat serioze, duke shkatërruar besimin publik në forcën policore

Oficerë të Policisë Metropolitane në Londër janë filmuar fshehurazi duke bërë thirrje që emigrantët të qëllohen, duke treguar krenari për përdorimin e forcës dhe duke mos marrë seriozisht pretendimet për përdhunim.

Hulumtimi i bërë nga emisioni “Panorama” i BBC-së tregon se, përkundër premtimeve të policisë për të luftuar sjelljet e dëmshme pas vrasjes së Sarah Everardit, nga një polic në detyrë, racizmi dhe seksizmi janë ende të pranishme në radhët e policisë.

Pamjet sekrete tregojnë oficerë që bëjnë komente seksuale ndaj kolegeve dhe shprehin mendime raciste për emigrantët dhe myslimanët.

Pasi BBC i dërgoi një listë me prova Policisë Metropolitane, kjo e fundit pezulloi tetë oficerë dhe një punonjës civil, ndërsa dy të tjerë u larguan nga detyra në terren. Komisioneri Mark Rowley tha se sjelljet e treguara ishin “të turpshme, të papranueshme dhe kundër vlerave të policisë”.
Disa nga oficerët që u filmuan janë: 

- Joe McIlvenny, me gati 20 vjet përvojë në polici. Ai u tregua i pandjeshëm ndaj një gruaje shtatzënë që pretendonte se ishte përdhunuar dhe dhunuar nga partneri. Kur një koleg e pyeti pse burri u la i lirë me kusht, ai tha: “Ashtu thotë ajo”.

- Martin Borg përshkroi me entuziazëm sesi një tjetër oficer, Steve Stamp, i kishte shkelur këmbën një të arrestuari. Ai qeshi duke treguar se ishte i gatshëm të bënte një deklaratë sikur i arrestuari kishte tentuar të godiste oficerin i pari - edhe pse nga pamjet e kamerave nuk ishte e qartë nëse kjo ishte e vërtetë.

- Phil Neilson i tha gazetarit të infiltruar në një pub se një person që kishte qëndruar pa leje në Britani duhej “qëlluar në kokë”, dhe për të tjerë që “shfrytëzojnë ose përdhunojnë gra” tha: “t’u pritet organi gjenital dhe të lihen të vdesin nga gjakderdhja”.

Gazetari i infiltruar i BBC-së, Rory Bibb, punoi për shtatë muaj si oficer civil në komisariatin e Charing Cross në Londër. Ai nuk merrte pjesë në arrestime, por punonte ngushtë me oficerët.

Ky komisariat është një nga 22 qendrat e ndalimit të Policisë Metropolitane, ku mbahen personat e arrestuar përpara se të çohen në gjyq ose të lirohen. Ambienti është shpesh i vështirë, pasi përballen me persona të dhunshëm, të rinj dhe me probleme mendore.

Komisariati Charing Cross ishte hetuar më parë nga Autoriteti i pavarur i policisë për raste bullizimi dhe diskriminimi. Katër vjet më parë u zbulua se disa oficerë flisnin për dhunë ndaj të dashurave të tyre, ndanin komente ofenduese dhe bënin shaka për përdhunimin në biseda private.

Dëshmitarë të brendshëm i thanë “Panorama-s” se oficerë me sjellje raciste dhe seksiste ende punojnë në këtë komisariat, pavarësisht premtimeve të Policisë Metropolitane për t’i larguar oficerët problematikë dhe për të ndryshuar kulturën e brendshme.

“Mizogjini” shqetësuese

Nënoficerët janë përgjegjës për mbarëvajtjen e ambienteve të paraburgimit dhe për mbrojtjen e vlerave dhe etikës së Policisë Metropolitane.

Një prej tyre, në komisariatin e Charing Cross, ishte nënoficeri McIlvenny, i cili është filmuar disa herë gjatë detyrës duke shfaqur qëndrime të rënda mizogjiniste.

Ai fliste hapur me kolegët për jetën e tij seksuale në mënyrë vulgare. Njëherë, për një grua që tha se e kishte njohur online, u shpreh: 

“Ajo mbush derën, gati si përbindëshe ... aq e shëndoshë sa ka dy vagjina - një të vërtetë dhe një tjetër prej dhjamit përreth”.

Gjithashtu, tregonte se kënaqej seksualisht kur i prekeshin thithkat, edhe pse disa kolege gra shprehnin shqetësim kur ai fliste.

Si nënoficer paraburgimi, ai vendos nëse një person do të mbahet në qeli apo do të lirohet me kusht pas akuzës.

Kur një punonjëse e paraburgimit (DDO) kundërshtoi lirimin me kusht të një burri të akuzuar për përdhunim dhe për goditje të së dashurës shtatzënë, McIlvenny u përgjigj:
“Po, këtë thotë ajo”. (“Panorama” nuk ka të dhëna të plota për rastin.)
Punonjësja tregoi më vonë për zemërimin e saj:
“Mënyra si u shpreh, ‘Po, këtë thotë ajo’. Ai e shkelmoi atë në bark kur ishte shtatzënë. Doja t’i thosha: ‘Je një plehër’ Por s’mundem. Ka grada mbi supe”.
Sue Fish, ish-shefe e përkohshme e policisë në Nottinghamshire dhe eksperte në hetimet disiplinore, e cilësoi gjuhën e tij si “krejtësisht të papërshtatshme dhe shumë mizogjiniste”.

Ajo shtoi: “Si grua dhe si ish-police, është e frikshme që dikush si ai ka pushtetin të vendosë për sigurinë time apo të grave të tjera”.

Sue Fish ka rrëfyer më parë se është ngacmuar seksualisht nga kolegë, si kur ishte oficere e re, ashtu edhe më vonë në rol drejtues. Nën drejtimin e saj, në vitin 2016, Policia e Nottinghamshire u bë e para që e njohu mizogjininë si krim urrejtjeje.

Në janar të këtij viti, ndërsa gazetari i BBC-së ishte infiltruar në komisariat, McIlvenny u hetua për komente të papërshtatshme ndaj një gruaje në paraburgim.

Punonjësit thanë se gruaja ishte me origjinë aziatike dhe se ai i kishte thënë: “Duhet të jesh në biznesin e masazhit.” Komentet ishin raportuar nga Policia e Transportit Britanik.

Megjithatë, muajin e kaluar, përpara se “Panorama” të informonte Policinë Metropolitane për zbulimet, nënoficeri i tha gazetarit të infiltruar se ishte kthyer sërish në detyrë në paraburgim.

“Mjegulla e kuqe”

Gazetari i infiltruar i BBC-së filmoi disa herë oficerë policie që tregonin me krenari dhunën e ushtruar, duke zbuluar një kulturë ku ata kishin besim se kolegët nuk do t’i denonconin.

Policia ka të drejtë të përdorë forcë, por vetëm kur është proporcionale dhe e arsyeshme, sipas standardeve profesionale.

Gjatë një nate në pub, jashtë orarit të punës, oficeri Martin Borg tregoi sesi ishte ndaluar një burrë që kishte imituar një polic dhe kishte tentuar rrëmbim, e që ishte vlerësuar si rrezik për vetëvrasje.

Sipas Borgut, i ndaluari kishte pështyrë policët dhe kishte urinuar te dera e qelisë, ndaj e shtrinë përdhe. Ndërsa po përpiqej të godiste me këmbë, nënoficeri Steve Stamp - me nofkën “Stampy” ia shtypi këmbën me çizme.

Pamjet nga kamerat e sigurisë treguan që nënoficeri e shtypi me këmbë dy herë.

“Ky dreqi bërtiti fort” – tha Borg. “Ënjtja në këmbë i dukej si tumor”. Kur i ndaluari tha që ishte shkelur, Borgu kujtoi t’i kishte thënë: “Po, të shkela fare mirë”.

Më pas tha se nënoficeri i kishte thënë që i ndaluari tentoi ta godiste, dhe ai i ishte përgjigjur:

“Patjetër, shef. Do ta shkruaj edhe në MG11 nëse do”. (MG11 është një deklaratë dëshmitari).
Ish-drejtoresha e policisë, Sue Fish, komentoi se nëse Borg ka futur qëllimisht informacione të rreme në një deklaratë zyrtare, kjo mund të përbëjë pengim të drejtësisë ose konspiracion për të penguar drejtësinë.

Nga pamjet nuk është e qartë nëse i ndaluari e goditi nënoficerin. Ai ishte zbathur dhe i shtrirë në tokë, ndërsa katër oficerë e mbanin.

Një tjetër oficer tha se, kur të ndaluarit nuk pranonin të jepnin shenjat e gishtërinjve, ai i tërhiqte dy gishta fort për t’ua këputur tendinat: “Më pëlqen t’i marr shenjat me forcë”, tha ai.

Një tjetër polic, që e takoi për herë të parë gazetarin në mensë, tregoi sesi një i ndaluar e kishte goditur me bërryl në fytyrë. Kur ai u ngrit, e goditi disa herë pas këmbëve, ndonëse personi kishte pranga në këmbë.
“Thjesht e godita fort, pesë a gjashtë herë”, tha ai.
“S’dukej mirë, por më kaploi ajo “mjegulla e kuqe” – (referencë ndaj momentit të humbjes së kontrollit për shkak të zemërimit).

“Ata janë thjesht plehra”

Gjatë një takimi në bar, policët shprehën mendime raciste, kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve.

Një herë, Borg fliste për të dyshuarit nga pakicat etnike. Kur pyeti se cili grup shkaktonte më shumë probleme, ai tha: “Myslimanët”.

“Na urrejnë. Na urrejnë shumë”, tha ai. “Islami është problem. Problem serioz”.

Rregullat e policisë thonë se sjellja e policëve nuk duhet të dëmtojë imazhin e policisë, as në detyrë dhe as jashtë saj.

Polici Phil Neilson nuk donte fillimisht të ndante mendimet me gazetarin e infiltruar. Por pas dy javësh, ai tha se nuk kishte problem me ukrainasit që iknin nga lufta, por mendonte ndryshe për njerëzit nga Lindja e Mesme.
“Ata janë thjesht plehra”, tha ai. Sipas tij, ata përbënin “një pushtim”.

Ndërsa pinte më shumë, Neilson tha gjëra edhe më të dhunshme.

Ai i quante algjerianët dhe somalët “plehra” dhe “të shëmtuar”. Sipas tij, njerëzit e huaj janë më të këqij për t’u përballur.

Ai tha se kishte parë shumë myslimanë që bënin krime dhe se mënyra e tyre e jetesës nuk ishte e drejtë.

“Myslimanët shkaktojnë më shumë krime”, tha ai.

Rregullat e policisë kërkojnë që policët të mos diskriminojnë padrejtësisht.

Neilson tha për një person që kishte mbetur në Britani pa leje: “O e vret me plumb në kokë ose e deporton”.

Ai shtoi se do ishte mirë të kishte një pistoletë dhe se ata që dhunonin gra duhet të vdisnin.
Ish-shefja e policisë, zonja Fish, tha se ishte shumë e tronditur dhe e neveritur nga këto fjalë.

“Unë nuk kam aspak besim tek ai si polic, dhe as si njeri”,  tha ajo.

“E tregon vetveten”

Edhe pse disa policë shprehën mendime diskriminuese dhe joprofesionale, disa e dinin se duhet t’i fshihnin ato.

Njëherë, nënoficeri McIlvenny paralajmëroi gazetarin e infiltruar të mos fliste për përdorimin e forcës kundër të dyshuarve në mënyrë që të mos kapeshin nga kamerat dhe mikrofonat në stacionin e policisë.

Nënoficeri kishte goditur një burrë në këmbë gjatë kontrollit. Gazetari tha: “E pashë goditjen tënde në këmbë”.

Pak më vonë, nënoficeri e mori gazetarin në një korridor larg kamerave dhe tha: “Ji i kujdesshëm kur flet për përdorimin e forcës, nuk duket mirë nëse dëgjohet më vonë”.

“Mos na bëj shkas për një ankesë të madhe”, i tha ai.

Në bar, polici Brian Sharkey, që është prej kohësh në punë, pinte me kolegë që talleshin me ankesat disiplinore dhe bënin shaka seksuale.

Më pas ai tha për gazetarin: “Kujt mund t’i besohet këtu? Ti je i ri,” dhe ndaloi shakatë.

Një tjetër polic i tha gazetarit se kur takohet me kolegë të rinj, duhet të veshësh “maskën” e të flasësh me fakte, por më pas “ta tregosh vetveten”.

BBC-ja i shkroi Policisë Metropolitane për të treguar provat nga hulumtimi shtatëmujor.

Kreu i policisë, Mark Rowley, tha se kanë marrë masa të menjëhershme dhe të paprecedentë për hetimin e këtyre akuzave. Ata i referuan rastet te IOPC (Organizata për Profesionistët e Policisë), e cila tha se po e merr çështjen shumë seriozisht.

Mark tha se ekipi i paraburgimit në Charing Cross është shpërndarë dhe se më shumë se 1.400 punonjës janë larguar ose pushuar që nga viti 2022 për mosrespektim të standardeve, “pastrimi më i madh në historinë e forcës”.

Ai tha se duhet bërë shumë më tepër për të ndëshkuar ata që vazhdojnë të sjellin sjellje të keqe dhe që e dëmtojnë policinë dhe qytetarët e Londrës.

Pas rrëmbimit, përdhunimit dhe vrasjes së Sarah Everardit nga një polic në detyrë në 2021, një rishikim nga Baroness Louise Casey tha se policia ishte institucionalisht raciste, homofobike dhe mizogjiniste.

Sir Mark pranoi rekomandimet e këtij rishikimi, por atëherë nuk pranoi që problemet ishin “institucionale”.

Në 2022, policia u vendos nën mbikëqyrje të veçantë, që përfundoi në janar të këtij viti. Sir Mark tha atëherë se po bëhej “progres i madh”.

Ish-prokurori Dominic Grieve, që po ashtu pa materialet e “Panorama-s”, tha se u befasua se si standardet dhe disiplina nuk po ndiqeshin nga ata që janë në pozita përgjegjësie, sidomos nënoficerët.

Ai tha se sjellja e këtyre policëve e dëmtonte besimin e publikut dhe e bënte punën më të vështirë në të ardhmen.

Ish-shefja e policisë, Fish, tha se “kam parë mjaftueshëm për të thënë se aty ekziston një kulturë shumë toksike me sjellje shumë seksuale, mizogjini, racizëm dhe dhunë e padrejtë”.

Ajo tha se drejtuesit e policisë kurrë nuk e kuptuan rëndësinë dhe ndikimin e kësaj kulture. “Ka qenë gjithmonë një mollë e prishur, jo e gjithë shporta”,  tha ajo.