Detajet e operacionit u mbajtën aq të fshehta sa disa luftëtarë të Hamasit, që morën pjesë në sulmin të shtunën, besuan se po shkonin në një stërvitje tjetër, duke u shfaqur me rrobat e rrugës dhe jo me uniformat e tyre
Më pak se një muaj para se luftëtarët e Hamasit të futen në “Murin e Hekurt” me teknologji të lartë të Izraelit dhe të nisnin një sulm që do të linte më shumë se 1.200 izraelitë të vdekur, grupi militant publikisht kishte nisur stërvitjet.
Një video propagandistike dyminutëshe e postuar në mediat sociale nga Hamasi më 12 shtator tregon luftëtarët që përdorin eksploziv për të shpërthyer porta të kufirit, duke shkatërruar kamionët dhe më pas lëviznin ndërtesë pas ndërtese përmes një rindërtimi në shkallë të plotë të një qyteti izraelit, duke qëlluar me armë automatike drejt objektivave prej letre.
Stërvitja e grupit militant islamik në operacionin e quajtur “Shtylla e fortë” kishte gjithashtu militantë me jelekë anti-plumb që kryenin operacione të cilat përfshinin shkatërrimin e modeleve të kullave prej betoni të Murit dhe një antene komunikimi, ashtu siç do të bënin vërtetë në sulmin vdekjeprurës të shtunën e kaluar.
“Ka pasur qartë paralajmërime dhe indikacione që duhet të ishin marrë parasysh”, thotë thënë Bradley Bowman, ish-oficer i ushtrisë amerikane, i cili tani është drejtor i lartë i Qendrës për Fuqinë Ushtarake dhe Politike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, institut kërkimor në Uashington.
“Associated Press” shqyrtoi dhe verifikoi detajet kryesore nga dhjetëra video të publikuara nga Hamasi gjatë vitit të kaluar, kryesisht përmes aplikacionit të mediave sociale Telegram.
Duke përdorur imazhe satelitore, AP-ja përputhi vendndodhjen e ushtrimeve me qytetin Al-Mawasit, në bregun jugor të Rripit të Gazës. Një tabelë e madhe në hebraisht dhe arabisht në portë tregon për “Horesh Yaron”.
Bowman ka theksuar se ka indikacione se Hamasi qëllimisht i shtyu zyrtarët izraelitë të besonin se po përgatitej të kryente bastisje në Bregun Perëndimor dhe jo në Gaza. Ishte gjithashtu potencialisht domethënëse që stërvitja është mbajtur çdo vit që nga viti 2020 në dhjetor, por u rrit me gati katër muaj këtë vit për të përkuar me përvjetorin e tërheqjes së Izraelit nga Gaza në vitin 2005.
Në një video të veçantë të postuar në Telegram nga stërvitja e Shtyllës së Fortë të vitit të kaluar më 28 dhjetor, luftëtarët e Hamasit shfaqen duke sulmuar atë që duket të jetë një bazë ushtarake izraelite, e kompletuar me një model të përmasave të plota të një tanku me një flamur izraelit që valëvitet. Personat e armatosur lëviznin nëpër ndërtesa, duke kapur burra të tjerë që luanin rolin e ushtarëve izraelitë si pengje.
Michael Milshtein, kolonel izraelit në pension, i cili më parë drejtonte departamentin e inteligjencës ushtarake që mbikëqyrte territoret palestineze, ka treguar se ishte në dijeni të videove të Hamasit, por ai ishte ende i befasuar nga ambicia dhe shkalla e sulmit të së shtunës.
“Ne dinim për dronët, dinim për grackat me armë zjarri, dinim për sulmet kibernetike dhe forcat detare… Befasia ishte koordinimi midis të gjithë atyre sistemeve”, ka theksuar Milshtein.
Ndarja me mur
Filli i dështimit të Izraelit për të parashikuar dhe ndaluar sulmin e së shtunës shkon prapa të paktën një dekadë. Përballë sulmeve të përsëritura nga militantët e Hamasit që po kalonin tunele nën gardhin kufitar të Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu propozoi një zgjidhje shumë konkrete – ndërtimin e një muri më të madh.
Me ndihmën financiare nga taksapaguesit amerikanë, Izraeli përfundoi ndërtimin e një projekti prej 1.1 miliardë dollarësh për ta forcuar mbrojtjen e tij ekzistuese përgjatë kufirit tokësor prej 40 miljesh me Gazën në vitin 2021. Barriera e re, e përmirësuar përfshin një “mur të zgjuar” deri në 6 metra të lartë, me kamera që mund të shohin në errësirë dhe sensorë sizmikë të aftë për ta zbuluar gërmimin e tuneleve më shumë se 200 metra më poshtë. Vendet e rojeve me pilot u zëvendësuan me kulla betoni të mbushura me mitralozë me telekomandë.
“Në lagjen tonë, ne duhet të mbrohemi nga kafshët e egra”, ka theksuar Netanyahu në vitin 2016, duke iu referuar palestinezëve dhe shteteve fqinje arabe. “Në fund të ditës, siç e shoh unë, do të ketë një mur si ky që rrethon Izraelin në tërësi”.
Menjëherë pas agimit të së shtunës, luftëtarët e Hamasit kaluan murin e Netanyahut në pak minuta. Dhe ata e bënë këtë me një çmim relativisht të lirë, duke përdorur ngarkesa shpërthyese për të hapur vrima dhe më pas duke dërguar buldozerë për t’i zgjeruar çarjet ndërsa luftëtarët kalonin nëpër motoçikleta dhe kamionë. Kamerat dhe pajisjet e komunikimit u bombarduan nga dronët komercialë- taktikë e huazuar direkt nga fushat e betejës së Ukrainës.
Snajperët shkatërruan robotin e sofistikuar të Izraelit duke synuar kutitë e municioneve të ekspozuara, duke shkaktuar shpërthimin e tyre. Militantë të armatosur me pushkë sulmi lëviznin mbi mbrojtjen izraelite nën parashutistët, duke siguruar trupa ajrore të Hamasit pavarësisht mungesës së aeroplanëve. Raketat gjithnjë e më të sofistikuara të bëra vetë, të afta për ta goditur kryeqytetin e Izraelit, Tel-Aviv, zëvendësuan mungesën e artilerisë së rëndë.
Thyerja e murit
Imazhet satelitore të analizuara nga AP-ja tregojnë shkallën masive të dëmit të bërë në pikëkalimin kufitar të fortifikuar Erez midis Gazës dhe Izraelit. Imazhet e marra dhe të analizuara treguan vrima të hapura në tre seksione të murit kufitar, më i madhi më shumë se 70 metra i gjerë. Pasi muri u thye, luftëtarët e Hamasit kaluan me qindra.
Forcat e Hamasit kanë goditur gjithashtu një bazë ushtarake pranë Zikimit, duke u përfshirë në një përleshje intensive me trupat izraelite. Videot e postuara nga Hamasi tregojnë skena grafike me dhjetëra ushtarë izraelitë të vdekur.
Më pas ata u përhapën nëpër fshatrat e Izraelit jugor, duke sulmuar bujqit dhe një festival muzikor. Në trupat e disa prej militantëve të Hamasit të vrarë gjatë pushtimit ishin harta të detajuara që tregonin zonat e planifikuara dhe rrugët e sulmit, sipas imazheve të postuara nga reaguesit e parë izraelitë që gjetën disa prej kufomave. Autoritetet izraelite njoftuan se kishin gjetur trupat e rreth 1500 luftëtarëve islamikë, megjithëse nuk u dhanë detaje se ku u gjetën apo si vdiqën.
Ekspertët ushtarakë i thanë AP-së se sulmi tregoi një nivel të sofistikimit që nuk ishte shfaqur më parë nga Hamasi, duke sugjeruar që ata kishin ndihmë të jashtme.
“Më bëri përshtypje aftësia e Hamasit për të përdorur bazat për të qenë në gjendje të depërtojë në mur”, ka thënë nënkoloneli në pension i ushtrisë amerikane, Stephen Danner, inxhinier luftarak i trajnuar për të ndërtuar dhe për ta thyer mbrojtjen. “Ata dukej se ishin në gjendje të gjenin ato pika të dobëta dhe të depërtonin shpejt”.
Ali Barakeh, zyrtar i lartë i Hamasit me bazë në Bejrut, pranoi se gjatë viteve grupi kishte marrë furnizime, mbështetje financiare, ekspertizë ushtarake dhe trajnime nga aleatët e tij jashtë vendit, duke përfshirë Iranin dhe Hezbollahun në Liban.
Detajet e operacionit u mbajtën aq të fshehta sa disa luftëtarë të Hamasit që morën pjesë në sulmin të shtunën besuan se po shkonin në një stërvitje tjetër, duke u shfaqur me rrobat e rrugës dhe jo me uniformat e tyre, ka treguar Barakeh.
Sulmi i papritur shkatërrues i fundjavës së kaluar ka tronditur mbështetjen politike për Netanyahun brenda Izraelit, i cili vazhdoi me shpenzime të mëdha për të ndërtuar mure, pavarësisht nga disa paralajmërime brenda kabinetit të tij dhe ushtrisë se ndoshta nuk do të funksiononte.
Në ditët që nga goditja e Hamasit, zyrtarë të lartë izraelitë kanë shmangur kryesisht pyetjet në lidhje me murin dhe dështimin e dukshëm të inteligjencës. Adm. Daniel Hagari, kryezëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, pranoi se ushtria i detyrohet publikut një shpjegim, por tha se tani nuk është koha.
“Së pari, ne luftojmë, pastaj hetojmë”, është shprehur ai.
Ndihma nga SHBA-ja
Në shtytjen e tij për të ndërtuar mure kufitare, Netanyahu gjeti një partner entuziast te presidenti i atëhershëm, Donald Trump, i cili e vlerësoi Murin e Hekurt të Netanyahut si model të mundshëm për pengesën e zgjeruar që ai planifikoi për kufirin jugor të SHBA-së me Meksikën.
Nën udhëheqjen e Trumpit, SHBA zgjeroi një iniciativë të përbashkët me Izraelin e nisur nën Administratën Obama për të zhvilluar teknologji për zbulimin e tuneleve nëntokësore përgjatë mbrojtjes kufitare të Gazës. Që nga viti 2016, Kongresi ka ndarë 320 milionë dollarë për projektin.
Por edhe me të gjitha pajisjet e tij të teknologjisë së lartë, Muri i Hekurt ishte ende kryesisht vetëm një pengesë fizike që mund të shkelej, ka thënë Victor Tricaud, analist i lartë me firmën konsulente me bazë në Londër “Control Risks”.
“Muri pa marrë parasysh sa sensorë ... pa marrë parasysh se sa thellë shkojnë pengesat nëntokësore, në fund të fundit, është prapë një mur metalik”, ka thënë ai. “Eksplozivët, buldozerët përfundimisht mund të kalojnë nëpër të. Ajo që ishte e jashtëzakonshme ishte aftësia e Hamasit për t’i mbajtur të gjitha përgatitjet të fshehta”.
Përktheu: Blerta Haxhiu