“Njerëzit në Bregun Perëndimor e dinë se Netanyahu po hedh karremin përmes sulmeve të vazhdueshme çdo natë kundër popullit të Palestinës, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike - sepse ai dëshiron të provokojë palestinezët për konfrontim, që do ta përdorë si një justifikim për të përshkallëzuar situatën”, tha Sabri Saidam, anëtar i Komitetit Qendror të Fatahut
Kishte spekulime nëse një tjetër kryengritje po shpërthente në Bregun Perëndimor, madje edhe para sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit në tetor.
Bastisjet e shpeshta nga ushtria izraelite, të inkurajuara nga një qeveri izraelite e djathtë - pas sulmeve vdekjeprurëse nga palestinezët, dhe sulmeve të dhunshme ndaj palestinezëve nga kolonët - kishin rritur tashmë presionin mbi palestinezët atje.
Që nga fillimi i luftës në Gaza, bastisjet izraelite në qytetet e Bregut Perëndimor janë bërë më të shpeshta dhe më të forta dhe shumë familje po vuajnë ekonomikisht pasi Izraeli ka mbajtur të ardhurat nga taksat e përdorura për të paguar nëpunësit publikë në Bregun Perëndimor dhe ka ndaluar punëtorët palestinezë që të hyjnë në Izrael.
Ka zemërim për gati 20 mijë palestinezë të vrarë në Gaza dhe mbështetja për Hamasin po rritet.
Por pavarësisht gjithë kësaj, thirrjet e grupit të armatosur për një kryengritje në Bregun Perëndimor gjatë dy muajve të fundit nuk kanë pasur jehonë.
Gjendja e përgjithshme
Mbështetja për Hamasin - dhe rezistencën e armatosur në përgjithësi - është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gaza.
Sipas një sondazhi të opinionit nga Qendra për Hulumtimin e Politikave dhe Anketave në Ramallah, mbështetja për Hamasin në Bregun Perëndimor është trefishuar. Ndërkohë, mbështetja për partinë në pushtet të Bregut Perëndimor, Fatah, ka rënë ndjeshëm. Më shumë se 90% e të anketuarve mendojnë se presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, duhet të jep dorëheqjen.
Por duket se mbështetja për rezistencën e armatosur, dhe zhgënjimi me politikën, nuk po përkthehet në veprim në terren.
Që nga fillimi i luftës, në qytetet e Bregut Perëndimor janë mbajtur demonstrata javore. Parullat e brohoritjet atje janë kundër Izraelit – por edhe kundër Autoritetit Palestinez. Por ato zakonisht mbahen në qendrat e qyteteve ku ka shumë më pak rrezik për t’u përballur me ushtarët izraelitë, sesa në pikat e kontrollit - siç ndodhi gjatë kryengritjes së fundit palestineze në fillim të viteve 2000.
Dhe numri i njerëzve që dolën për këto demonstrata javore është më i vogël se sa në momentet e mëparshme të tensionit.
“Njerëzit hezitojnë të vijnë kur Hamasi thërret për demonstrata, sepse ka një çmim të qartë që duhet paguar nga kundërpërgjigja izraelite”, tha Raed Debiy, një analist politik dhe udhëheqës i të rinjve në Fatah.
Por ata gjithashtu nuk vijnë kur Fatahu i thërret thotë Debiy, sepse sipas tij njerëzit kanë humbur shpresat në partitë politike.
Hamasi “i pafuqishëm”
Derisa veprimet e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor janë bërë më të ashpra dhe shërbimet e sigurisë janë më efikase, shumë njerëz kanë frikë se duke u bërë një anëtar aktiv i një grupi militant mund t’i bëjë ata një objektiv arrestimi ose vrasjeje.
Më shumë se 270 njerëz janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor qëkur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor - duke përfshirë 70 fëmijë - sipas OKB-së. Kjo është më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të të vrarëve këtë vit.
Katër izraelitë - duke përfshirë tre nga forcat e armatosura - janë vrarë nga palestinezët atje, në të njëjtën periudhë.
Një operacion i zhvilluar, për arrestimin e personave të armatosur palestinezë në kampin e refugjatëve Jenin, këtë javë, zgjati disa ditë, me sulme të shpeshta me armë, sulme me raketa dhe sulme ajrore. Qindra persona u arrestuan, 60 prej tyre iu dorëzuan shërbimeve të sigurisë për hetime të mëtejshme.
Ushtria izraelite gjithashtu është përpjekur ta shkatërrojë infrastrukturën e përdorur nga grupet e armatosura.
Këtë herë, ajo pretendoi se kishte gjetur më shumë se dhjetëra tunele nëntokësore në kamp, si dhe objekte për prodhimin e eksplozivëve dhe “dhomat e kontrollit” për të monitoruar forcat izraelite.
Një i ri nga kampi, i cili ishte në mesin e të arrestuarve këtë javë dhe u lirua pas marrjes në pyetje, tha se arsyeja pse njerëzit injoruan thirrjet e Hamasit për t’u solidarizuar ishte se grupi nuk furnizoi Bregun Perëndimor me pajisje të mjaftueshme për të luftuar ushtrinë izraelite.
“Hamasi në Bregun Perëndimor nuk ka bërë punë të mjaftueshme për t’u organizuar gjatë dekadës së fundit”, tha Khalil Shikaki, kreu i Qendrës Palestineze për Hulumtimin e Politikave dhe Anketave në Ramallah. “Izraelitët kanë arrestuar shumë anëtarë të tyre. Hamasi është thjesht i paaftë tani në Bregun Perëndimor për të mobilizuar dhe organizuar një kryengritje që do të ishte e qëndrueshme”.
Por kryengritjet e mëparshme këtu nuk u mbështetën te Hamasi. Intifada e dytë (kryengritja), e cila filloi në vitin 2000, u drejtua nga anëtarë të partisë në pushtet të Bregut Perëndimor, Fatah.
Roli i Fatahut
Udhëheqësi aktual i Fatahut, presidenti palestinez Mahmoud Abbas, shihet se po përpiqet të shmangë një përshkallëzim të dhunës kundër Izraelit - një ndryshim i madh në pozicion nga paraardhësi i tij, Yasser Arafat.
Shërbimet e tij të sigurisë bashkëpunojnë me Izraelin për të arrestuar anëtarë të grupeve të armatosura - diçka që kritikohet gjerësisht nga palestinezët.
Sabri Saidam, anëtar i Komitetit Qendror të Fatahut, mohon se pozicioni i partisë është në kundërshtim me ndjenjën publike në territor, ose se Autoriteti Palestinez (PA) po i shmanget disi një konflikti.
“Njerëzit në Bregun Perëndimor e dinë se Netanyahu po hedh karremin, përmes sulmeve të vazhdueshme çdo natë kundër popullit të Palestinës, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike - sepse ai dëshiron të provokojë palestinezët për konfrontim që do ta përdorë si një justifikim për të përshkallëzuar situatën”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara po e shtyjnë Izraelin që të lejojë një Autoritet Palestinez të “rigjallëruar” të qeverisë Gazën pasi të përfundojë lufta atje. Izraeli deri më tani ka thënë se nuk do ta marrë në konsideratë.
Por shansi për të qeverisur një bllok të unifikuar palestinez për herë të parë që nga viti 2006 është një tjetër nxitje për Autoritetin Palestinez, të dominuar nga Fatahu, për të provuar kredencialet e saj dhe për të ndaluar situatën në Bregun Perëndimor të dalë jashtë kontrollit.
“Është shumë e qartë se Fatahu nuk dëshiron asnjë intifadë”, shpjegoi Raed Debiy, udhëheqësi i rinisë së partisë. “Ata janë ende shumë të prirë për të mbajtur status quo-në. Por bazat e Fatahut nuk do të kontrollohen përgjithmonë. Si mund të qëndroni të heshtur për vrasjet e përditshme, pushtimin e përditshëm, shkeljen e përditshme të kolonëve - kjo do të çojë patjetër në shpërthim”.
Shpërthimet e mundshme
Në vitin 2000, shkëndija për intifadën (kryengritjen) e dytë ishte një vizitë e kryeministrit të atëhershëm izraelit, Ariel Sharon, në një vend të shenjtë të kontestuar në Jerusalem, i njohur për myslimanët si kompleksi al-Aqsa dhe për hebrenjtë në Malin e Tempullit.
Vizita e Sharonit ndodhi në mes të zhgënjimit palestinez për dështimin e procesit të paqes në Oslo - dhe, Shikaki thotë, se u “shfrytëzua” nga rojtari i ri i Fatahut për të nisur kryengritjen.
Një ngjarje e vogël si kjo mund të shkaktojë ende diçka të madhe, por situata ka ndryshuar që nga viti 2000.
Tani, ministrat e ekstremit të djathtë në qeverinë izraelite vizitojnë kompleksin dhe pretendojnë kontrollin izraelit të vendit, pa shkaktuar një përgjigje të madhe - të paktën jo në Bregun Perëndimor.
“Ne i thamë administratës amerikane shumë herë se presioni do të çonte patjetër në një lloj reagimi”, tha kreu i lartë i Fatahut, Sabri Saidam. “Por askush nuk e priste që reagimi do të vinte nga Gaza”.
Se ku shkon Bregu Perëndimor nga këtu, varet pjesërisht nga ajo që pason luftën në Gaza.
Ky tranzicion ka të ngjarë të jetë një kohë e pasigurt për Bregun Perëndimor, me shpresat për një udhëheqje të unifikuar palestineze - ndoshta duke hapur derën për bisedimet për një shtet të ardhshëm palestinez - duke u përplasur me opozitën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Por një kryengritje e qëndrueshme, e llojit të parë, të dy dekadave më parë, ka të ngjarë të kërkojë një ndryshim në politikën e lëvizjes kryesore politike të Bregut Perëndimor - dhe ndoshta edhe një ndryshim në udhëheqjen e saj.
“Unë nuk e shoh ende Fatahun apo shërbimet e sigurisë në prag të një kryengritjeje. Por ne po ecim në atë drejtim”, tha Shikaki.
Të tjerë tregojnë për pakësimin e besimit në politikën palestineze për të ofruar paqe, një shtet ose thjesht një jetë më të mirë.
“Nëse do të kishim ndonjë gjë në agjendën politike, gjërat mund të qetësoheshin”, tha Raed Debiy. “Por unë nuk jam i sigurt me këtë qeveri izraelite të krahut të djathtë, edhe nëse ka ndonjë gjë solide në tryezë - kështu që i vetmi skenar që shoh është shpërthimi. Është vetëm çështje kohe”.
Përktheu: Forca Jashari
LEXO EDHE: