Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rezistenca palestineze

Izraeli mund të jetë i vendosur që ta mohojë fuqinë e Hamasit në Gaza, por në Bregun e pushtuar Perëndimor ndikimi i tij tashmë po përhapet. Sipas një sondazhi të opinionit, të mbajtur midis 22 nëntorit dhe 2 dhjetorit nga Qendra Palestineze për Hulumtimin e Politikave dhe Anketave (PSR), mbështetja për Hamasin është trefishuar në Bregun Perëndimor krahasuar me tre muaj më parë. Mbështetësit e Hamasit janë ende pakicë, por 70% e të anketuarve thanë se lufta e armatosur ishte mjeti më i mirë për t’i dhënë fund pushtimit izraelit

(BBC) - Që nga fillimi i luftës në Gaza, operacionet ushtarake të Izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor janë bërë më të shpeshta dhe më të forta.

Qyteti verior i Jeninit - epiqendra e këtyre bastisjeve para sulmeve të Hamasit - është shndërruar në një fushëbeteje javore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Adoleshentët palestinezë që takoi BBC-ja, të cilët po iknin nga ushtria atje të martën, kishin qëndrime të njëjta skeptike shpërfillëse ndaj burrave shumë më të moshuar - tallnin presidentin palestinez dhe thirrjet e tij drejtuar botës për mbrojtje kundër okupimit të Izraelit.

Pas tyre, buldozerët e blinduar dhe makinat ushtarake të Izraelit lëviznin rreth hyrjes së kampit të refugjatëve në Jenin, shpërthime dhe të shtëna armësh nga i gjithë qyteti jehonin përgjatë rrugëve të shkreta dhe të mbyllura.

Muret e këtij qyteti janë të mbuluara me fotografitë e të rinjve të vrarë nga forcat izraelite – disa prej tyre anëtarë të grupeve të armatosura si Hamasi, i konsideruar si organizatë terroriste nga Britania e Madhe dhe shtete të tjera. Posterët dhe fytyrat e të vrarëve rifreskohen vit pas viti.

Gjashtë burra mbetën të vrarë në operacionin ushtarak të martën në Jenin; katër prej tyre në një sulm me dron, thanë dëshmitarët.

Izraeli thotë se operacionet e tij në Bregun Perëndimor kanë në shënjestër anëtarët e grupeve të armatosura, shpesh ata që kanë njollosur duart e tyre me gjak izraelit.

Por drejtori i spitalit të Jeninit, Wissam Bakr, bëri të ditur se një fëmijë 13-vjeçar, i cili vuante nga një sëmundje kronike vdiq gjithashtu, pasi nuk mundi të marrë kujdesin e duhur mjekësor.

“Këmbëngulja e inkursioneve në Jenin dhe vrasja e të rinjve - kjo do t’i zemërojë njerëzit gjithnjë e më shumë, sepse çdo ditë humbasim një nga miqtë tanë”, tha ai.

“Kjo nuk do të sjellë paqe për Izraelin - kjo do të sjellë gjithnjë e më shumë rezistencë”.

Image

Më 7 tetor, njerëz të armatosur të Hamasit nga Gaza sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë. Më shumë se 18 mijë njerëz thuhet se janë vrarë në Gaza gjatë luftës që pasoi.

Në Bregun Perëndimor, 271 palestinezë, përfshirë 69 fëmijë, janë vrarë nga sulmet - më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm për një vit të plotë. Pothuajse të gjithë janë vrarë nga forcat izraelite, sipas Kombeve të Bashkuara.

Që nga sulmet e Hamasit, mbështetja për rezistencën e armatosur është rritur në shumë pjesë të Bregut Perëndimor - në vende si Nablus dhe Jenin.

“Unë e shoh atë në zërat e njerëzve, në muzikën që ata dëgjojnë në makinat e tyre, nga postimet në Facebook ose në mediat sociale, nga debatet e mia me studentët e mi”, tha Raed Debiy, një shkencëtar politik dhe udhëheqës i të rinjve i partisë në pushtet të Bregut Perëndimor, Fatah, e cila dominon Autoritetin Palestinez (PA).

Ai tha se sulmet ishin “një pikë kthese” për palestinezët, ashtu siç ishin një pikë kthese tronditëse për izraelitët.

“Njerëzit, veçanërisht brezi i ri, po e mbështesin Hamasin tani, më shumë se në çdo moment tjetër”, më tha ai. “Në 30 vitet e mëparshme, nuk kishte modele, nuk kishte idhuj për brezin e ri; tani ata shohin se ka diçka ndryshe, një histori tjetër po krijohet”.

Madje edhe nipi i tij 11-vjeçar, thotë ai, ka pak respekt për presidentin palestinez Mahmoud Abbas, por admiron zëdhënësin ushtarak të Hamasit, Abu Obeida - “sepse ai na mbron”.

“Rinia palestineze ka prioritete dhe lista dëshirash, për të pasur një shtëpi ose për të marrë një diplomë”, shpjegoi shkencëtari politik i Bregut Perëndimor, Amjad Bushkar.

“Por pas 7 tetorit, mendoj se këto prioritete kanë ndryshuar totalisht. Ka zëra në rritje për çlirimin e plotë të atdheut përmes rezistencës - qoftë ajo rezistencë paqësore apo e armatosur”.

Bushkar thotë se ai ka kaluar gjithsej nëntë vjet në burgjet izraelite dhe ka qenë anëtar i krahut studentor të Hamasit në të kaluarën. Shtatë anëtarë të familjes së tij janë arrestuar që nga sulmet e 7 tetorit, shtoi ai.

Anëtarët e Hamasit në Bregun Perëndimor kanë qenë rregullisht në shënjestër nga forcat palestineze të sigurisë – jo vetëm ato izraelite – që kur grupi mori kontrollin e Gazës me forcë në vitin 2007, një vit pasi fitoi zgjedhjet parlamentare.

Por tani, tha Bushkar, diçka ka ndryshuar.

“Të dy, Fatahu dhe Hamasi, janë të vetëdijshëm se janë plotësues të njëri-tjetrit dhe mendoj se do të shohim një integrim të vërtetë midis dy lëvizjeve”.

“Autoriteti Palestinez e kuptoi se shënjestrimi i Hamasit nuk do ta zhdukte atë sepse është një lëvizje ideologjike e rrënjosur brenda popullit palestinez; dhe Hamasi është plotësisht i vetëdijshëm se nuk mund të krijojë një shtet të pavarur palestinez pa ndihmën e Fatahut”.

Disa figura të larta në administratën palestineze - megjithëse jo presidenti Abbas - tani po flasin hapur për përfitimet e një fronti të bashkuar politik.

Në fillim të këtij muaji, kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh tha në një intervistë për Bloomberg se rezultati i preferuar i Autoritetit Palestinez i luftës në Gaza do të ishte që Hamasi t’i bashkohej një qeverie uniteti të udhëhequr nga PA-ja.

Qossay Hamed, një ekspert në Hamas, në Universitetin Al-Quds në Ramallah, thotë se kriza në Gaza mund të përfundojë duke forcuar krahun politik të lëvizjes, në kurriz të krahut të saj ushtarak.

“Në çdo lëvizje revolucionare, duhet të ketë një korrje politike ndaj veprimeve ushtarake”, tha ai.

“Ka kaq shumë tendenca brenda Hamasit. Dhe ka përplasje të brendshme. Unë mendoj se do të ketë më shumë hapësirë për trendin politik brenda Hamasit, veçanërisht pas kësaj lufte, kur e gjithë bota nuk do të jetë tolerante ndaj tyre”.

Izraeli thotë se qëllimi i tij në Gaza është të shkatërrojë Hamasin dhe ka përjashtuar një rol të tij ose të Fatahut në qeverinë e ardhshme të Gazës.

“Nuk do të lejoj hyrjen në Gaza të atyre që mësojnë terrorizmin, mbështesin terrorizmin dhe financojnë terrorizmin”, tha të martën kryeministri Benjamin Netanyahu.

“Gaza nuk do të jetë as Hamas-stane dhe as Fatah-stane”.

Disa palestinezë privatisht thonë se çmimi i paguar nga Gaza për sulmet e Hamasit është shumë i lartë.

Por të tjerë thonë se taktikat brutale të grupit funksionuan në detyrimin e Izraelit për të liruar të burgosurit palestinezë - në krahasim me ndikimin e Autoritetit Palestinez, i krijuar 30 vjet më parë pas Marrëveshjes së Oslos, për të punuar me Izraelin për një shtet të ardhshëm palestinez.

Sipas një sondazhi të opinionit të mbajtur midis 22 nëntorit dhe 2 dhjetorit nga një institut i respektuar palestinez, Qendra Palestineze për Hulumtimin e Politikave dhe Anketave (PSR), mbështetja për Hamasin është trefishuar në Bregun Perëndimor krahasuar me tre muaj më parë.

Mbështetësit e Hamasit janë ende pakicë, por 70% e të anketuarve thanë se lufta e armatosur ishte mjeti më i mirë për t’i dhënë fund pushtimit izraelit.

Në të kundërt, mbështetja për presidentin Abbas ka rënë ndjeshëm pas sulmeve të Hamasit, sipas sondazhit, me më shumë se 90% të palestinezëve në Bregun Perëndimor që kërkojnë dorëheqjen e tij.

LEXO EDHE:

Që nga sulmet e Hamasit, tha Amjad Bushkar, “bota dhe komuniteti ndërkombëtar e kanë vendosur çështjen palestineze në listën e prioriteteve të tyre”.

E parë gjerësisht si e korruptuar dhe e paefektshme, PA-ja nuk ka qenë gjithashtu në gjendje të paguajë nëpunësit e saj civilë ose policinë që nga sulmet e Hamasit, sepse lufta në Gaza shkaktoi një përçarje mbi të ardhurat tatimore të transferuara nga Izraeli çdo muaj.

Derisa flamujt dhe parullat e Hamasit shumëfishoheshin në Bregun Perëndimor pas çdo autobusi me të burgosur palestinezë të liruar nga Izraeli, në këmbim të pengjeve izraelite të mbajtur në Gaza, presidenti i PA-së dhe forcat e sigurisë mungojnë dukshëm.

Izraeli mund të jetë i vendosur që ta mohojë fuqinë e Hamasit në Gaza, por në Bregun e pushtuar Perëndimor ndikimi i tij tashmë po përhapet.

Përktheu: Forca Jashari

Image