Autoritetet gjermane kanë ndërprerë të mërkurën kërkimet për katër marinarët e zhdukur të anijes britanike të ngarkesave, “Verity”, që u fundos në Detin e Veriut pas një përplasjeje me një anije tjetër, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Shtatë persona ishin në anijen “Verity” që po udhëtonte nga Bremeni i Gjermanisë për në portin anglez të Imminghamit. Anija u fundos pak pas përplasjes rreth orës 5 të mëngjesit. Trupi i pajetë i një marinari u gjet, ndërsa dy të tjerë u shpëtuan.
Ekipet e kërkim-shpëtimit nuk ishin në gjendje të gjenin katër marinarët tjerë që rezultojnë të zhdukur. U kërkua me anije, aeroplanë e po ashtu edhe me zhytës.
Autoritetet gjermane kanë njoftuar se temperatura e ujit në momentin e përplasjes ishte rreth 12 gradë Celsius, që nënkupton se njerëzit mund të mbijetojnë rreth 20 orë.
Komanda Qendrore e Gjermanisë për Emergjencat Detare ka thënë se e gjithë zona detare, ku mendohej se mund të gjendeshin marinarët e humbur, u kontrollua sërish gjatë natës, por pa dhënë rezultat. Kërkimet janë mbyllur.
Edhe
Dy anije përplasen në brigjet e Gjermanisë, disa të zhdukur
Komanda bëri të ditur se përpjekjet e kërkimit në sipërfaqe nuk do të rifillojnë të mërkurën, por komanda e urgjencës do të shqyrtojë se “çfarë masash mund të merren gjatë ditës rreth vendit të aksidentit”.
Anija më e madhe e ngarkesave e përfshirë në përplasje, “Polesie”, me flamurin e Bahamas, në të cilën gjendeshin 22 persona, ishte në gjendje të arrinte në portin gjerman të Cuxhavenit. Nuk ka asnjë informacion për shkakun e përplasjes.
-
Më shumë se 30 persona nxirren në breg pas përplasjes së dy anijeve në Detin e Veriut
-
Marina tajlandeze në kërkim të 30 marinarëve pas fundosjes së anijes
-
15 të vdekur nga përplasja e një anijeje me emigrantë me një anije patrullimi në Greqi
-
4 të vrarë dhe 15 të zhdukur pasi anija greke u sulmua në Detin e Kuq