Botë

15 të vdekur nga përplasja e një anijeje me emigrantë me një anije patrullimi në Greqi

Greqi

Foto: Associated Press

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vdekur nga një përplasje midis një anijeje të shpejtë që transportonte migrantë dhe një anijeje patrullimi të rojes bregdetare greke pranë ishullit lindor të Egjeut, Kios.

Një operacion kërkim-shpëtimi që përfshinte anije patrullimi, një helikopter dhe zhytës është duke u zhvilluar për persona që mund të jenë të zhdukur, raporton AP.

Trupat e 14 personave, 11 burra dhe tre gra, janë nxjerrë nga deti, ka bërë të ditur roja bregdetare, ndërsa 25 migrantë të tjerë, përfshirë rreth 11 fëmijë, janë shpëtuar dhe janë transportuar në një spital në Kios.

Në incident kanë mbetur të lënduar edhe dy oficerë të rojes bregdetare.

Një nga gratë ka vdekur më vonë në spital nga plagët e marra, ka njoftuar roja bregdetare, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në të paktën 15.

Numri i përgjithshëm i personave që ishin në bordin e motoskafit nuk dihet ende.