Burgjet amerikane dhe qendrat e ndalimit të emigracionit kanë pasur prej kohësh vështirësi në përmbushjen e nevojave mjekësore të personave që i mbajnë nën kujdes. Por, sistemi po përballet me një mbingarkesë për shkak të rritjes së numrit të ndalimeve që nga rikthimi i presidentit Donald Trump në detyrë
Një burrë shqiptar tha se dhimbja e tij u bë aq e padurueshme saqë e nxori vetë një dhëmb, ndërsa kaloi me muaj të tërë në një qendër të ndalimit të emigracionit në New Mexico. Një nënë hondurase me dy fëmijë tha se u shtrua në spital për shkak të një problemi në zemër pasi iu mohuan ilaçet për tensionin e gjakut gjatë ndalimit në Florida. Një burrë venezuelian tha se këmba e tij u bë e vjollcë dhe u ënjt nga bakteret mishngrënëse, pasi personeli i një qendre në Vermont nuk e çoi në një takim të planifikuar me mjekun.
Qindra të ndaluar në të paktën 33 shtete kanë ngritur padi ku pretendojnë se qendrat e ndalimit për emigrantë po dështojnë të ofrojnë kujdes mjekësor të përshtatshëm, sipas një hulumtimi të realizuar nga KFF Health News dhe agjencia e lajmeve Associated Press (AP). Të ndaluarit thonë se nuk i morën ilaçet në kohë, ose nuk i morën fare, për sëmundje si tensioni i lartë i gjakut, diabeti, depresioni, epilepsia, sëmundja e Parkinsonit dhe HIV-i.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKërkesat për ndihmë mbetën pa përgjigje për javë të tëra. Nivelet e sheqerit në gjak u rritën. Infeksionet u përkeqësuan. Kanceret mbetën pa trajtim. Disa të ndaluar u rrëzuan pa ndjenja ose pësuan kriza.
Burgjet amerikane dhe qendrat e ndalimit të emigracionit kanë pasur prej kohësh vështirësi në përmbushjen e nevojave mjekësore të personave që i mbajnë nën kujdes. Por sistemi po përballet me një mbingarkesë për shkak të rritjes së ndalimeve që nga rikthimi i presidentit Donald Trump në detyrë. Më shumë se 75,000 emigrantë ishin të ndaluar nga Shërbimi Amerikan i Imigracionit dhe Doganave (ICE) në mesin e janarit, krahasuar me rreth 40,000 sa ishin një vit më parë.
KFF Health News dhe AP-ja analizuan mijëra çështje gjyqësore të ngritura që nga inaugurimi i dytë i Trumpit, të cilat përdorin një procedurë ligjore të njohur si “habeas corpus” për të argumentuar se njerëzit po mbahen në mënyrë të paligjshme nga ICE-ja.
Hetimi zbuloi se pretendimet për neglizhencë mjekësore shtrihen në të gjithë sistemin e gjerë të ndalimit, përfshirë zyra që nuk janë ndërtuar për të strehuar njerëz, burgje të qarqeve dhe vende të improvizuara që mbajnë nofka si “Alligator Alcatraz”.
Studiuesit në revistën “JAMA” në prill kanë shkruar se nën kujdestarinë e ICE-së kanë vdekur më shumë persona sesa në çdo periudhë gjatë dy dekadave të fundit. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) raportoi se 51 persona kishin vdekur në ndalim që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit, ndërsa numri i vetëvrasjeve ka arritur nivele të paprecedentë.
KFF Health News dhe AP-ja i kërkuan DHS-së të komentonte gjetjet gjashtë ditë para publikimit, por nuk morën përgjigje.
Objektet individuale dhe kompanitë private të burgjeve që kanë kontrata me DHS-në dhe që iu përgjigjën kërkesave për koment thanë se ndjekin standardet e ICE-së dhe se të ndaluarit marrin kujdes mjekësor kur është e nevojshme. Disa thanë se nuk ishin në dijeni të pretendimeve të përshkruara në dokumentet gjyqësore, të tjerë fajësuan vetë të ndaluarit për mungesat në trajtimin e tyre.
“Nuk kam parë kurrë një shpërfillje ose neglizhencë mjekësore të tillë askund”, ka shkruar në mars në një deklaratë gjyqësore Vardan Gukasian, një disident politik dhe ish-ndihmës mjek nga Armenia, i cili kishte kaluar vite në burgje në vendin e tij. Ai po kundërshtonte ndalimin e tij në Henderson, Nevada, që kishte zgjatur 13 muaj, pavarësisht problemeve të tij shëndetësore.
Madeleine Skains, zëdhënëse e qytetit të Hendersonit, ka thënë se kujdesi mjekësor është gjithmonë i disponueshëm në objekt, dhe se gjykata nuk kishte urdhëruar ndryshime në trajtimin e tij.
Qershorin e kaluar, ndërsa Gukasian po përjetonte simptoma të tensionit të pakontrolluar të gjakut, marramendje, gjakderdhje nga hunda dhe dhimbje koke, shoku i tij i qelisë kishte goditur derën duke kërkuar ndihmë.
“Kur ndihma nuk erdhi, pjesa tjetër e bllokut filloi të godiste dyert”, ka shkruar ai. Gukasian u shtrua në spital po atë ditë.
“Shpërfillje e hapur ndaj problemeve të dukshme”
Fushata e administratës për deportime masive ka përfshirë qindra mijëra njerëz gjatë paraqitjeve rutinë pranë autoriteteve të emigracionit, në kontrolle trafiku, në shtëpitë e tyre dhe madje edhe në spitale.
Rreth 70% e të ndaluarve nuk kanë asnjë dënim penal. Procedurat e tyre të emigracionit janë civile, jo penale.
“Nuk mund ta kuptoja pse më trajtonin kaq ashpër”, ka thënë një baba me gjashtë fëmijë nga Georgia. Ai ka thënë se ishte lënduar ndërsa ishte i prangosur, kur automjeti që po e transportonte drejt një objekti në Atlanta bëri një lëvizje të fortë, duke e hedhur nga sedilja dhe duke e përplasur në një mbështetëse metalike. Plaga e tij u infektua me bakterin E. coli sepse, sipas tij, iu desh të flinte në një dysheme të pistë prej betoni pranë tualeteve që rridhnin.
Ashtu si të ndaluarit e tjerë të intervistuar, ai ka folur në kushte anonimiteti, duke thënë se kishte frikë për sigurinë e tij, të familjes së tij ose se dalja publike mund të dëmtonte çështjen e tij të emigracionit në gjykatë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, personeli i qendrës “Stewart Detention Center” në Lumpkin të Georgias nuk iu përgjigj në mënyrë adekuate kërkesave të tij për ndihmë mjekësore derisa ai humbi ndjenjat dhe u dërgua në një spital rreth një orë larg. Atje, sipas tij, një mjek i kishte thënë se kishte shpëtuar për pak nga amputimi i këmbës së majtë.
48-vjeçari, i cili kishte emigruar nga Guatemala në SHBA më shumë se dy dekada më parë, u lirua në tetor dhe tani është rezident i përhershëm ligjërisht. Megjithatë, ai nuk është i sigurt nëse do të mund të kthehet në punën e tij në ndërtimtari, pasi thotë se nuk mund të ngrejë më pesha për shkak të dëmtimit.
Disa të ndaluar ose avokatët e tyre kanë thënë se edhe kujdesi bazik u ishte mohuar: mjete për të mbuluar një plagë të hapur në këmbë, kujdes prenatal për një shtatzëni me rrezik të lartë, një jastëk për të lehtësuar dhimbjen nga kanceri i avancuar i stomakut dhe peceta higjienike për gjakderdhje pas lindjes.
“Do të doja të besoja se qeveria ka interesin më të mirë për njerëzit që mban në ndalim, pavarësisht kohëzgjatjes”, ka thënë gjyqtarja federale, Benita Pearson, gjatë një seance në tetor.
Dora Schriro, ish-zyrtare e ICE-së dhe tani këshilltare pranë Shoqatës Amerikane të Avokatëve, ka thënë se jurisprudenca kërkon që qeveria t’i trajtojë personat në ndalim emigracioni me të njëjtin kujdes si ata që ndodhen në burgje tradicionale në pritje të gjykimit. Megjithatë, administratorëve u lihet hapësirë për vendimmarrje dhe standardet e kujdesit mjekësor ndryshojnë.
Të ndaluarit transferohen shpesh nëpër vend, shpesh pa paralajmërim, duke ndërprerë trajtimin e tyre. Një grua nga Salvadori ka thënë se kishte humbur një javë të tërë mjekimi për HIV kur u transferua nga Kolorado në një burg qarku në Wyoming.
Një burrë rus ka shkruar se kishte takuar një gastroenterolog për gurët e tëmthit ndërsa mbahej në Teksas dhe kishte caktuar një takim me kirurgun.
“Fatkeqësisht, nuk arrita kurrë ta takoj, për shkak se vazhdimisht më transferonin nga një qendër ndalimi në tjetrën”, ka treguar ai.
Një i ndaluar që kishte humbur njërin sy dhe vuante nga glaukoma e rëndë në syrin tjetë, kishte nevojë për pika sysh dy herë në ditë për të ruajtur shikimin që i kishte mbetur. Por, sipas tij, disa ditë pikat nuk i silleshin fare.
“Tani mund të shoh vetëm pak përpara meje. Shpesh më duket sikur po shoh përmes një materiali të hollë”, ka shkruar ai në një deklaratë gjyqësore. “Kjo më frikëson shumë, sepse kam frikë se një ditë do t’i hap sytë dhe nuk do të mund të shoh më asgjë”.
Ai kishte shkruar se kishte frikë se nuk do të mund ta shihte djalin e tij foshnjë duke u rritur.
“Më parë mund të përpiqeshe të bashkëpunoje me zyrtarët e qeverisë dhe ndoshta t’i bëje të turpëroheshin për të bërë gjënë e duhur. Tani duket sikur për çdo gjë që dëshiron të realizosh, duhet të shkosh në gjykatë dhe të ngresh padi”, ka thënë avokati i tij, Brian Hoffman.
Edhe urdhrat e gjykatës nuk janë gjithmonë të mjaftueshëm. Një gjykatës në Kaliforni urdhëroi qeverinë që ta dërgonte te një specialist një burrë që shfaqte shenja të kancerit të prostatës për diagnostikim dhe trajtim. Dokumentet tregojnë se ai nuk u dërgua.
Avokatët që përfaqësonin ICE-në i kanë thënë gjykatës se takimi ishte humbur për shkak të një “gabimi të brendshëm në planifikim”.
Rritje e madhe e rasteve në gjykatë
Kur emigrantët paraqesin kërkesa “habeas corpus”, ata ushtrojnë një të drejtë për të kundërshtuar burgosjen e paligjshme, e cila daton që nga Mesjeta.
Gjatë mandatit të dytë të Trumpit janë depozituar mbi 40 mijë kërkesa të tilla, kryesisht si reagim ndaj vendimeve të marra vitin e kaluar për t’ua mohuar lirimin me kusht shumë personave të ndaluar për çështje emigracioni. Gjyqtarët mbeten të ndarë sa i përket ligjshmërisë së këtyre masave dhe pritet që çështja të përfundojë për shqyrtim në Gjykatën Supreme.
Shumë nga këto kërkesa kanë rezultuar të suksesshme, por gjyqtarët zakonisht bazohen në arsye të tjera, jo në neglizhencën mjekësore të përshkruar në peticione, si për shembull mbajtja e personave për një kohë tepër të gjatë para deportimit.
Më shumë se 300 pretendimet për neglizhencë mjekësore të identifikuara nga ky hetim përfaqësojnë vetëm një pjesë të problemit. Detajet e çështjeve “habeas corpus” shpesh mbeten të fshehura për publikun për shkak të një rregulli federal që ndalon publikimin online të këtyre dokumenteve.
Disa gjyqtarë kanë shkruar se procedura “habeas corpus” nuk është mënyra e duhur për të ngritur pretendime për neglizhencë mjekësore dhe kanë refuzuar lirimin e të ndaluarve mbi këtë bazë.
Duke parë të dashurit teksa përkeqësohen
Të ndaluarit që marrin kujdes të pamjaftueshëm mjekësor kanë shumë pak mundësi ankese.
Vitin e kaluar, DHS-ja ka dobësuar ndjeshëm Zyrën e Ombudspersonit për Ndalimin e Emigrantëve. Në fillim të majit, zyra është mbyllur plotësisht, me arsyetimin e mungesës së fondeve nga Kongresi.
Më parë, punonjësit e Ombudspersonit mund të ndihmonin në sigurimin e kujdesit mjekësor ose të hetonin ankesat për neglizhencë, sipas Matt Boles, një avokat emigracioni në Georgia. Tani, ka thënë ai, nuk është më askush për t’u telefonuar.
Ndërkohë, familjet e të ndaluarve thonë se ndihen të pafuqishme, të dëshpëruar nga telefonatat që bëjnë drejt qendrave të ndalimit, qeverisë dhe përfaqësuesve politikë, ndërsa shohin që gjendja e të afërmve të tyre po përkeqësohet.
Riya Khan ka parë nënën e saj të sëmurej gjithnjë e më shumë në California City Detention Facility, një objekt në pronësi të “CoreCivic”.
Masuma Khan kishte ardhur në SHBA nga Bangladeshi në vitin 1997. Sipas dokumenteve, ajo nuk ka asnjë precedent penal dhe u ndalua në tetor kur u paraqit në kontrollin e saj rutinë pranë ICE-së.
Gjatë muajit që qëndroi e ndaluar, sipas vajzës së saj, ajo mori vetëm herë pas here ilaçet për tensionin e lartë, hipotiroidizmin dhe prediabetin.
Para se të ndalohej nga ICE-ja, Masuma Khan ishte një person shumë i shoqërueshëm, ka thënë vajza e saj. Ajo kishte punuar për vite me radhë në Lucky Boy, një restorant i njohur i ushqimit të shpejtë në Pasadena.
Tani ajo ka shumë frikë të dalë jashtë. Ajo ende duhet të paraqitet rregullisht pranë ICE-së dhe, sipas vajzës së saj, përjeton ankth sa herë që afrohet dita e paraqitjes.
Në të kaluarën, personat e ndaluar me probleme serioze shëndetësore shpesh liroheshin për arsye humanitare, pjesërisht për të shmangur kostot e larta të trajtimit, ka thënë avokati nga Vermonti, Andrew Pelcher.
Në vitin fiskal 2023, para se numri i të ndaluarve të rritej ndjeshëm, ICE-ja ka shpenzuar më shumë se 390 milionë dollarë për kujdesin shëndetësor të shtetasve të huaj të ndaluar, sipas raportit të saj më të fundit drejtuar Kongresit. Në një konferencë në maj, drejtori i përkohshëm i atëhershëm, Todd Lyons, ka thënë se ICE-ja ka shpenzuar “gati gjysmë miliardi dollarë” për kujdesin shëndetësor të të ndaluarve vetëm atë vit.
Tani, nën politikën e ashtuquajtur “ndalim i detyrueshëm”, avokatët thonë se shumë njerëz po mbahen të mbyllur pavarësisht sëmundjeve serioze dhe trajtimeve të kushtueshme që u nevojiten.