Botë

Për diplomatët rusë dezinformimi është pjesë e punës

Teksa qeveritë dhe rrjetet sociale kanë ndërmarrë veprime për ta ndaluar median shtetërore të Rusisë dhe përhapjen e dezinformatave për luftën në Ukrainë, diplomatët e Kremlinit po mundohen ta vazhdojnë atë, shkroi AP të martën.

Ambasadat ruse dhe konsullatat në botë po përdorin Facebookun, Twitterin dhe platformat e tjera për t’u shfajësuar për krimet duke u përpjekur ta minojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për Ukrainën.

Kompanitë e teknologjisë janë përgjigjur duke ua shtuar kufizimet diplomatëve rusë dhe duke fshirë llogaritë nga rekomandimet dhe rezultatet e kërkimeve. Por, llogaritë janë ende aktive dhe po shpërndajnë dezinformata dhe propagandë në gati çdo shtet, sepse statusi i tyre diplomatik u jep një mbrojtje nga përmbajtja e kufizuar.

Me qindra llogari të rrjeteve sociale në çdo kontinent, trupi diplomatik i Rusisë vepron si një rrjet global për propagandë, në të cilin të njëjtat pretendime mund të modifikohen për audienca të ndryshme në vende të ndryshme. Dhe, deri më tani, hapat për të kufizuar këtë përpjekje kanë dështuar.

“Çdo javë që nga fillimi i luftës këta diplomatë kanë publikuar mijëra herë, duke marrë mbi 1 milion reagime në Twitter në javë”, ka thënë Marcel Schliebs, studiues për dezinformatat në Universitetin e Oxfordit.

Ai ka gjetur më shumë se 300 llogari në rrjetet sociale të lidhura me ambasadat ruse, konsullatat dhe grupe diplomatike.

Disa ambasada ruse, si ajo në Britani dhe Mexico, janë shumë aktive duke nxitur propagandën pro-ruse dhe duke përhapur lajme të rreme në mbështetje të pushtimit.

Sulmi raketor rus në një stacion hekurudhor të Ukrainës që vrau 50 persona? Ukrainasit ishin prapa tij, shkroi Ambasada ruse në Britani. Krime lufte nga Rusia? Është një komplot nga Britania që ta bëjë Rusinë të duket keq, pretendoi ambasada. Ushtarët ukrainas luftojnë për shtetin e tyre? Ata në të vërtetë janë nazistë që operojnë nën urdhrat e SHBA-së, pretendoi sërish ambasada.

Ambasada ruse në Londër shkroi për këto dhe teori të tjera konspirative në një ditë të vetme javën e kaluar. Secili postim mori qindra e mijëra ripostime, komente dhe pëlqime, përfshirë dhjetëra të tjerë përdorues të Twitterit që shtynë përpara propagandën.

“Ata duhet ta dinë më mirë, por kështu është të jetosh dhe punosh për një regjim totalitar”, ka thënë Nicholas Cull, profesor në Universitetin e Californias.

Diplomatët rusë veçanërisht janë njohur prej kohësh për përhapje të dezinformatave të Kremlinit. Diplomatët rusë përdorën rrjetet sociale për të përhapur dezinformatat për pushtimin e Krimesë më 2014 dhe për helmimin e disidentëve rusë.

Statusi i tyre si përfaqësues të një qeverie të huaj u ka dhënë shpesh lirinë e shprehjes.

Madje, nganjëherë ata përpiqen ta rishkruajnë historinë, ashtu siç bënë më 2019, kur diplomatët rusë në llogaritë e tyre përdorën hashtagun #truthaboutëëii për të shtrembëruar paktin fillestar për të mos sulmuar të ish-bashkimit sovjetik me Gjermaninë naziste. Ajo fushatë dezinformuese u zbulua nga studiues të cilët thanë se diplomatët rusë luajnë një rol kyç, bashkë me median shtetërore në aparatin e sofistikuar të dezinformimit të shtetit.

“Kremlini tenton ta përdorë një model propagande”, konkluduan studiuesit e këshillit atlantik.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, kompanitë teknologjike dhe madje edhe qeveritë kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar rrjedhjen e dezinformatave që vijnë nga media e kontrolluar nga Rusia. Bashkimi Evropian ndaloi RT-në dhe Sputnikun. Meta ndaloi ato nga platformat që ka në pronësi, përfshirë Facebookun dhe Instagramin.

Një rritje e theksuar e propagandës pro-ruse sa i përket Ukrainës nisi në javët dhe muajt para se të niste pushtimi në shkurt.

Llogaritë po publikonin rreth 2000 herë në javë menjëherë pas pushtimit, duke rezultuar në mbi 1 milion pëlqime, rishpërndarje dhe komente, sipas Schliebs.

Twitteri dhe Facebooku kanë shtuar cilësimin “organizatë qeveritare ruse” në shumë prej këtyre llogarive për të siguruar se përdoruesit e dinë burimin e informacionit. Por, Schliebs gjeti se shumë llogari ende nuk kanë cilësim të tillë: nga rreth 300 llogari që ai ka shikuar, vetëm 1/3 e kanë cilësimin.

Një zëdhënës i Twitterit ka thënë se kompania tashmë ka kufizuar 260,000 postime nga llogari ruse që nga 28 shkurti dhe se po vazhdon të shtojë të tjera.

Schliebs krahasoi përgjigjen e kompanive teknologjike ndaj pushtimit rus me veprimet e tyre ndaj zgjedhjeve në SHBA të 2020-s, 6 janarit 2021, sulmit në Capitol dhe pandeminë me covid-19. Atëherë presidenti Donald Trump u hoq nga Twitteri për nxitje të dhunës para trazirave të 6 janarit. Por, diplomatët rusë – ata kanë përhapur teori të egra konspirative dhe fajësojnë ukrainasit për krimet ruse – vazhdojnë të qëndrojnë.

Meta ka ndërmarrë ndryshime të ngjashme për t’i kufizuar llogaritë e diplomatëve rusë dhe të zvogëlojnë rritjen e tyre në platformat e saj.

Muajin e kaluar, kompania fshiu një postim të shpërndarë nga diplomatët rusë që sugjeroi se sulmi vdekjeprurës mbi një spital të fëmijëve në Mariupol ishte mashtrim.

Schliebs ka thënë se ka një rrezik në ashpërsinë e platformave si Facebooku dhe Twitteri ndaj llogarive të diplomatëve. Një, mund ta përkeqësojë armiqësinë me kompanitë teknologjike amerikane. (Facebooku është cilësuar si organizatë “ekstremiste”.) Por, mund edhe t’i detyrojë Rusinë dhe mbështetësit e saj drejt një platformë më pak transparente si telegrami, ku studiuesit dhe rregullatorët nuk mund të shohin çfarë thonë ata.

Është një ndryshim për të cilin diplomatët rusë po përgatiten, ndërsa Ambasada ruse në Britani shkroi javën e kaluan.

“Njihuni me familjen tonë diplomatike në telegram”, shkroi ajo.

{gallery}