Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Presion kolosal: Si po i synon Rusia studentët universitarë për rekrutim ushtarak

Rekrutimi rus

Rusia po intensifikon përpjekjet për rekrutimin ushtarak duke synuar studentët universitarë me premtime për përfitime dhe aftësime teknologjike, por edhe me presion të drejtpërdrejtë. Dëshmitë sugjerojnë se universitetet po përdoren si kanale aktive për të shtyrë të rinjtë drejt luftës në Ukrainë, mes sfidave në rritje për mbajtjen e nivelit të rekrutimeve.

“Gjithçka ndryshoi këtë vit”.

“Të gjithë personat ‘më të rëndësishëm’ në universitet tani po u bëjnë thirrje studentëve të shkojnë në luftë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në të gjithë universitetin ka posterë për forcat e dronëve (UAV), kudo”.

“Presioni është kolosal”.

Këto janë të gjitha citime nga studentë rusë në mesazhe direkte drejtuar CNN-it.  CNN nuk i përmendi emrat e tyre, apo të universiteteve ku studiojnë, nga frika e ndëshkimeve, por rrëfime të tilla, së bashku me një numër në rritje provash të hapura, sugjerojnë se Rusia po përshkallëzon në heshtje një fushatë për të tërhequr dhe për të ushtruar presion mbi studentët që të bashkohen me forcat e saj të dronëve.

Kjo është një lëvizje që rrezikon të krijojë tensione në sistemin arsimor rus dhe që zbulon sfidat në rritje për Moskën në ruajtjen e nivelit të rekrutimit për luftën e saj katërvjeçare në Ukrainë.

Pavarësisht humbjeve në rritje në fushëbetejë, Kremlini ka arritur të shmangë një përsëritje të mobilizimit të tij të dështuar “të pjesshëm” në vjeshtën e vitit 2022, gjatë të cilit qindra mijëra burra u larguan nga vendi. Por ekspertët thonë se kjo fushatë e fokusuar te studentët është një nga disa shenjat që tregojnë se taktikat më agresive të rekrutimit po rikthehen.

Kjo është ndryshe nga përpjekjet e mëparshme: studentëve po u premtohet një kontratë me afat të caktuar njëvjeçar, mundësia për të shërbyer larg vijës së frontit dhe shansi për të mësuar aftësi të teknologjisë së lartë.

Megjithatë, ekspertë dhe juristë i thanë CNN-it se kjo ka shumë gjasa të jetë një mbulesë për një kontratë standarde ushtarake, pa afat të caktuar, dhe duke qenë se shumë studentë janë skeptikë ndaj stimujve të premtuar, sipas tyre, universitetet po ushtrojnë presion dhe po përdorin kërcënime për t’i bindur ata të regjistrohen.

Oferta për studentët

Duke analizuar faqet e universiteteve, rrjetet sociale dhe raportimet në media lokale, si dhe duke folur me disa studentë brenda Rusisë, CNN ka gjetur prova për një fushatë të gjerë dhe të shumanshme rekrutimi. Kjo përpjekje duket se ka filluar seriozisht në janar, dy muaj pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shpalli zyrtarisht krijimin e një dege të re ushtarake, Forcat e Sistemeve të Paekipuara, të dedikuara për luftën me mjete ajrore pa pilot (UAV), ose dronë.

Universitetet në të gjithë Rusinë filluan të mbushnin llogaritë e tyre në rrjetet sociale me video rekrutimi të kuruara mirë dhe posterë. Disa llogari universitare madje shfaqnin ligjërata nga ushtarë dhe veteranë të asaj që Rusia e quan “operacioni special ushtarak” (SMO).

Groza, një media e pavarur ruse e fokusuar te studentët, i ka ndarë gjithashtu CNN-it bazën e saj të të dhënave me 269 universitete dhe kolegje në Rusi dhe në Ukrainën e pushtuar, të cilat, sipas saj, janë të përfshira në këtë fushatë rekrutimi, bazuar në informacione të hapura dhe në kontaktet direkte me studentët.

Mes tyre përfshihen disa nga universitetet më prestigjioze të Rusisë. Universiteti Shtetëror i Shën Petersburgut (ku ka studiuar edhe vetë presidenti rus Vladimir Putin) i reklamon hapur këto kontrata në faqen e tij, së bashku me ligjërata të gjata video nga personeli universitar dhe ushtarak që shpjegojnë përfitimet e bashkimit.

Shkolla e Lartë e Ekonomisë në Moskë, e renditur në vendin e dytë në listën e Forbes për universitetet më të mira ruse për vitin 2025, organizoi një “Festival të Sistemeve të Paekipuara” në shkurt, ku posterët e rekrutimit për forcat e dronëve ishin qartë të ekspozuar.

Mesazhet janë qartazi të përshtatura për të rinjtë. “Të thanë se po humbisje kohë me videolojëra”, thotë zëri në sfond në një video të shpërndarë në VK (versioni rus i Facebookut) nga Universiteti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë Civile në Kazan. “Por ekziston një vend ku përvoja jote është veçanërisht e vlefshme”.

Një video nga kampusi i Universitetit Ekonomik Plekhanov në Volgograd tregon një ekran të ndarë: një lojtar në njërën anë dhe një operator droni në anën tjetër. Mbishkrimi thotë: “zgjidh pamjen e duhur”. Disa nga postimet e rekrutimit të analizuara nga CNN tregojnë se “lojtarët e e-sporteve” ose “gamers” do të kenë përparësi gjatë aplikimit.

Artem Klyga, një avokat ushtarak rus me bazë në Berlin, pretendon se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka dhënë udhëzime specifike për universitetet se si të zhvillohet kjo fushatë. Ai ka publikuar dokumente në kanalin e tij në Telegram, për të cilat thotë se i ka marrë nga një universitet në Moskë, përfshirë një letër të përgjithshme drejtuar “drejtuesve të qendrave të trajnimit ushtarak në institucionet federale të arsimit të lartë”, ku kërkohet që ata, “së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, të organizojnë fushata për studentët… dhe të raportojnë çdo ditë në drejtorinë kryesore të personelit në Ministrinë e Mbrojtjes”.

“Udhëzimet” përshkruajnë stimujt që duhet t’u ofrohen studentëve, si meshkuj ashtu edhe femra, përfshirë “një rrezik më të ulët për t’u përballur me zjarrin e armikut” dhe përfitimin e “njohurive dhe aftësive unike”. Këto premtime janë qartë të dukshme në materialet e rekrutimit të universiteteve që ka analizuar CNN.

Dokumentet gjithashtu kërkojnë stimuj financiarë të konsiderueshëm, me bonuse fillestare federale dhe rajonale jo më pak se 400.000 rubla secila. Disa universitete shkojnë shumë më tej. Universiteti Shtetëror i Shën Petersburgut premton një pagesë të menjëhershme prej rreth 56.000 dollarësh për ata që bashkohen me ushtrinë dhe një pagë bazë vjetore prej afërsisht 70.000 dollarësh.

Pagesa është e vetmja gjë që ka gjasa të realizohet, tha Klyga. “Gjithçka tjetër është gënjeshtër. Kjo është një kontratë e thjeshtë me ushtrinë ruse, pa afat, pa kushte të veçanta”, tha ai për CNN.

Sipas Klygas dhe ekspertëve të tjerë e juristëve të konsultuar nga CNN, Putin nuk e ka anuluar kurrë dekretin për mobilizimin e pjesshëm që ai nënshkroi në shtator 2022, edhe pasi u përfundua rekrutimi fillestar i 300.000 burrave dhe aktivitetet e mobilizimit u pezulluan. Ky dekret përcakton qartë se “kontratat e shërbimit ushtarak, të nënshkruara nga personeli, mbeten në fuqi derisa periudha e mobilizimit të pjesshëm të përfundojë”.

“Është një kurth”, tha Sergey Krivenko, drejtues i organizatës për të drejtat e njeriut “Qytetari. Ushtria. Ligji.”, e cila merret me ndihmën për ushtarët dhe rekrutët. “Kur të përfundojë viti, studenti (tashmë një ushtarak) nuk do të lirohet, ashtu siç nuk lirohen as ushtarakët e tjerë kontratat e të cilëve kanë skaduar”.

Premtimi për një rrezik më të ulët nga zjarri i armikut gjithashtu nuk është i zbatueshëm, thonë ekspertët. “Sapo një person nënshkruan kontratën, ai në thelb bëhet i varur plotësisht nga Ministria e Mbrojtjes”, tha Grigory Sverdlin, i cili drejton një organizatë kundër luftës të quajtur “Idite Lesom” (“Shkoni në pyll”), që ndihmon rusët të shmangin rekrutimin. “Ai mund të dërgohet në çdo njësi ku Ministria e Mbrojtjes ka nevojë. Nuk ka asnjë mënyrë për të zgjedhur”.

Dështon në shkollë, shko në luftë

Ende nuk është e qartë se sa studentë janë rekrutuar me sukses përmes kësaj fushate. Në sesionin e tij vjetor të pyetje-përgjigjeve në fund të vitit, në dhjetor, Putini deklaroi se aq shumë rusë, përfshirë edhe studentë, dëshironin të bashkoheshin me Forcat e Sistemeve të Paekipuara, saqë Ministria e Mbrojtjes u detyrua të organizonte një konkurs për përzgjedhjen e aplikantëve. CNN i është drejtuar Ministrisë ruse të Mbrojtjes për të pyetur mbi shifrat dhe kushtet e kontratave.

Megjithatë, asnjë nga studentët me të cilët ka folur CNN-i nuk ka thënë se u beson premtimeve të Kremlinit.

Në disa raste, studentëve që rrezikojnë të dështojnë në lëndët e tyre u paraqitet ideja se bashkimi me forcat e dronëve është mënyra e vetme për të shmangur përjashtimin nga universiteti. Një student i tha CNN-it se ishte thirrur në një takim në grup, i cili ishte vetëm për ata që kishin kredite të papërfunduara – qoftë detyra kursi apo provime (të njohura në rusisht si “borxhe”) – dhe që kishin mbetur prapa. “Ata e lanë të kuptohej shumë qartë se kjo do të ishte e dobishme për ata që kanë shumë borxhe”, tha ai.

Një tjetër student tha se një ditë, disa javë më parë, zyra e studentëve në universitetin e tij “pothuajse përjashtoi një të tretën e grupit tonë dhe i detyroi të nënshkruanin një kontratë në vend për të ruajtur vendin e tyre”. Ai i dërgoi CNN-it mesazhe nga një bisedë grupi mes studentëve në atë ditë.

“Ajo po përjashton këdo që ka qoftë edhe një detyrim të papërfunduar nga viti i dytë - kjo është marrëzi!” tha njëri në një mesazh audio.

Një tjetër i këshillon studentët në grup që të mos nënshkruajnë asgjë nëse thirren.

Një student i tretë në bisedë, i cili pranon se tashmë është përjashtuar, përgjigjet: “Do të jetë shumë vonë, ata do të nënshkruajnë të gjitha urdhrat; ata që janë në rrezik për ushtrinë ose do të shkojnë në shërbimin e detyrueshëm dhe aty do t’i detyrojnë të nënshkruajnë një kontratë, ose nënshkruani tani dhe do të operoni dronë 30-40 km larg nga pika më e nxehtë, këto janë fjalët e (drejtuesit të zyrës së studentëve)”.

Disa studentë kanë sugjeruar se universitetet po shkurtojnë gjithashtu afatet për përfundimin e detyrave, duke e bërë më të vështirë kalimin e lëndëve.

“Në fillim të marsit, të gjithë ata që kishin detyrime të papërfunduara u njoftuan se afati për dorëzimin e tyre ishte 31 marsi; edhe nëse mbetej vetëm një detyrë e papërfunduar, ata do të përjashtoheshin”, i tha një student CNN-it.

Një tjetër i tha CNN-it se një anëtar i stafit në universitetin e saj kishte filluar të kërkonte studentët më të cenueshëm të vitit të parë - ata që kishin probleme me shëndetin mendor ose që po hasnin vështirësi në përshtatje dhe t’i synonte në mënyrë specifike. Fillimisht, studentët ftoheshin për një “bisedë personale,” i tha studenti CNN-it, “pa asnjë detaj për takimin dhe me kërkesën për të mos i treguar askujt.” Më pas, atyre u thuhej se kjo ishte mënyra më e mirë për të shmangur borxhet financiare në rritje dhe për të garantuar që nuk do të dështonin në studimet e tyre, një qasje që studenti e përshkroi si “abuzim emocional”.

Presioni në rekrutim

Rusia, deri vonë, ka arritur të sigurojë mjaftueshëm rekrutë të rinj për të zëvendësuar humbjet në vijën e frontit, duke u mbështetur në një sistem pagash dhe shpërblimesh të larta, si dhe në fushata më të fshehta dhe shpesh detyruese apo mashtruese që synojnë grupe të caktuara, si të burgosurit dhe të huajt.

Megjithatë, ka shenja se ky sistem nuk është më i mjaftueshëm. Zyrtarë perëndimorë vlerësuan në shkurt se Ukraina kishte arritur t’i shkaktonte Rusisë humbje që tejkalonin ritmin e rekrutimit për disa muaj radhazi. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se deri në fund të marsit Rusia kishte humbur 89.000 trupa (të vrarë dhe të plagosur rëndë) gjatë vitit 2026 dhe kishte arritur të rekrutonte vetëm 80.000 gjatë së njëjtës periudhë. Rusia nuk publikon shifra për humbjet e saj.

Në fund të vitit të kaluar, Putini nënshkroi disa dekrete që lejojnë thirrjen e pjesëtarëve të rezervës ushtarake për detyra dhe trajnime specifike, një veprim që analistët nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW), një institut kërkimor në Uashington, kanë paralajmëruar se mund të hapë rrugën për mobilizime të vazhdueshme, të detyruara ose të fshehta.

“Kjo është një shenjë shumë e dukshme se Kremlini po përpiqet të zgjerojë kompetencat e tij për të aplikuar forma edhe më detyruese të rekrutimit se më parë, diçka që Kremlini është përpjekur ta shmangë maksimalisht në të kaluarën,” tha për CNN Kateryna Stepanenko, drejtuese e ekipit për Rusinë në ISW.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pranoi javën e kaluar se fushata e rekrutimit për Forcat e Sistemeve të Paekipuara është në zhvillim e sipër, duke e quajtur atë “një ofertë plotësisht të hapur për një degë të re të ushtrisë.”

Megjithatë, synimi i votuesve më të rinj të mundshëm të vendit dhe shndërrimi i universiteteve, të cilat tradicionalisht në Rusi janë parë si vende të sigurta nga rekrutimi ushtarak – në kanale rekrutimi, bart rrezik politik për Kremlinin, thonë ekspertët.

“Studentët e kuptojnë çfarë po ndodh, në pjesën më të madhe, dhe nuk e pëlqejnë këtë shtypje nga autoritetet”, tha Klyga. “Me këto veprime, ata nuk po krijojnë një grup mbështetësish të regjimit aktual politik”.

“Institucionet shtetërore tani janë bërë burim kërcënimi, të mbushura me propagandë, duke dëmtuar të rinj që deri dje ishin nxënës shkolle”, i tha një student CNN-it.

“Për mua, në përgjithësi, çdo vit që kalon duket më i frikshëm se ai paraardhës” tha një tjetër.