Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pse duhet t’i përfshijmë kërpudhat më shpesh në ushqimin tonë?

Kërpudhat

Kërpudhat

Kërpudhat janë një ushqim që shpesh nënvlerësohet, megjithëse ofrojnë shumë përfitime shëndetësore. Ato kanë pak kalori, pothuajse aspak yndyrë dhe sheqer, ndërsa përmbajnë vitamina, minerale dhe fibra të rëndësishme për organizmin, ka shkruar The Guardian.

Sipas dietologes Krystle Zuniga, përfshirja e llojeve të ndryshme të kërpudhave në dietën e përditshme mund të ndihmojë në forcimin e imunitetit, shëndetin e zemrës dhe funksionimin e mirë të sistemit tretës.

“Shpesh mendoj për to sikur janë perime të harruara”, ka thënë ajo.

Pse janë kaq të shëndetshme kërpudhat?

Kërpudhat kanë shumë pak kalori dhe janë një alternativë e mirë për personat që duan të ushqehen shëndetshëm ose të reduktojnë konsumin e mishit.

Për shkak të shijes së tyre karakteristike, ato mund të zëvendësojnë një pjesë të mishit të grirë në përgatitjen e qofteve, salcave për makarona apo takove. Dietologu Robert Beelman ka sugjeruar që deri në gjysmën e sasisë së mishit të grirë në këto receta mund ta zëvendësojmë me kërpudha të grira.

Megjithatë, kërpudhat nuk janë burim i pasur proteinash dhe nuk mund të zëvendësojnë plotësisht vlerat ushqyese të mishit.

Një nga përfitimet kryesore të tyre është përmbajtja e fibrave, veçanërisht beta-glukaneve, të cilat ndihmojnë në uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak dhe mund të mbështesin sistemin imunitar.

Ato përmbajnë gjithashtu kitinë, një lloj fibre që ndihmon në ushqyerjen e baktereve të dobishme në zorrë.

Kërpudhat janë gjithashtu burim i kaliumit, i cili ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut, selenit, i rëndësishëm për funksionimin e gjëndrës tiroide, si dhe vitaminave të grupit B, që ndihmojnë metabolizmin dhe funksionimin normal të qelizave.

Pse lidhen kërpudhat me vitaminën D?

Një nga veçoritë më interesante të kërpudhave është përmbajtja e vitaminës D, një vitaminë e rëndësishme për shëndetin e eshtrave, sistemin imunitar, humorin dhe gjumin.

“Ato janë ndër burimet e pakta ushqimore bimore që mund të ofrojnë këtë vitaminë. Kjo është e rëndësishme sidomos gjatë dimrit, kur ekspozimi ndaj diellit është më i kufizuar”, ka thënë dietologia Marisa Moore.

Disa kërpudha trajtohen me rreze ultravjollcë (UV), proces që rrit përmbajtjen e vitaminës D. Edhe në kushte shtëpie mund të përfitoni nga ky proces, mjafton t’i vendosni kërpudhat me pjesën e poshtme të hapur nga dielli, për rreth 15 deri në 60 minuta gjatë mesditës.

Sipas studimeve, ekspozimi në diell ndihmon në rritjen e vitaminës D në kërpudha, megjithëse sasia përfundimtare varet nga lloji i kërpudhës dhe kushtet e ekspozimit.

Nevoja mesatare ditore për vitaminë D te të rriturit është rreth 15 mikrogramë. Një filxhan kërpudha të trajtuara me rreze UV ose të ekspozuara në diell mund të sigurojë një pjesë të madhe të kësaj sasie.

A ndihmojnë kërpudhat në parandalimin e kancerit?

Disa studime kanë vërejtur se personat që konsumojnë më shumë kërpudha mund të kenë rrezik më të ulët për disa lloje kanceri, përfshirë kancerin e gjirit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ende nevojiten studime të mëtejshme për të vërtetuar nëse kërpudhat kanë një efekt të drejtpërdrejtë në parandalimin e kancerit.

“Ato përmbajnë antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet. Një prej përbërësve më interesantë është ergothioneina, një antioksidant që gjendet në sasi të konsiderueshme te kërpudhat”, ka thënë Zuniga.

Ky përbërës po studiohet për rolin e mundshëm në mbrojtjen e trurit, shëndetin e zemrës dhe ngadalësimin e proceseve që lidhen me plakjen.

Disa kërkime kanë vërejtur se nivelet më të ulëta të ergothioneinës në gjak lidhen me rrezik më të lartë për probleme të kujtesës, sëmundje neurodegjenerative dhe dobësim të organizmit. Megjithatë, ende nuk është vërtetuar se konsumimi i këtij antioksidanti i parandalon drejtpërdrejt këto probleme.

A duhet të përdorim edhe suplemente me kërpudha?

“Në treg gjenden shumë suplemente që përmbajnë ekstrakte të ndryshme kërpudhash dhe reklamohen për përfitimet e tyre shëndetësore”, ka thënë Zuniga.

Megjithatë, ekspertët këshillojnë kujdes, pasi jo të gjitha suplementet kanë përbërje dhe cilësi të garantuar. Për këtë arsye, rekomandohet që përfitimet ushqyese të kërkohen fillimisht përmes ushqimeve natyrale.