Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pas tërheqjes, Rusia rrit presionin mbi Khersonin

Forcat ruse lëshuan 33 raketa në objektiva civile në qytetin ukrainas Kherson në 24 orl deri në mëngjesin e së mërkurës, ka thënë ushtria e Ukrainës, ndërsa luftimet u intensifikuan me Rusinë duke vendosur më shumë tanke dhe automjete të blinduara në front, shkruan BBC.

Shtabi kryesor i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka thënë në një raport se forcat ruse po sulmojnë zonat e banuara në lumin Dnieper pranë Khersonit me mortaja dhe artileri.

Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët. Forcat ruse u larguan nga Khersoni muajin e kaluar në një nga sukseset më të rëndësishme të Ukrainës në luftën 11-mujore, por luftimet kanë hyrë në një fazë të ngadaltë dhe të ashpër me fillimin e dimrit.

“Ka pasur shumë pak ndryshime për sa i përket vijës së frontit, por presioni i armikut është rritur, edhe sa i përket numrit të njerëzve, ashtu edhe për sa i përket llojit dhe sasisë së pajisjeve”, ka thënë analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov.

Zhdanovi ka thënë se luftimet u intensifikuan pasi Rusia vendosi automjete të blinduara dhe tanke. Luftimet më të ashpra po zhvillohen rreth qytetit lindor të Bakhmutit, një "qytet fantazmë" i bombarduar që Rusia është përpjekur ta pushtojë prej muajsh me një kosto të lartë.