Në rast se Trumpi zgjedh të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, atëherë kundërshtarët mund të thirren në një dispozitë kushtetuese, të adoptuar pas Luftës Civile, në mënyrë që ta ndalojnë atë. Në këtë rast, Gjykata Supreme mund ta ketë fjalën e fundit. Amendamenti i 14-të i Kushtetutës e diskualifikon nga mbajtja e një posti zyrtar federal akëcilin ish-zyrtar të zgjedhur dhe oficer ushtarak që “mund të jetë përfshirë në kryengritje apo rebelim” kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Washington, 19 shkurt (AP) – Shfajësimi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nga Senati në procesin e tij të dytë të impiçmentit mund të mos jetë përpjekja e fundit në radhë për ta mbajtur atë sa më larg presidencës përsëri.
Në rast se Trumpi zgjedh që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, atëherë kundërshtarët mund të thirren në një dispozitë kushtetuese, të adoptuar pas Luftës Civile, në mënyrë që ta ndalojnë atë. Në këtë rast, gjykata Supreme mund ta ketë fjalën e fundit.
Amendamenti i 14-të i Kushtetutës e diskualifikon nga mbajtja e një posti zyrtar federal akëcilin ish-zyrtar të zgjedhur dhe oficer ushtarak që “mund të jetë përfshirë në kryengritje apo rebelim” kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ratifikuar më 1868, gjuha në Seksionin 3 të amendamentit u adresohej ish-Konfederatës civile dhe liderëve ushtarakë.
Ai mund të zbatohet edhe ndaj personave që nxitën apo morën pjesë në sulmin e 6 janarit në Capitol, ka thënë një ekspert ligjor, duke cekur se një Komision i Kongresit që i heton sulmin dhe paditë ndaj Trumpit do të ndihmonte në qartësimin e rolit të tij në kryengritjen e përgjakshme të asaj dite.
Edhe
A mund të kandidojë Trumpi për president? Gjykata e Lartë vendos
“Nëse Trumpi kandidon përsëri më 2024, mendoj se është goxha e mundur që ai të ballafaqohet me përpjekjet që do ta linin atë jashtë votimeve, bazuar në parimet e amendamentit katërmbëdhjetë”, ka thënë Daniel Hemel, profesor i së drejtës në Universitetin e Chicagos. Por, ka goxha shumë paqartësi lidhur me mënyrën se si mund të ndodhë një gjë e tillë dhe nëse Kongresi apo vetëm zyrtarët shtetërorë do të mund të përfshiheshin.

Amendamenti i 14-të dhe Trumpi
Hartuesit e amendamentit të 14-të synuan që me këtë t’i mbanin larg shërbimeve publike zyrtarët që i ishin bashkuar Konfederatës, pa pasur nevojë për një votë specifike në Kongres për ringjalljen e kualifimit të tyre. Seksioni 3 ishte zbatuar për disa vjet si në nivel shtetëror, ashtu edhe në atë federal, ka bërë të ditur Gerard Magliocca, profesor në shkollën e Drejtësisë “Robert H. McKinney” në Universitetin e Indianas. Por, në vitin 1972, me anë të dy të tretës së votave në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, Kongresi e hoqi ndalesën ndaj shumicës së atyre të cilëve u ishte ndaluar mbajtja e detyrës.
Që atëherë, lirisht mund të thuhet se dispozita ka ngelur e papërdorur.
“Askush nuk flet përnjëmend për të”, ka thënë Laura F. Edwards, profesoreshë e historisë ligjore në Universitetin e Princetonit, e cila e ka studiuar amendamentin e 14-të. “Nuk ka pasur nevojë që të flitet për të që nga Lufta Civile”.
Të paktën dy demokratë në Kongres kanë bërë të ditur se janë duke punuar në zbatimin e amendamentit 14 ndaj Trumpit.
Përfaqësuesi demokrat, Steven Cohen, ka thënë se është duke e hartuar legjislacionin, të cilin shpreson se do ta përfundojë brenda javësh, ashtu që ta mundësojë zbatimin e dispozitës kushtetuese kundër kujtdo që ka lidhje me dhunën e muajit të kaluar në Capitol.
Projektligji do ta autorizonte Departamentin e Drejtësisë për të ngritur raste ndaj kandidatëve të mundshëm dhe për ta caktuar një gjykatë federale me menaxhimin e çdo përpjekjeje për mbajtjen sa më larg kutive të votimit të atyre kandidatëve, ka thënë Cohen.
Dhuna në Capitol e ndërmarrë me synimin për t’ia pamundësuar Kongresit certifikimin e fitores së presidentit, Joe Biden, në Kolegjin elektoral “ishte një akt po aq i urryer dhe i dënueshëm sikurse ai i Benedict Arnoldit”, ka thënë Cohen, duke iu referuar gjeneralit të Luftës Revolucionare, i cili ishte tradhtar i kauzës amerikane.
Përfaqësuesja Debbie Wasserman Schultz, demokrate nga Florida, ka thënë në një deklaratë se është duke punuar mbi një masë “që do t’ua ndalonte burrave tradhtarë, sikurse puna e Donald Trumpit dhe të tjerëve, që të shërbejnë ndonjëherë në qeverinë që dikur ishin zotuar ta rrëzonin”.
Ky ligj do ta kërkonte nënshkrimin e Bidenit. Kongresi do të mund ta kalonte gjithashtu një rezolutë, e cila do të deklaronte se Trumpi dhe mbase të tjerët diskualifikohen nga e drejta për ta mbajtur në të ardhmen një detyrë të tillë, ani pse siç ka sinjalizuar Hemeli, “një rezolutë jodetyruese nuk do të ishte më e vlefshme se sa vet letra në të cilën është shkruar”.
Megjithëkëtë, edhe në rast se Kongresi nuk ndërmerr gjë, zyrtarët e zgjedhur shtetërorë apo madje gjykatat shtetërore mund të thonë se Trumpi nuk mund të kandidojë në zgjedhje, për shkak se është i përfshirë në kryengritje, kanë thënë profesorët.
Edhe
Shfajësimi nuk është fjala e fundit për Trumpin rreth dhunës në Capitol
Me apo pa përfshirjen e Kongresit, kjo çështje pashmangshëm do të shpjerë drejt gjykatave, ka thënë Elizabeth Wydra, kryetare e Qendrës së Llogaridhënies Kushtetuese. “Por, mendoj se është OK që të testohet një dispozitë kushtetuese, e cila nuk është përdorur aq shpesh’, ka shtuar ajo.
Çfarë mund të ndodhë më pas?
Gjykatësit do të duhej t’u përgjigjeshin tri pyetjeve, ka thënë Magliocca.
E para, a ka pasur kryengritje? Avokatët e Trumpit kanë argumentuar në gjykimin e impiçmentit se nuk ka pasur, por lideri republikan i Senatit, Mitch McConnell, i ka quajtur ngjarjet e 6 janarit si një kryengritje e dështuar dhe ky term është përdorur vazhdimisht nga demokratët në proces si dhe kudo nëpër media.
Merriam-Webster e definon kryengritjen si “një akt apo instancë të revoltimit kundër autoritetit civil apo një qeverie të krijuar”.
Pyetja e dytë është nëse Trumpi është përfshirë në kryengritje? Edhe në këtë rast, ekipi i Trumpit dhe prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë dallime. Përgjigja mund të varet nga informacionet shtesë që mund të dalin prej një hetimi në Kongres lidhur me dhunën e 6 janarit. Qoftë nga padia e ngritur këtë javë nga përfaqësuesi demokrat, Bennie Thompson, kundër Trumpit apo nga rasti gjyqësor rreth diskualifikimit të Trumpit, ka thënë Magliocca.
“Kemi nevojë për zhvillim më të madh të fakteve”, ka thënë ai.
Së treti, a mbulohet fare Trumpi nga Seksioni 3? Ky seksion nuk e përmend specifikisht presidencën, por Magliocca është mes atyre ekspertëve ligjorë që beson se Trumpi mund të ndalohet.
Nëse presidencat do të përjashtoheshin nga dispozita, ish-kryetari i Konfederatës, Jefferson David, dhe komandanti kryesor ushtarak i Konfederatës, Robert E. Lee, do të ndaloheshin nga shumica e zyrave por jo nga presidenca, ka thënë ai.
Përgjigja përfundimtare
Krejt në fund, Gjykatës Supreme do t’i kërkohet, sipas të gjitha gjasave, që ta peshojë rastin dhe mbase fushatën presidenciale, meqenëse çështja do të mund të ngrihej vetëm nëse Trumpi do ta shpallte kandidimin e tij dhe ta kërkonte kualifikimin për votim.
Ky zhvillim mund të mos i pëlqejë gjykatësit kryesor, John Roberts, i cili e kishte kryesuar procesin e parë të impiçmentit ndaj Trumpit. Roberts ka qenë këmbëngulës në mbajtjen e gjykatës larg rasteve të ndërlidhura me pretendimet e pabaza të Trumpit për manipulimin e zgjedhjeve, të cilat përherë janë refuzuar nga gjykatat dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve, si dhe kundërthëniet politike dypartiake, sa herë që është e mundur.
Edhe“Nuk mendoj se mundësia për t’i shkaktuar tharti kryegjykatësit është një arsye për ta shmangur zbatimin e Kushtetutës, ama jam i sigurt se ai nuk do të ishte aspak i kënaqur që ta kishte këtë rast në gjykatën e tij”, ka thënë Wydra.
Një mundësi tjetër, siç ka sugjeruar Magliocca, është ajo se spektri i dëshmimit në gjykatë lidhur me veprimet e tija të 6 janarit do të ishte i mjaftueshëm për ta bllokuar që në fillim përpjekjen e Trumpit për kandidim.