Botë

Pas Britanisë, edhe Kolumbia ndërpret ndarjen e inteligjencës me SHBA-në

Anijet

Foto: Associated Press

Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, ka urdhëruar të martën forcat e sigurisë së vendit të tij të ndalojnë ndarjen e inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, derisa administrata Trump të ndalojë sulmet e saj ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës në Karaibe.

Vendimi vjen teksa marrëdhëniet mbeten të përkeqësuara midis kombeve që dikur ishin partnerë të ngushtë në luftën kundër trafikut të drogës, raporton AP.

Në një mesazh në X, Petro ka shkruar se ushtria e Kolumbisë duhet të ndërpresë menjëherë "komunikimet dhe marrëveshjet e tjera me agjencitë e sigurisë amerikane" derisa SHBA-ja të ndalojë sulmet e saj ndaj motoskafeve të dyshuara për transportimin e drogës, të cilat kritikët i kanë krahasuar me ekzekutime jashtëgjyqësore.

Petro ka shkruar se "lufta kundër drogës duhet t'i nënshtrohet të drejtave të njeriut të popullit të Karaibeve". 

Nuk është e qartë se çfarë lloj informacioni do të ndalojë Kolumbia të ndajë me Shtetet e Bashkuara.

CNN ka raportuar të martën bazuar në burimet, se Britania e Madhe ka ndërprerë ndarjen e inteligencës me SHBA-në lidhur me sulmet ndaj anijeve të dyshuara për drogë.

Të paktën 75 persona janë vrarë nga ushtria amerikane në sulmet në ujëra ndërkombëtare që nga gushti, sipas shifrave të ofruara nga administrata Trump. Sulmet kanë filluar në Karaibet jugore, pranë brigjeve të Venezuelës, por kohët e fundit janë zhvendosur në Paqësorin lindor, ku SHBA-ja ka synuar anije pranë Meksikës.

Petro ka bërë thirrje që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të hetohet për krime lufte gjatë sulmeve, të cilat kanë prekur qytetarët e Venezuelës, Ekuadorit, Kolumbisë dhe Trinidadit dhe Tobagos.

Udhëheqësi i majtë ka qenë prej kohësh kritik i politikës amerikane për drogën.

Të dielën, Petro ka thënë se është takuar me familjen e një peshkatari kolumbian i cili dyshohet se u vra në një nga sulmet.

"Ai mund të ketë mbajtur peshk, ose mund të ketë mbajtur kokainë, por nuk ishte dënuar me vdekje", ka thënë Petro gjatë një samiti midis udhëheqësve të Amerikës Latine dhe Bashkimit Evropian të organizuar nga Kolumbia të dielën.