Një numër i shteteve thonë se ekziston rrezik i madh nga një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit dhe kanë paralajmëruar qytetarët të mos udhëtojnë atje, raporton BBC.
Australia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët e tyre. Ata që janë jashtë aeroportit janë këshilluar të largohen menjëherë.
Më tepër se 82 mijë persona janë evakuuar nga Kabuli, që ka rënë në dorë të talebanëve 10 ditë më parë.
Shtetet po nxitojnë për të evakuuar personat deri në fund të afatit të tërheqjes, që është 31 gushti.
Mijëra persona ende janë duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, me shpresë se do të largohen nga shteti.
Talebanët kanë kundërshtuar zgjatjen e afatit përfundimtar, por kanë premtuar të lejojnë të huajt dhe afganët të largohen përtej 31 gushtit, siç ka thënë sekretari i shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.
Të enjten, ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne, ka thënë: “Ka një rrezik shumë të lartë për një sulm terrorist”.
Vjen vetëm pak orë pasi paralajmërim të ngjashëm kanë lëshuar Departamenti i Shtetit të SHBA-së e po ashtu Qeveria e Britanisë së Madhe.