Botë

Papa Leoni bën thirrje për “guxim” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

papa

Foto: Associated Press

Papa Leoni u ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të gjejnë “guximin” për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës. Ai ka dhënë fjalimin e tij të parë para turmës në sheshin Shën Pjetrit me rastin e Krishtlindjes.

Ai ka bërë thirrje për përfundim të konflikteve në botë gjatë mesazhit para besimtarëve në Vatikan.

“Uroj të pushojë zhurma e armëve dhe palët e përfshira, me mbështetjen dhe përkushtimin e komunitetit ndërkombëtar, të gjejnë kurajën për t’u angazhuar në dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe të respektueshëm”, ka thënë papa.

Ai po ashtu ka kërkuar që “miqësia e lashtë” mes kombeve të Azisë Juglindore të rikthehet dhe “të punojnë drejt pajtimit dhe paqes”. 

Papa përmendi edhe të pastrehët, kushtet e vështira nëpër të cilat jetojnë kudo në botë, dhe dëmet e shkaktuara nga konfliktet. 

“Të brishtë janë trupat e popullsive të pambrojtura, të sprovuara nga kaq shumë luftëra, të vazhdueshme apo të përfunduara, që kanë lënë pas rrënoja dhe plagë të hapura”, ka theksuar ai. 

Ndërkohë që përmendi edhe kushtet e rënda ku po jetojnë palestinezët në Gaza.


Papa Leoni bën thirrje për mirësi ndaj të huajve dhe të varfërve në mesazhin e Krishtlindjeve

Papa Leoni u ka thënë të krishterëve se historia e Krishtlindjeve duhet t'ua kujtojë atyre detyrën e tyre për të ndihmuar të varfrit dhe të huajt.

Në predikimin e tij të Krishtlindjeve, Papa ka thënë se historia e lindjes së Jezusit u tregoi ithtarëve se refuzimi për të ndihmuar ata që kanë nevojë ishte i barabartë me refuzimin e vetë Zotit.

Leoni, i cili e ka bërë kujdesin për emigrantët dhe të varfrit tema kryesore të papatit të tij të hershëm, ka thënë se lindja e Jezusit tregoi praninë e Zotit në çdo person ndërsa udhëhoqi 1.4 miliardë katolikët e botës drejt Krishtlindjeve në një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit.

“Në tokë, nuk ka vend për Zotin nëse nuk ka vend për personin njerëzor. Të refuzosh njërën do të thotë të refuzosh tjetrën”, ka thënë Papa gjatë shërbesës solemne, ku morën pjesë rreth 6,000 njerëz brenda bazilikës.

Leoni, papa i parë i lindur në SHBA, po feston Krishtlindjet e tij të para pasi u zgjodh në maj nga kardinalët e botës për të pasuar të ndjerin Papa Françesku. 

Papa, i cili ka kritikuar masat përçarëse të presidentit amerikan, Donald Trump kundër imigracionit, citoi një varg nga Papa Benedikti XVI, i cili ankohej se bota nuk interesohet për fëmijët, të varfrit apo të huajt.

“Ndërsa një ekonomi e shtrembëruar na bën të trajtojmë qeniet njerëzore si mallra të thjeshta, Zoti bëhet si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi”, ka shtuar Leoni.

Jashtë bazilikës, rreth 5,000 njerëz ndoqën shërbesën në ekrane nga Sheshi i Shën Pjetrit, duke mbajtur çadra për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme në Romë.