Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Palestinezët u vranë ndërsa Izraeli liroi pengjet, rrëfime tronditëse nga Rafahu

Kur forcat speciale të Izraelit shpëtuan dy nga pengjet e rrëmbyera nga Hamasi, për familjarët ishte lehtësim dhe për moralin kombëtar një shtytje para. Por, shpëtimi i 12 shkurtit i ka lënë të tmerruar qytetarët në Gaza, ku më shumë se 70 persona u raportuan të vrarë atë natë.

Nawara al-Najjar kishte qenë në gjumë në tendën që qe shtëpia e familjes së saj në Rafah për pesë javët e fundit, vetëm disa qindra metra larg zonës së aksionit të shpëtimit.

Të shtrirë në tokë ishin Nawara, e cila është gjashtë muajshe shtatzënë, gjashtë fëmijët e saj – të moshave nga 13 vjeç deri te më i vogli 4 vjeç – dhe bashkëshorti i saj Abed-Alrahman.

Ata kishin ikur nga shtëpia e tyre në Khan Younis, duke ndjekur udhëzimet e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të cilët thanë se Rafah ishte zonë e sigurt, shkroi BBC. 

Para se të flinin, çifti diskutoi çfarë të bënin për dy nga fëmijët të cilët ishin lënduar. Djali i tyre ishte djegur dhe vajza po shërohej nga paraliza e fytyrës e shkaktuar nga trauma në fazat e hershme të luftës.

Edhe “U ktheva i gjallë, por gjithçka ishte zhdukur” Botë “U ktheva i gjallë, por gjithçka ishte zhdukur”

Para se të bëheshin refugjatë, Abed-Alrahman bënte çfarëdo pune që gjente, shpesh si punëtor në ferma.

Ata ishin një çift që gjithmonë përpiqeshin t’i zgjidhnin problemet së bashku.

“Bashkëshorti im ishte në ankth, duke menduar se si të gjente një mënyrë për t’i trajtuar dhe ku t’i dërgonte”, ka thënë Nawara.

Më pas diçka e pazakontë ndodhi. Nawara zakonisht flinte e rrethuar me fëmijët. Por, atë natë, Abed-Alrahman i kërkoi ta ndryshonte këtë.

“Para se të shkonte për të fjetur, ai më kërkoi të shkoja të flija afër tij. Ishte hera e parë që ai tha, ‘eja fli me mua’”.

Të stërlodhur ata ranë. Pas pak, Nawara u zgjua nga zhurma e të shtënave.

Abed-Alrahman tha se do të dilte për të parë çfarë po ndodhte.

Nawara kujton: “Djali ynë i madh po i thoshte, ‘babi, të lutem mos dil jashtë’. Abed-Alrahman po përpiqej ta bindte atë se asgjë nuk do të ndodhte; djali po i thoshte të mos dilte, se ai do të vdiste”.

Më pas ajo ndjeu një dhimbje të fortë në kokë. Copa nga shpërthimi i një bombe kishin rënë në tendë.

Nawara nisi të bërtiste. Në fillim nuk mundi të shihte asgjë. Pas disa minutash pamja iu kthye pikërisht në momentin kur Abed-Alrahman ishte në grahmat e vdekjes. Ajo kujton frymëmarrjet e fundit të tij.

“Kur fëmijët e panë, po bërtisnin, ‘oh babi, oh babi, mos na lë, mos na lë’. Iu thash, ‘qëndroni larg babait tuaj. Vetëm lutuni për të’”.

Vajza Malak, 13 vjeçe, u godit në sy nga një copë. Katër fëmijët e tjerë morën lëndime të vogla. Ata po ashtu përjetuan traumën e asaj çfarë dëgjuan dhe panë – shpërthimet dhe babai i tyre që dërgohej në spital. Më vonë atë natë, në një spital plot me viktima të tjera, Nawaras iu konfirmua se Abed-Alrahman kishte vdekur.

Duke qarë, ajo pyeti: “Cili ishte mëkati i tij? Cili ishte mëkati i fëmijëve të tij? Cili është mëkati im? U bëra e ve në moshën 27-vjeçare”.

Malak ka thënë se u dërgua në tri spitale të ndryshme në përpjekje për t’u trajtuar, por se ajo e humbi njërin sy.

“Nuk mora trajtim të menjëhershëm. Vetëm pas tri ditësh u operova. Isha e lënduar në sy dhe po ashtu më qëlluan në bel. Jam në dhimbje, dhimbje, dhimbje”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi në Gaza, të paktën 74 njerëz u vranë gjatë bastisjes në orët e hershme të 12 shkurtit.

Edhe “Lutemi që viza të vijë para vdekjes”: Fëmijët e plagosur palestinezë të bllokuar në pasiguri Botë “Lutemi që viza të vijë para vdekjes”: Fëmijët e plagosur palestinezë të bllokuar në pasiguri

Nuk është e mundur të thuhet saktësisht se sa nga të vdekurit ishin civilë dhe sa ishin luftëtarë. Por, dëshmitarët dhe burime nga autoritetet shëndetësore sugjerojnë se një përqindje e lartë e të vdekurve ishin civilë. Qendra e pavarur palestineze për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Gaza, ka thënë se 27 fëmijë e 22 gra ishin në mesin e të vrarëve.

Mohammed al-Zaarab, 45 vjeç, baba i 10 fëmijëve nga Khan Younis, po ashtu u zhvendos në Rafah duke besuar se do të ishte i sigurt. Ai kujton se u zgjua në tendën e tij nga intensiteti i sulmeve.

“Ata po gjuanin me helikopterë, me avionë F-16... Djali im u qëllua në dorë. Fqinji ynë u qëllua në kokë”.

Ditën tjetër, babai i moshuar i Mohammedit nuk ndjehej mirë. Ai e çoi te mjeku, por shpejt burri i moshuar vdiq nga një sulm në zemër.

“E varrosa. Sot është dita e tretë e tij në varr. Pse po na ndodh kjo neve?” pyet ai.

Shumica e të vdekurve mendohej se ende ishin nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara. Një mjeke nga agjencia “Medecins Sans Frontieres” ua dërgoi një seri mesazhesh kolegëve të saj në Londër mëngjesin e 12 shkurtit.

Ajo përshkroi se si u shtri mbi fëmijët e saj për t’i mbrojtur pasi copëzat e granatave fluturuan përmes dritareve të dhomës ku po strehoheshin. Rrëfimi i saj për atë që gjeti pas sulmit është tmerrues.

“Në shtëpinë tonë kur po kontrollonim, gjeta copa mishi njeriu. Gjetëm një gjymtyrë të poshtëm njeriu që nuk e dimë kush është. Kur pashë copat e mishit në dysheme, qava”.

Që nga fillimi i sulmeve të ushtrisë izraelite në Gaza, ushtria ka akuzuar Hamasin se po përdor civilët si mburojë dhe objektet shëndetësore për të fshehur operacionet ushtarake e pengjet.

Shpëtimi i dy pengjeve – Fernando Simon Marman dhe Louis Har – në Rafah ishte një sukses i rrallë për ekipet e Izraelit që po kërkojnë më shumë se 130 persona, përfshirë dy fëmijë, që besohet se ende po mbahen peng.

Në një deklaratë për BBC-në për ngjarjet e 12 shkurtit, një zëdhënës i IDF-së ka thënë se ushtria “është e përkushtuar të zbusë dëmtimin e civilëve” gjatë operacioneve ushtarake.

Organizatat për të drejtat e njeriut më parë e kanë akuzuar Izraelin për përdorim joproporcional të forcës. Në një deklaratë më 8 shkurt, Human Rights Watch paralajmëroi se Izraeli “mund të kryej sulme të paligjshme pa dallime. Kur vjen puna te pyetja nëse Izraeli po shkel ligjin në Gaza, ka mjaft tym që të dyshohet për zjarr”.

Në dhjetor, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, paralajmëroi Izraelin kundër bombardimeve ndaj caqeve pa dallim në njerëz.

Çdo diskutim ligjor nëse sulmi përbënte përdorim joproporcional të forcës, e rrjedhimisht një krim lufte, duhet të presë një hetim të pavarur. Pa përfundimin e luftës, që nuk shihet në horizont, ky proces mund të zgjasë shumë.

“Të jem e sinqertë, ai që vdiq është me fat... ai që ka mbetur gjallë është i mallkuar dhe i braktisur nga të gjithë njerëzit në botë. Nuk është e drejtë... Nuk e di si mund të flejë dikush duke e ditur se fëmijët tanë po vuajnë pa asnjë arsye. Ne jemi vetëm civilë”, ka thënë mjekja që gjeti pjesë të trupit në shtëpinë e saj.

Mesazhi i saj vjen nga brenda Rafahut të tmerruar ku 1.5 milionë njerëz – gjashtëfishi i popullsisë së saj normale – kanë kërkuar strehim.

Edhe Ka vdekur nga plagët burri i mjekes palestineze të cilës iu vranë nëntë fëmijë Botë Ka vdekur nga plagët burri i mjekes palestineze të cilës iu vranë nëntë fëmijë

Izraeli po kërcënon me pushtim të Rafahut në javët në vijim, duke e vlerësuar të nevojshëm për ta shkatërruar Hamasin. Frika për refugjatët është që tmerri i 12 shkurtit shpejt do të kapërcehet nga tmerre të tjera, dhe se do të harrohen nga komuniteti ndërkombëtar.

“E di se ky mesazh nuk do të thotë asgjë për shumë njerëz, dhe nuk do të ndryshojë asgjë”, ka thënë mjekja.