Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është takuar me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago në Florida – vizitë që Orbani e quajti “mision të paqes”.
Orban, një mbështetës i kamotshëm i Trumpit, ka vizituar Ukrainën, Rusinë dhe Kinën në dy javët e fundit në një “mision paqeje”, i cili ka zemëruar aleatët e Hungarisë në NATO.
“Ishte një nder të vizitoja presidentin, Donald Trump në Mar-a-Lago sot. Ne diskutuam mënyrat për të bërë paqe. Lajmi i mirë i ditës: ai do ta zgjidhë atë!”, tha Orban në X.
E ashtuquajtura nisma e paqes e Orbanit ka acaruar shumë anëtarë të Bashkimit Evropian, presidencën e radhës të të cilës Hungaria e mori në fillim të këtij muaji.
Të premten, ministria e jashtme e Gjermanisë ka dekaruar se Orban ka shkaktuar dëme në 12 ditët e para të presidencës.
I konsideruar si udhëheqësi më i afërt evropian me Vladimir Putinin e Rusisë, Orban ishte në Shtetet e Bashkuara këtë javë për të marrë pjesë në një samit të NATO-s të organizuar nga presidenti Joe Biden.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Hungaria beson se një presidencë e dytë e Trumpit do të rriste shpresat për paqe në Ukrainë dhe se Orban shpreson t’i jepte fund luftës përmes bisedimeve të paqes që përfshijnë Rusinë dhe Ukrainën.