Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Orbani akuzohet për pretendime të rreme lidhur me gjetjen e eksplozivëve afër tubacionit të gazit

Viktor Orban dhe Aleksandër Vuçiq

Foto: Associated Press

Serbia ka thënë se ka gjetur “eksplozivë me fuqi shkatërruese” pranë një tubacioni që transporton gaz natyror rus drejt Hungarisë dhe më tej, duke nxitur pretendime nga kandidati kryesor i opozitës hungareze për një operacion të mundshëm të “flamurit të rremë” që synon të ndikojë në zgjedhjet e vendit.

Të dielën, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se ishte informuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për zbulimin pranë një degëzimi të tubacionit TurkStream, i cili transporton gaz rus përmes Ballkanit drejt Evropës Qendrore dhe Lindore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një hetim është në zhvillim”, ka thënë Orbani në rrjetet sociale, duke shtuar se kishte thirrur një mbledhje urgjente të këshillit të mbrojtjes së vendit.

Ngjarja vjen një javë para se hungarezët të shkojnë në votime për zgjedhjet parlamentare vendimtare, ku qëndrimi 16-vjeçar i Orbanit në pushtet po përballet me një sfidë të paprecedentë nga Peter Magyar, ish-anëtar i lartë i partisë në pushtet “Fidesz”.

Një sondazh i fundit sugjeron se 65% e votuesve nën moshën 30 vjeç planifikojnë të votojnë kundër Orbanit.

Zgjedhjet kanë vënë përballë dy vizione për të ardhmen e Hungarisë: nga njëra anë Orban dhe Fidesz përpiqen të bindin votuesit se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim serioz për vendin dhe se ai është më i përshtatshmi për ta menaxhuar këtë rrezik; nga ana tjetër, Magyar dhe partia e tij “Tisza” u bëjnë thirrje votuesve të përqendrohen te stagnimi ekonomik, përkeqësimi i shërbimeve sociale dhe korrupsioni.

Vuçiq ka thënë të dielën se ushtria dhe policia serbe kishin gjetur dy çanta shpine që përmbanin “dy pako të mëdha eksplozivësh me detonatorë” në komunën veriore serbe të Kanjižës, “disa qindra metra larg tubacionit të gazit”.

Ai ka thënë se kishte informuar Orbanin për rezultatet fillestare të hetimit mbi atë që e quajti “kërcënim ndaj infrastrukturës kritike të gazit”. Eksplozivët mund të kishin “rrezikuar shumë jetë” dhe të kishin shkaktuar dëme të mëdha në tubacion, ka deklaruar Vuçiq.

Ai nuk ka dhënë detaje mbi origjinën e eksplozivëve, duke thënë se kishte “disa gjurmë” që nuk mund t’i zbulonte. 

Incidenti, që vjen në një kohë kur Orbani po bie në sondazhe, ka nxitur shqyrtim politik në gjithë Hungarinë. Të dielën, Magyar ka thënë në rrjetet sociale se ai dhe partia Tisza ishin paralajmëruar nga burime të shumta se diçka mund të ndodhte në Serbi rreth Pashkëve, “ndoshta duke përfshirë një tubacion gazi”, dhe që dyshohet se ishte kryer me ndihmën e Serbisë dhe Rusisë. 

“Dhe tani ka ndodhur”, ka thënë ai. 

Ai i ka bërë thirrje qeverisë së Orbanit të ndalojë përhapjen e panikut dhe shkaktimin e trazirave.

“Hungarezët kanë çdo arsye të kenë frikë se kryeministri në largim, duke ndjekur këshillat e agjentëve rusë, po përpiqet të mbjellë frikë te populli i tij përmes operacioneve të “flamurit të rremë’”, ka thënë ai. 

“Dua gjithashtu të bëj të qartë se ai nuk do të mund ta pengojë zgjedhjen e së dielës së ardhshme”, ka shtuar Magyar. 

Skepticizmi u pasqyrua edhe nga Mujtaba Rahman, drejtor menaxhues për Evropën në Eurasia Group, një kompani konsulence për rrezikun politik. 

“Duket si një kërcënim mjaft i përshtatshëm për një akt terrorist”, ka thënë ai në rrjetet sociale. “I projektuar për të rritur më tej frikën nga një veprim ushtarak kundër Hungarisë, për të cilin pa dyshim do të fajësohet Ukraina”. 

Fushata zgjedhore u nxe në shkurt pasi Orban pretendoi, pa paraqitur prova, se Ukraina po planifikonte të ndërpriste sistemin energjetik të Hungarisë dhe tha se kishte dërguar trupa për të mbrojtur infrastrukturën energjetike të vendit.

Orban gjithashtu ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën se po vonon qëllimisht riparimet në tubacionin e epokës sovjetike Druzhba, i cili sjell naftë ruse në Hungari dhe Sllovaki përmes Ukrainës, dhe ka bllokuar miratimin nga BE-ja të një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për shkak të këtij konflikti.