Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Opozitarja bjelloruse kërkon një BE më të guximshme

Minsk, 16 dhjetor (Reuters) – Liderja opozitare e Bjellorusisë, Svetlana Tikhanovskaya, i ka bërë thirrje Evropës që të jetë më e guximshme në përkrahjen e opozitës së ish-shtetit sovjetik, teksa ka pranuar çmimin vjetor të Parlamentit Evropian për të drejtat e njeriut.

Opozita bjelloruse është nderuar me këtë çmim për protestat kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, të cilat Perëndimi dhe opozita bjelloruse i kanë cilësuar si të manipuluara. Me mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestat e opozitës në Bjellorusi që kanë vazhduar për javë të tëra, pavarësisht brutalitetit policor.

Presidenti Alexander Lukashenko ka insistuar se zgjedhjet ishin të rregullta, ndonëse është akuzuar nga BE-ja, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për burgosjen e kundërshtarëve dhe shtypjen mediave të pavarura.