Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Opozita bjelloruse merr çmimin ”Saharov”

Bruksel, 22 tetor – Parlamenti Europian i dha sot çmimin ”Saharov” për të drejtat e njeriut opozitës demokratike bjelloruse, figura kryesore e së cilës, Svetlana Tikhanovskaia, ndodhet e strehuar në Lituani, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.

“Mos braktisni luftën tuaj! Ne jemi në krahun tuaj!”, deklaroi presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli në Twitter duke nënvizuar se anëtarët e opozitës, shumica e të cilëve të burgosur apo në mërgim, kishin diçka, që forca brutale nuk mund ta mundë, të vërtetën.

Kjo kandidaturë u mbështet nga grupet kryesore politike të Parlamentit, veçanërisht PPE (e djathta), S&D (socialistët dhe demokratët) dhe Renew Europe (qendra dhe liberalët).

Pas intelektualit ujgur, Ilham Tohti, i dënuar me burgim të përjetshëm në Kinë për “separatizëm”, laureat në 2019, eurodeputetët kurorëzuan një lëvizje të drejtuar veçanërisht nga gratë.

Koha.net rikujton se laureatë të çmimit “Saharov” ishin edhe Adem Demaçi e Ibrahim Rugova nga Kosova.

Artikuj të ngjashëm