Botë

Obama thotë se po lëkunden themelet e demokracisë amerikane

Në fushatën e vështirë për zgjedhjet afatmesme amerikane që do të mbahen në muajin nëntor është përfshirë edhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama, i cili ka thënë se demokracia amerikane është në dyshim teksa këto zgjedhje i ka cilësuar si referendum i demokracisë

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, u është rikthyer fushatave zgjedhore të premten në shtetin e Georgias. Ky shtet ishte ndalesa e parë e Obamas, i cili do të udhëtojë në disa shtete amerikane për të ofruar përkrahjen për kandidatët demokratë në zgjedhjet afatmesme që mbahen në muajin nëntor.

Obama ka përdorur fjalimin e tij për të thënë se zgjedhjet e muajit nëntor janë referendum për demokracinë dhe u ka bërë thirrje votuesve që të mos shohin republikanët si përgjigje për krizën e tyre ekonomike.

“Themelet bazë të demokracisë po vihen në dyshim tani. Demokratët nuk janë të përkryer dhe jam i pari që e pranoj këtë, politikanët, si krejt ne, mund të bëjnë gabime. Mirëpo tani, me disa përjashtime, shumica e republikanëve dhe njerëz të ngjashëm as nuk janë duke u shtirur se rregullat nuk vlejnë për ata. Janë duke përkeqësuar gjërat”, ka thënë demokrati Obama.

“Pandemia ka shpërfaqur, në disa raste edhe i ka përkeqësuar, problemet me të cilat jemi përballur në vitet e fundit. Një ekonomi shpesh funksionon për ata që janë lart, mirëpo jo për njerëzit e zakonshëm. Mirëpo po ndodh një erozion i normave civile dhe demokratike në politikën tonë, jo vetëm këtu dhe rreth botës”, ka shtuar ish-presidenti amerikan.

Obama gjithashtu ka shprehur përkrahje për bashkëshortin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i cili u sulmua me çekan në shtëpinë e tyre në San Francisco. Për këtë ka fajësuar politikën që krijon ndasi.

“Lutem për mikun tim Paul Pelosi, i cili u sulmua... Politika, ku disa në pushtet ose kërkojnë pushtet, punojnë për të nxitur përçarje, për t’i zemëruar njerëzit dhe t’i bëjnë të frikësohen nga njëri-tjetri për përfitimin e tyre dhe e gjithë kjo është përforcuar në rrjetet sociale, platforma që shpesh i shohin polemikat dhe konfliktet më fitimprurëse sesa të thuash të vërtetën”, ka thënë ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

Në kohën kur përkrahja për presidentin Joe Biden ka rënë, demokratët shpresojnë se me shfaqjen e Obamas në javët përmbyllëse të fushatës do të sigurojnë përkrahjen në mjedisin e ashpër politik.

Personalisht për Obamën fushata e shpejtë është mundësi për të bërë diçka që e kishte të pamundur ta bënte sa ishte president: të ndihmonte demokratët në zgjedhjet afatmesme kur ata tashmë kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkaq, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shumë gjasa që të garojë për president në zgjedhjet e vitit 2024. Në një tubim të mbajtur gjatë javës së kaluar, Trumpi ka thënë se “ndoshta duhet të garoj përsëri”. Trumpi e bëri komentin gjatë fjalimit në një tubim në Teksas. Ai ende nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 ndaj rivalit të tij demokrat, Joe Biden. Komentet e Trumpit erdhën një ditë pasi Komiteti i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi ​​një thirrje ish-presidentit për përfshirjen e tij të supozuar në trazirat e Capitol Hill.