Një shtetas britanik doli nga rrënojat e aeroplanit “Air India” që u rrëzua të enjten, e në të cilin aksident raportohet se kanë humbur jetën mbi 290 persona.
Vishwashkumar Ramesh ishte në ulësen 11A në fluturimin Boeing 787-8 të kompanisë ajrore "Air India" që kishte destinacion Londrën, kur aeroplani u përplas në një zonë banimi në Ahmedabad, në perëndim të Indisë, pak pasi u ngrit.
Vëllai i Rameshit, Nayan Kumar Ramesh, i tha “BBC News” se Vishwashkumar “nuk e ka idenë se si mbijetoi”.
Në aeroplan ishin 169 shtetas të Indisë, 53 shtetas britanikë, shtatë shtetas portugezë dhe një kanadez.
“Ne të gjithë ishim të shokuar sapo dëgjuam se çfarë ndodhi, thjesht një shok. Pa fjalë. Ai vetë nuk e ka idenë se si mbijetoi, si doli nga avioni. Kur na telefonoi, ai thjeshtë ishte më i shqetësuar për vëllain tim tjetër, ‘Gjeje Ajayn, gjeje Ajayn’. Është e gjitha për të cilën interesohet për momentin’, tha Nayan.
Në aeroplan ishin 242 persona. Në total numri i viktimave ka arritur në afro 290, pasi aeroplani u përplas në zonë banimi.
Nga Policia e Indisë kanë thënë se Vishwashkumar ishte i ulur në afërsi të daljes emergjente dhe arriti të kërcente.
I mbijetuari, ka thënë për “Hindustan Times”, se kur ishte ngritur kishte parë trupat rreth vetes.
“Isha i frikësuar. U ngrita dhe vrapova. Kishte mbetje të aeroplanit rreth meje. Dikush më kapi dhe më vendosi në një ambulancë dhe më dërguan në spital”, tha ai.
Nuk është e qartë nëse Vishwashkumar doli nëpërmjet daljes emergjente pas përplasjes së aeroplanit apo para se të përplasej.
Një doktor në Spitalin në Ahmedabad tha se ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, e takoi të mbijetuarin.
“Ai ishte i çorientuar me lëndime të shumta në të gjithë trupin e tij. Por, ai duket se është jashtë rrezikut”, ka thënë doktori Dhaval Gameti për “Associated Press”.