Botë

Një këshilltar special do ta hetojë Bidenin

Presidenti i SHBA-se Joe Biden

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland ka emëruar një këshilltar special për të hetuar trajtimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në hapësira private të presidentit, Joe Biden.

Robert Hur, një ish-zyrtar i lartë i departamentit të drejtësisë gjatë presidencës Trump, do ta drejtojë hetimin.

Dosjet e klasifikuara u gjetën kohët e fundit në shtëpinë e Bidenit dhe në një zyrë që ai përdori pas mandatit të tij si zëvendëspresident, raportoi BBC-ja të enjten.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Bideni do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin.

Zbulimi i dokumenteve është quajtur një siklet politik për Bidenin, pasi vjen gjatë një hetimi në vazhdim për keqpërdorimin e supozuar të dosjeve të klasifikuara nga vetë ish-presidenti, Donald Trump.

Grupi i parë i dosjeve u gjet më 2 nëntor në Qendrën Penn Biden, një institut kërkimor i nisur nga Biden në Washington DC. Më pas ato iu dorëzuan Arkivit Kombëtar të SHBA-së, bëri të ditur vetë Biden, gjatë një konference për media të enjten lidhur me këtë çështje.

Garland tha se një grup i dytë dosjesh u gjetën më 20 dhjetor në shtëpinë e Bidenit në ËWlmington, Delaware. Ai shtoi se të enjten në mëngjes, avokatët e Bidenit thirrën hetuesit për t'i njoftuar ata për një dokument shtesë, të gjetur gjithashtu në shtëpinë private të presidentit.

Pas një hetimi fillestar nga Prokurori i SHBA-së, John Lausch, Garland tha se zyra e tij vendosi që një avokat special ishte i nevojshëm për të hetuar trajtimin e dosjeve nga Bideni për shkak të "rrethanave të jashtëzakonshme" të çështjes.