Bash çdo gjë po shkonte në vijë për presidentin amerikan, Joe Biden, në fillim të vitit të ri. Përkrahja për të po ngrihej. Inflacioni po binte. Dhe teksa demokratët ishin të bashkuar prapa fushatës së tij të rizgjedhjes, republikanët ishin pikë e pesë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet afatmesme.
Ama të enjten, peizazhi politik i Bidenit është mjegulluar fort kur kryeprokurori Merrick Garland emëroi një avokat special për të hetuar menaxhimin e dokumenteve sekrete nga presidenti demokrat.
Demokratët publikisht dhe privatisht janë shprehur të shtangur nga zhvillimet dhe kanë thënë se janë shpërqendrim i padëshiruar në kohë fatkeqe që vështirëson rastin kundër Donald Trumpit. Ish-presidenti republikan po përballet me hetime penale në lidhje me dokumentet e klasifikuara dhe të dhëna të tjera që posedonte në villen e tij në Mar-a-Lago.
Mirëpo ka dallime të mëdha mes dy rasteve. Më i rëndësishmi është se Bideni nuk kishte qëllim që të parandalonte zbulimin e dokumenteve në shtëpinë apo zyrën e tij. Nuk refuzoi t’i dorëzonte dhe duket se nuk ishte në dijeni për këto dokumente. Në anën tjetër Trumpi, i cili po hetohet për pengim të hetuesve, kishte dokumente edhe më sekrete në shtëpinë e tij.
Ndërkaq, emërimi i një zyrtari të veçantë shpërfaq paqartësitë në lidhje me presidentin aktual dhe mund të ngjallë debatin në mesin e demokratëve në lidhje me mençurinë e tij për të kërkuar mandatin e tij.
Teksa demokratët janë vendosur në pozitën mbrojtëse, republikanët janë të bindur se beteja për presidencialet 2024 ka ndryshuar kahe.
Trumpi “është burri më me fat në politikën amerikane”, ka thënë John Bolton, i cili shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare në mandatin e Trumpit dhe po mendon që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë.
Kështu nis sezoni i trazuar në të cilin presidenti aktual dhe ai i mëparshmi janë nën hetime teksa po bëjnë përpjekje për rimeç në vitin 2024.
Shumë votues të të dyja partive kanë bërë thirrje për gjeneratë të re të udhëheqjes. Thirrjet e tilla tani po jehojnë edhe më shumë.
Presidenti 80-vjeçar ka paralajmëruar planet për mandatin e dytë, por ende nuk ka thënë fjalën e fundit. Aleatët e tij besojnë se gjithçka do të qartësohet në fund të muajit mars.
Së paku deri më tani, asnjë demokrat i profilit të lartë nuk ka guxuar ta sfidojë Bidenin për garën brendapartiake. Sidoqoftë, privatisht disa zyrtarë demokratë besojnë se hetimi federal do ta motivojë ndonjë demokrat.
Bideni ka thënë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se ishte “duke bashkëpunuar plotësisht” me hetuesit e Departamentit të Drejtësisë se si janë ruajtur informacionet sekrete dhe të dhëna të tjera qeveritare.
Gati 300 dokumente të shënjuara si sekrete janë sekuestruar nga Mar-a-Lago, klub privat në të cilin organizohen vazhdimisht ndeja. Bastisja e pronës së Trumpit ishte piku i përplasjes mes qeverisë dhe përfaqësuesve të Trumpit që u rezistonin përpjekjeve të shtetit për kthimin e dokumenteve.
Ndërkaq, Departamenti i Drejtësisë ka thënë se dokumentet ishin fshehur dhe hequr nga depoja si pjesë e përpjekjeve për të penguar hetimin federal.
Urdhri për bastisje tregonte se FBI-ja po hetonte krime përfshirë mbajtjen e qëllimshme të informacioneve në lidhje me mbrojtjen kombëtare dhe përpjekjet për ta penguar hetimin federal.