Botë

E ardhmja politike e Bidenit mjegullohet nga dokumentet sekrete

Ka dallime të mëdha mes rasteve të Bidenit dhe Donald Trumpit. Më i rëndësishmi është se Bideni nuk kishte qëllim që të parandalonte zbulimin e dokumenteve në shtëpinë apo zyrën e tij. Nuk refuzoi t’i dorëzonte dhe duket se nuk kishte haber për këto dokumente. Në anën tjetër Trumpi, i cili po hetohet për pengim të hetuesve, kishte dokumente edhe më sekrete në shtëpinë e tij

Bash çdo gjë po shkonte në vijë për presidentin amerikan Joe Biden në fillim të vitit të ri. Përkrahja për të po ngrihej. Inflacioni po binte. Dhe teksa demokratët ishin të bashkuar prapa fushatës së tij të rizgjedhjes, republikanët ishin pikë e pesë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet afatmesme.

Ama të enjten, peizazhi politik i Bidenit është mjegulluar fort kur kryeprokurori Merrick Garland emëroi një avokat special për të hetuar menaxhimin e dokumenteve sekrete nga presidenti demokrat.

Demokratët publikisht dhe privatisht janë shprehur të shtangur nga zhvillimet dhe kanë thënë se janë shpërqendrim i padëshiruar në kohë fatkeqe që vështirëson rastin kundër Donald Trumpit. Ish-presidenti republikan po përballet me hetime penale në lidhje me dokumentet e klasifikuara dhe të dhëna të tjera që posedonte në villen e tij në Mar-a-Lago.

Dallimi i rasteve

Ka dallime të mëdha mes dy rasteve. Më i rëndësishmi është se Bideni nuk kishte qëllim që të parandalonte zbulimin e dokumenteve në shtëpinë apo zyrën e tij. Nuk refuzoi t’i dorëzonte dhe duket se nuk kishte haber për këto dokumente. Në anën tjetër Trumpi, i cili po hetohet për pengim të hetuesve, kishte dokumente edhe më sekrete në shtëpinë e tij.

Mirëpo emërimi i një zyrtari të veçantë shpërfaq paqartësitë në lidhje me presidentin aktual dhe mund të ngjallë debatin në mesin e demokratëve në lidhje me mençurinë e tij për të kërkuar mandatin e tij.

“Askush nuk do të thotë se kjo është ndihmesë”, ka thënë strategu veteran i demokratëve, James Carville. “Është goxha e dukshme që nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë”.

Teksa demokratët janë vendosur në pozitën mbrojtëse, republikanët janë të bindur se beteja për presidencialet 2024 ka ndryshuar kahe.

Trumpi “është burri më me fat në politikën amerikane”, ka thënë John Bolton, i cili shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare në mandatin e Trumpit dhe po mendon që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë. “Ky rast është diskualifikues për të dy”, ka thënë Bolton.

Kështu nis sezoni i trazuar në të cilin presidenti aktual dhe ai i mëparshmi janë nën hetime teksa po bëjnë përpjekje për rimeç në vitin 2024. Shumë votues të të dyja partive kanë bërë thirrje për gjeneratë të re të udhëheqjes. Thirrjet e tilla tani po jehojnë edhe më shumë.

“Në shumë fronte politike, fushata e paralajmëruar e Bidenit për vitin 2024 është shumë e brishtë”, ka thënë Norman Soloman, demokrat progresiv që po i prin fushatës “Mos garo Joe”, e cila po realizohet me reklama televizive kundër Bidenit në shtetet kyç. “Demokratët dhe shteti në tërësi do të jenë më mirë sivjet dhe vitin e ardhshëm nëse ai nuk garon për president”, ka shtuar ai.

Presidenti 80-vjeç ka paralajmëruar planet për mandatin e dytë, por ende nuk ka thënë fjalën e fundit. Aleatët e tij besojnë se gjithçka do të qartësohet në fund të muajit mars.

Pa kundërshtar

Së paku deri më tani, asnjë demokrat i profilit të lartë nuk ka guxuar ta sfidojë Bidenin për garën brendapartiake. Sidoqoftë, privatisht disa zyrtarë demokratë besojnë se hetimi federal do të motivojë ndonjë demokrat.

Një prej kundërshtarëve potencialë të Bidenit, senatori Bernie Sanders së fundmi ka thënë se do të marrë vendim në kohën e duhur. Nina Turner, e cila i priu fushatës presidenciale të Sandersit në vitin 2020, ka thënë se shpreson për një progresiv që lufton për lirinë ta sfidojë Bidenin në vitin 2024.

“Amerikanët meritojnë kandidatë më të mirë – si republikanët ashtu dhe demokratët”, ka thënë Turner duke lavdëruar vendimin e qeverisë që të rishikojë mënyrën e menaxhimit të dokumenteve nga Bideni në të njëjtën mënyrë siç është duke u hetuar Trumpi. “Nuk duhet të lejojmë që këta burra të na mbesin në fyt”.

Emërimi i një hetuesi u bë vetëm një ditë pasi Bideni pranoi se dokumentet sekrete nga periudha e tij si zëvendëspresident në mandatin e Barack Obamas ishin gjetur në garazhin e shtëpisë së tij në Delawere dhe në librarinë personale, përveç të tjerave që ishin gjetur në dollapin e mbyllur të zyrës që kishte përdorur pasi ishte larguar nga posti i zëvendëspresidentit.

Kryeprokurori Garland ka thënë se avokatët e Bidenit e kanë informuar Departamentin e Drejtësisë për zbulimin e dokumenteve sekrete në shtëpinë e Bidenit, pasi agjentët e FBI-së kishin sekuestruar disa dokumente nga garazhi në muajin dhjetor.

Bideni ka thënë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se ishte “duke bashkëpunuar plotësisht” me hetuesit e Departamentit të Drejtësisë se si janë ruajtur informacionet sekrete dhe të dhëna të tjera qeveritare. Ai nuk ka përmendur se kur janë gjetur dokumentet e reja vetëm rishikimi i tyre nga avokatët ka përfunduar të mërkurën mbrëma. Avokatët e tij kanë gjetur setin e parë të dokumenteve më 2 nëntor, pak ditë para zgjedhjeve afatmesme, mirëpo vetëm të hënën është bërë e ditur publikisht.

Sa për qartësi, ka dallim të madh mes rasteve të Bidenit dhe Trumpit, përfshirë volumin e dokumenteve të zbuluara dhe “bumin” e hetimeve që po zhvillohen në lidhje me Mar-a-Lagon, vilën e Trumpit në Palm Peach të Floridas.

Dokumentet e Trumpit

Gati 300 dokumente të shënjuara si sekrete janë sekuestruar nga Mar-a-Lago, klub privat në të cilin organizohen vazhdimisht ndeja. Bastisja e pronës së Trumpit ishte piku i përplasjes mes qeverisë dhe përfaqësuesve të Trumpit që u rezistonin përpjekjeve të shtetit për kthimin e dokumenteve. Ndërkaq, Departamenti i Drejtësisë ka thënë se dokumentet ishin fshehur dhe hequr nga depoja si pjesë e përpjekjeve për të penguar hetimin federal.

Urdhri për bastisje tregonte se FBI-ja po hetonte krime përfshirë mbajtjen e qëllimshme të informacioneve në lidhje me mbrojtjen kombëtare dhe përpjekjet për të penguar hetimin federal.

Trumpi menjëherë ka tentuar të rrokë vëmendjen në lidhje me rastin e Bidenit, duke bërë përpjekje që të minojë hetimet në rastin e tij.

“Ka marrë fund”, ka thënë Trumpi në një intervistë të enjten mbrëma. “Kur krejt këto dokumente nisën të publikoheshin dhe Bideni i kishte, ndryshoi krejt kompleksitetin dhe intensitetin që po tregonin ndaj meje, sepse e dini, ajo që bën nuk mund të them më keq, nuk kam bërë asgjë gabim – ata vepruan keq. Ata vepruan shumë keq”.

Disa demokratë ishin me shpresë, mirëpo jo aq të sigurt, se votuesit mund të dallojnë qasjen bashkëpunuese të Bidenit rreth këtyre pak dokumenteve që gabimisht i kishte në zyrë dhe nga rasti që prokurorët federalë e kanë përshkruar si pengim të qëllimshëm të Trumpit në lidhje me qindra sekrete qeveritare.

“Është dallim i madh që të kesh diçka për të cilën ju nuk jeni në dijeni dhe asaj që të keni diçka që nuk duhet ta keni”, ka thënë Carville. “Do të humbin te një e treta e vendit? Ndoshta kështu do të ndodhë”.

Bolton, kritik i madh i Trumpit, ka parashikuar se dallimet e mëdha ligjore mes rasteve “do të treten në mjegull”. Tani ai e sheh si të vështirë të besojë se Trumpi mund të gjykohet për dokumentet e Mar-a-Lagos, pavarësisht rrethanave.

“Nuk shoh që të avancojë rasti penal në këtë pikë. Është një re e madhe mbi prokurorinë”, ka shtuar ai.

Teksa terreni mund të ketë ndryshuar, sfidat ligjore të Trumpit nuk do të zhduken.

Dy muaj më parë Garland caktoi ish-prokurorin publik kundër korrupsionit të Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, për të udhëhequr hetimet për dokumentet e klasifikuara të zbuluara në Mar-a-Lago, si dhe për aspektet kryesore të hetimit të veçantë që përfshin trazirat e 6 janarit 2021 dhe përpjekjet për të zhbërë zgjedhjet e vitit 2020.

Prokurorët federalë janë fokusuar veçanërisht në një skemë të aleatëve të Trumpit për të ngritur votues të rremë në shtetet kyç të betejës të fituara nga Bideni, si mënyrë për të përmbysur votën. Ata publikuan fletëthirrje për kryetarët e shumë shteteve të Partisë Republikane.

Strategu demokrat Josh Schwerin e përshkroi zhvillimin e fundit si “sigurisht joideal”.

“Unë mendoj se të gjithë do të dëshironin që kjo të mos kishte ndodhur, përfshirë presidentin”, ka thënë ai. “Por është e rëndësishme që të gjitha këto të mbahen në kontekst: Të gjithë e shohin presidentin Biden si figurë shumë më të përgjegjshme se Donald Trumpi. Dhe kjo nuk mund të harrohet”.

Përktheu: Gent Mehmeti