Bideni ka thënë se Departamenti i Drejtësisë është njoftuar menjëherë pas vendndodhjes së dokumenteve dhe se përfaqësuesit e Departamentit janë duke u kujdesur për këto dokumente. Pjesa e parë e dokumenteve është dorëzuar në Administratën e Arkivave dhe të Dhënave Kombëtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të enjten e ka pranuar se një dokument sekret nga periudha e tij si zëvendëspresident është gjetur në librarinë e tij personale në shtëpinë në Delaware, së bashku me dokumente të tjera në garazh, pak ditë pasi u zbuluan dokumente të ndjeshme në zyrën e ish-institutit ku punonte në Washington.
Bideni ka thënë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se ishte “duke bashkëpunuar plotësisht” me hetuesit e Departamentit të Drejtësisë se si janë ruajtur informacionet sekrete dhe të dhëna të tjera qeveritare. Ai nuk ka përmendur se kur janë gjetur dokumentet e reja, vetëm se rishikimi i tyre nga avokatët ka përfunduar të mërkurën mbrëma. Avokatët e tij kanë gjetur setin e parë të dokumenteve më 2 nëntor, pak ditë para zgjedhjeve afatmesme, mirëpo vetëm të hënën është bërë e ditur publikisht.
Richard Sauber, këshilltar special i presidentit, ka thënë se dokumentet e para janë gjetur nga avokatët personalë të Bidenit, janë ekzaminuar lokacionet e tjera në të cilat kanë mundur të përfundonin pasi Bideni u largua nga zyra e zëvendëpresidentit në vitin 2017.
Sauber ka thënë se një numër i vogël i dokumenteve me vulën e fshehtësisë janë gjetur në garazhin e shtëpisë së Bidenit në Wilmington të Delawaret, teksa një dokument tjetër është gjetur në një dhomë tjetër. Bideni të enjten ka thënë se kjo dhomë ishte libraria e tij personale.
Bideni ka thënë se Departamenti i Drejtësisë është njoftuar menjëherë pas vendndodhjes së dokumenteve dhe se përfaqësuesit e Departamentit janë duke u kujdesur për këto dokumente. Pjesa e parë e dokumenteve është dorëzuar në Administratën e Arkivave dhe të Dhënave Kombëtare.
Pavarësisht rishikimit që do të bëjë Departamenti i Drejtësisë, lajmi se Bideni ka keqpërdorur dokumentet mund të shkaktojë krizë politike për Bidenin, i cili kishte thënë se paraardhësi i tij, Donald Trump, ishte i papërgjegjshëm për mbajtjen e qindra dokumenteve të tilla në shtëpinë e tij në Flordia.
Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, ka thënë se Kongresi duhet të hetojë këtë rast.
“Këtu kemi një individ që në emisionin ‘60 minuta’ ishte aq i shqetësuar me dokumentet e fshehura nga presidenti Trump. Tani mësojmë se është i njëjti që si zëvendëspresident kishte mbajtur dokumente në disa lokacione”, ka thënë McCarthy.
Republikanët në Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën kanë kërkuar që agjencitë e inteligjencës të kryejnë një vlerësim për dëmin që mund të jetë shkaktuar nga dokumentet sekrete. Republikani Mike Turner, i cili gjithashtu ka kërkuar njoftime nga kryeprokurori Merrick Garland dhe drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Avril Haines, në vlerësimet e tyre deri më 26 janar.
“Prezenca e informacionit sekret në lokacione të ndryshme mund të implikojnë presidentin në keqpërdorim dhe ekspozim të informacioneve sekrete”, ka shkruar Turner.
Garland pritej të adresohej në lidhje me këtë rast të enjten, por Departamenti i Drejtësisë nuk ka ofruar detaje të tjera.
Konfirmimi i Shtëpisë së Bardhë
Në fillim të javës Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Departamenti po rishikonte “një numër të vogël të dokumenteve me vulën e sekreteve” që janë gjetur në zyrën në Washington. Avokatët e Bidenit kanë gjetur material në zyrat e Penn Biden Center dhe menjëherë kanë lajmëruar Arkivat Kombëtare për zbulimin e dokumenteve, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Bideni kishte zyrë aty pas largimit nga posti i zëvendëspresidentit në vitin 2017 deri në fillimin e fushatës presidenciale në vitin 2019.
Zbulimi se dokumente shtesë të klasifikuara u bë nga ekipi i Bidenit dhe u krye disa orë pasi sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, shmangu pyetjet në lidhje me trajtimin e informacionit të klasifikuar nga Bideni.
Ajo kishte thënë të mërkurën se Shtëpia e Bardhë ishte e angazhuar për ta trajtuar çështjen në “mënyrën e duhur”, duke treguar njoftimin e menjëhershëm të avokatëve personalë të Bidenit për Arkivin Kombëtar.
Por ajo ka refuzuar të thoshte se kur vetë Bideni ishte informuar, nëse kishte ndonjë dokument tjetër të klasifikuar që mund të ndodhej në vende të tjera të paautorizuara dhe pse Shtëpia e Bardhë priti më shumë se dy muaj për të konfirmuar zbulimin e grupit fillestar të dokumenteve.
Departamenti i Drejtësisë po shqyrton të dhënat që u gjetën në Penn Biden Center dhe Garland i ka kërkuar John Lausch, prokurorit të SHBA në Çikago, të shqyrtojë çështjen, ka bërë të ditur një zyrtar i njohur me çështjen.
Lausch është një nga të paktët prokurorë amerikanë që mbahen nga administrata e Trumpit.
Biden ka thënë se ishte “i befasuar kur mësoi se kishte ndonjë dosje qeveritare që u dërgua atje në atë zyrë”, por avokatët e tij “bënë atë që duhej të bënin” kur thirrën menjëherë Arkivin Kombëtar.
Zbulimi gjithashtu mund të komplikojë shqyrtimin e Departamentit të Drejtësisë nëse do të ngrejë akuza kundër Trumpit. Republikani po përpiqet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024 dhe ka pretenduar vazhdimisht se hetimi i Departamentit për sjelljen e tij përbënte “korrupsion”.
Ka dallime të rëndësishme midis situatave të Trumpit dhe Bidenit, duke përfshirë peshën e një hetimi të vazhdueshëm të gjykatës për çështjen Mar-a-Lago.
BBC-ja ka vlerësuar se zbulimi i një grupi tjetër dokumentesh të klasifikuara në një vend të dytë rrit mundësinë që kjo histori të mos jetë një pakujdesi e izoluar nga ana e Joe Bidenit dhe ekipit të tij, por më tepër diçka më sistematike. Gjithashtu rrit shanset që ky të mos jetë zbulimi i fundit i ri i keqpërdorimit të dokumenteve.
Është rregulli i hekurt i skandaleve presidenciale që lajmet e këqija që rrjedhin gjatë një periudhe të gjatë kohore janë shumë më të dëmshme politikisht sesa zbulimet e njëhershme, sado të këqija që të jenë ato.
Tashmë është duke shpërqendruar nga çështjet ku Bideni dëshiron të fokusohet, të tilla si ulja e niveleve të inflacionit dhe përpjekjet republikane për të miratuar kufizime të abortit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Aktualisht historia është siklet për Bidenin. Nëse zvarritet, mund të ketë një efekt më gërryes në Presidencën e tij, ka vlerësuar BBC-ja.