Demokratët dhe Shtëpia e Bardhë kanë nisur fushatë agresive kundër raportit të këshilltarit special Robert Hur në të cilin vihej në dyshim gjendja mendore e Joe Bidenit, në prag të zgjedhjeve që nxiti një sërë sulmesh republikane ndaj presidentit të SHBA-së.
Raporti i këshilltarit special Hur mbi trajtimin e dokumenteve konfidenciale nga Bideni të enjten thotë se presidenti amerikan nuk do të përballet me akuza penale për rastin, por pati një seri vërejtjesh që e karakterizonin Bidenin si të moshuar dhe me kujtesë të dobët – duke shkaktuar “bombë politike” në prag të fushatës për rizgjedhje të demokratit.
“Ai e kupton se si po shikohet. Ai e kupton atë që njerëzit shohin dhe çfarë shkruhet për të dhe atë që sheh edhe populli amerikan. Por ka gjëra të tjera për të ditur”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Në një sesion jashtëzakonisht të gjatë pyetjesh dhe përgjigjesh me gazetarët e Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë të tjerë të administratës së Bidenit iu bashkuan korit të zërave që mbronin presidentin, rekordin e gjatë legjislativ në mandatin e tij të parë si president dhe trajtimin e një sërë krizash - si ato të brendshme ashtu edhe të jashtme.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams, ka thënë se në thelb nuk ishte dakord me përshkrimin e këshilltarit special me aftësinë e Bidenit për të kujtuar detajet.
“Nuk mund të them se karakterizimet për kujtesën e tij në raport janë të sakta, sepse nuk janë”, ka thënë Sams.
Sams ka treguar se ishte e mundur që transkriptet e intervistave të Bidenin me ekipin e Hur mund të publikoheshin. Transkriptet mund të hedhin dritë mbi disa nga komentet në lidhje me kujtesën e Bidenin që Hur bëri në raportin e tij, të tilla si se presidenti nuk mund të kujtonte vitet kur ishte zëvendëspresident, ose kur vdiq djali i tij, Beau Biden.
Demokratët gjithashtu kanë qenë të shpejtë për të krahasuar çështjet e Bidenit me atë të rivalit të tij pothuajse të sigurt në garën e vitit 2024 - ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump. Trump gjithashtu përballet me probleme politike për shkak të trajtimit të dokumenteve konfidenciale, por ndryshe nga Bideni, ai po ndiqet penalisht për pengim të rikthimit të dokumenteve të mbajtura në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida.