Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Prokurori për “kujtesën e dobët” të Bidenit: Vlerësimi im ishte i saktë dhe i justifikuar

Robert Hur, prokurori special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po hetonte fshehjen e dokumenteve të klasifikuara nga presidenti Joe Biden, të martën para Dhomës së Përfaqësuesve ka mbrojtur vlerësimet e tij të diskutueshme për kujtesën e dobët të presidentit amerikan si justifikim për të hequr dorë nga ndjekja penale.

Prokurori special Robert Hur rekomandoi në një raport në shkurt që çështja për Bidenin të pushohej, duke thënë se nuk mund të dënohej “një njeri i vjetër me kujtesë të dobët”. Nga ekipi i Bidenit patën vlerësuar se deklaratat e Hurit ishin “të dëmshme” dhe “të papërshtatshme”.

“Ne kemi mbledhur prova që presidenti me vetëdije ka mbajtur dokumente të klasifikuara pas përfundimit të mandatit të tij si zëvendëspresident (2009-2017), ndërsa ishte qytetar i zakonshëm”, ka thënë Hur në dy komisione të Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë republikane.

“Megjithatë, ne nuk kemi mbledhur prova që do të ishin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, shtoi ai.

“Detyra ime ishte të përcaktoja nëse presidenti ruante apo shpërndante informacione të klasifikuara ‘me vetëdije’. Nuk mund të arrija në atë përfundim pa përcaktuar gjendjen mendore të presidentit. Për këtë arsye, më duhej të merrja në konsideratë kujtesën e presidentit dhe gjendjen e tij të përgjithshme mendore dhe se si ato do të perceptoheshin nga një juri e gjykatës penale”, ka shpjeguar Hur.

“Vlerësimi im në raport lidhur me kujtesën e Bidenit ishte i domosdoshëm, i saktë dhe i justifikuar. Nuk e zbukurova shpjegimin tim, as nuk e denigrova në mënyrë të padrejtë presidentin”, ka thënë ai.

Edhe Shtëpia e Bardhë kundërshton raportin për gjendjen mendore të Bidenit Botë Shtëpia e Bardhë kundërshton raportin për gjendjen mendore të Bidenit

Hur u emërua prokuror special në janar të vitit 2023 pasi dokumentet e klasifikuara e Bidenit si zëvendëspresident u zbuluan në dhjetor 2022 dhe janar 2023 në rezidencën e Bidenit në Wilmington, Delaware dhe në zyrën e tij të mëparshme.

Dokumentet kanë të bëjnë me përfshirjen ushtarake amerikane në Afganistan.