Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një i vdekur nga shkëmbimi i zjarrit gjatë protestave në Kenosha

Foto: Reuters

Tre persona janë qëlluar, njëri prej tyre fatalisht, pas shkëmbimit të zjarrit në natën e tretë të protestave kundër plagosjes së një afroamerikani nga forcat policore në Kenosha të Wisconsinit.

Videot e postuara në mediat sociale shfaqën pamjet e shkëmbimit të zjarrit mes civilëve, me ç’rast një grup protestuesish nxitojnë për të gjetur strehim të sigurt derisa në prapavijë shihet një person i armatosur.

Protestat kanë shpërthyer në Kenosha që nga e diela, kur policia qëlloi Jacob Blaken në shpinë derisa ai po largohej nga policët dhe po e hapte derën e veturës së tij. Tre fëmijët dhe bashkëshortja e tij ndodheshin në veturë, kur ai u qëllua. 29-vjeçari Blake ka mbetur i paralizuar dhe “po lufton për jetë” pas ngjarjes që nxiti zemërim të ngjashëm sikurse rastet e mëhershme të vrasjes së afroamerikanëve nga forcat e rendit.