Botë

Netanyahu thotë se lideri i Hamasit është eliminuar

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar të mërkurën se Izraeli ka eliminuar shefin e Hamasit, Mohammad Sinwar, njërin nga personat më të kërkuar, që ishte edhe vëllai i vogël i liderit të vrarë të grupit, Yahya Sinwar.

Mohammad Sinwar kishte qenë shënjestra e një sulmi ajror izraelit në një spital në jug të Gazës më herët këtë muaj, teksa Netanyahu pati lajmëruar më 21 maj se ka të ngjarë që ai të ketë mbetur i vrarë, ka raportuar Reuters.

“Ne eliminuam Mohammad Deif, (Ismail) Haniyeh, Yahya Sinwar dhe Mohammad Sinwar”, ka thënë Netanyahu, para parlamentit të Izraelit. 

“Në dy ditët e fundit, ne ndodhemi në një pikë të kthesës për ta mposhtur përfundimisht Hamasin”, ka deklaruar ai, tek ka shtuar se Izraeli është gjithashtu duke marrë nën kontroll “shpërndarjen e ushqimit”, referencë që lidhet me sistemin e ri të shpërndarjes së ndihmave në Gazë, të kontrolluar nga një grup i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hamasi ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e Sinwarit.

Sinwari ishte ngritur në gradat më të larta të grupit militant palestinez vitin e kaluar pasi Izraeli vrau vëllain e tij.

Ndërsa vëllai i tij Yahya Sinwar ishte cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 në Izrael, si pasojë e të cilit filloi lufta tashmë 20-mujore, dhe pastaj ishte emëruar si lideri i ri i grupit pasi Ushtria izraelite vrau paraardhësin e tij, Ismail Haniyeh në Iran.