Izraeli ka vënë në shënjestër liderin e Hamasit, Mohammad Sinwar në një sulm në një spital në jug të Gazës të martën në mbrëmje, sipas një zyrtari të lartë izraelit dhe dy burimeve të njohura me këtë çështje.
Ai është bërë udhëheqësi de fakto i grupit militant pasi ushtria izraelite vrau vëllain e tij, ish-liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, tetorin e kaluar, raporton CNN.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë se kanë kryer një sulm në spitalin evropian në Khan Younis, duke synuar "terroristët e Hamasit në një qendër komandimi dhe kontrolli" në infrastrukturën nëntokësore poshtë spitalit. I
Sulmet e shumta ajrore kanë goditur oborrin e spitalit, sipas Dr. Saleh Al Hams, kreu i infermierisë. Disa njerëz kanë mbetur nën rrënoja, ka shtuar ai, duke e quajtur këtë "një katastrofë". Ekipet mjekësore u përpoqën të transferonin pacientët në njësi të sigurta brenda spitalit.
Videot nga vendi i ngjarjes shfaqnin zjarr të madh nga ato që dukej të ishin disa nga sulmet më të mëdha në Gaza në javët e fundit.
Sulmi ndaj Sinwar vjen një ditë pasi Hamasi liroi pengun amerikano-izraelit, Edan Alexander në atë që është përshkruar si një gjest i vullnetit të mirë ndaj Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja për lirimin e tij është bërë duke mënjanuar Izraelin, pasi Hamasi kishte komunikuar direkt me administratën Trump.