Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Netanyahu ripërsërit se Izraeli do të hyjë në Rafah

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se Izraeli do të vazhdojë të operojë kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe se “kjo përfshin Rafahun”.

“Kushdo që na thotë të mos veprojmë në Rafah, na thotë ta humbim luftën, dhe kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Netanyahu gjatë një ceremonie të diplomimit të oficerëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), në një bazë trajnimi në jug të Izraelit, raportoi AP.

Rreth 1.4 milionë palestinezë, më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, janë strehuar në Rafah, shumica prej të cilëve të zhvendosur nga luftimet diku tjetër në territor.

Qindra e mijëra janë duke jetuar në kampe me tenda.

Palestinezët dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës thonë se nuk ka vend të sigurtë për të shkuar, derisa Izraeli po vazhdon të kryejë sulme në zonat ku u ka thënë civilëve të kërkojnë strehim, përfshirë Rafahun.

Netanyahu po ashtu ka thënë se “ka presion ndërkombëtar dhe se ky presion po rritet”, duke shtuar se “ne duhet të qëndrojmë së bashku përballë përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës”.

Bllokimi gati i tërësishëm i Gazës, dhe vazhdimi i luftimeve e kanë bërë pothuajse të pamundur dërgimin e ndihmave në pjesën më të madhe të Gazës, kanë thënë grupet e ndihmave,

Shumë nga 300,000 njerëzit që jetojnë ende në veri të Gazës, janë detyruar të hanë ushqim kafshësh për të mbijetuar.

 

Artikuj të ngjashëm