Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë të dielën se faza e tanishme e luftimeve kundër Hamasit është drejt përfundimit, duke e krijuar terrenin për të dërguar më shumë trupa në kufirin verior, siç ka thënë ai, për të qenë gati për luftë kundër grupit militant libanez Hezbollah.
Ky koment ka bërë që të rriten tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut. Netanyahu gjithashtu ka sinjalizuar se nuk e ka në plan përfundimin e luftës në Gaza, raporton AP.
Lideri izraelit ka thënë në një intervistë televizive se edhe pse ushtria është afwr përfundimit të ofensivës tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, kjo nuk do të thotë se lufta kundër Hamasit ka përfunduar. Por sipas tij, do jenë të nevojshëm më pak trupa në Gaza, në mënyrë që forcat të jenë gati ta luftojnë Hezbollahun.
“Ne e kemi mundësinë të transferojmë disa nga forcat në veri dhe do ta bëjmë këtë”, ka thënë udhëheqësi izraelit për Channel 14, kanal televiziv pro-Netanyahut. “Si fillim dhe kryesisht vetëm për mbrojtje”, ka shtuar ai, por gjithashtu t’i lejojë mijëra izraelitët e zhvendosur të kthehen në shtëpi.
Hezbollahu i përkrahur nga Irani ka filluar ta sulmojë Izraelin gati menjëherë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi. Që atëherë, dy vendet kanë qenë duke shkëmbyer zjarr çdo ditë, por luftimet janë përshkallëzuar javëve të fundit, duke e rritur frikën për fillimin e luftës.
Hezbollahu është më i fuqishëm se Hamasi dhe hapja e një fronti të ri do ta rriste rrezikut e një lufte më të madhe rajonale, duke i përfshirë përfaqësuesit tjerë iranian dhe ndoshta edhe vet Iranin, çka do të shkaktonte dëme dhe humbje të mëdha në të dy anët e kufirit.
Netanyahu ka thënë se ka shpresuar për një zgjidhje diplomatike, por se është i gatshëm ta zgjidhte problemin “në një mënyrë tjetër” nëse është e nevojshme.
Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të luftojë kundër Izraelit derisa të arrihet një armëpushim në Gaza. Udhëheqësi i grupit, Hassan Nasrallahu, e ka paralajmëruar Izraelin javën e kaluar kundër nisjes së një lufte, duke thënë se Hezbollahu ka armë të reja dhe aftësi të inteligjencës që mund ta ndihmojnë atë të shënjestrojë pozicione kritike thellë brenda Izraelit.
Hezbollahu tashmë i ka zbuluar armët e reja gjatë luftimeve, duke i përfshirë dronët sulmues, të vështirë për t'iu kundërpërgjigjur dhe që godasin me pak paralajmërim.
Por Izraeli thotë se edhe ai i ka treguar Hezbollahut vetëm një pjesë të vogël të aftësive të tij dhe se Libani do të shndërrohet në një Gaza të dytë nëse ndodh lufta.
Javën e kaluar, ushtria izraelite ka thënë se kishte "miratuar dhe vërtetuar" një plan të ri për një ofensivë në Liban.
Netanyahu nuk do ta pranojë marrëveshjen për përfundimin e luftës në Gaza
Zbatimi i një propozimi të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta ndaluar luftën 8 mujore në Gaza, është vënë në dyshim pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se do të pranojë vetëm armëpushim të pjesshëm e që nuk do ta ndalonte luftën. Ky koment ka nxitur reagim nga familjet e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Në kanalin televiziv izraelit “Channel 14”, udhëheqësi ka thënë se është “i përgatitur për një marrëveshje të pjesshme”. “Nuk është sekret kjo gjë – që do t’i kthente të ne disa nga njerëzit tanë”, ka deklaruar ai duke iu referuar rreth 120 pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës, ka raportuar AP.
“Por ne jemi të bindur se do ta vazhdojmë luftën pas armëpushimit, në mënyrë që ta përfundojmë qëllimin për eliminimin e Hamasit. Nuk do të dorëzohem nga kjo”, ka thënë Netanyahu.
Komentet e Netanyahut qëndrojnë në kontrast të thellë me skicat e marrëveshjes, të detajuara në fund të muajit të kaluar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si plan izraelit, e disa në Izrael i referohen si "marrëveshja e Netanyahut". Vërejtjet e tij mund t’i tendosin më tej lidhjet e Izraelit me aleatin e saj kryesor, që bëri shtytje diplomatike për propozimin e armëpushimit.
Plani do t’i lironte pengjet e mbetura në shkëmbim për qindra palestinezët e burgosur nga Izraeli. Por ka mosbesim për mënyrën se si do të funksionojë marrëveshja nga Hamasi dhe Izraeli. Hamasi ka thënë se nuk do t’i lirojë pengjet nëse nuk ka armëpushim të plotë dhe largim të forcave izraelite nga Gaza. Sipas Bidenit, propozimi i përfshinte të dyja.
Por Netanyahu thotë se Izraeli është i vendosur ta shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe udhëheqëse të Hamasit. Kjo për t’u siguruar që, në momentin kur forcat izraelite largohen nga territori, grupi të mos jetë më në kontroll të vendit dhe në gjendje për t’u riarmatosur.
Hamasi duket i shqetësuar se Izraeli do të vazhdojë luftën pasi të lirohen pengjet. Tërheqja e të gjitha forcave izraelite nga Rripi i Gazës "ishte domosdoshmëri e pashmangshme për t’i bllokuar përpjekjet e Netanyahut për evazion, mashtrim dhe vazhdimësi të agresionit dhe luftës së shfarosjes kundër popullit tonë".
Familjet e pengjeve kanë shprehur mosdurim ndaj Netanyahun, duke e parë hezitimin e tij për të vazhduar me marrëveshje. Një grup që i përfaqësonte familjet i ka dënuar komentet e Netanyahut, që i shihte si refuzim të propozimit të armëpushimit.
"Kjo është një braktisje e 120 pengjeve dhe shkelje e detyrës morale të shtetit ndaj qytetarëve të saj", thuhet në deklaratën e grupit, duke vënë në dukje se e mbante Netanyahun përgjegjës për kthimin e të gjitha pengjeve.