Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Netanyahu e refuzon kërkesën e Bidenit për ta anuluar sulmin në Rafah

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar kërkesën e presidentit amerikan, Joe Biden, për ta anuluar një sulm tokësor të planifikuar në Rafah, vendi në Gazë ku janë strehuar më shumë se një milionë njerëz, e ku Izraeli beson se janë të strehuar luftëtarët e Hamasit.

Netanyahu u ka thënë ligjvënësve të martën, se ia ka bërë “të qartë” presidentit amerikan “se ne jemi të vendosur për ta kompletuar eliminimin e këtyre bastioneve në Rafah, dhe se nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë përveç se në mënyrë tokësore”, raportoi Reuters.

Dy liderët kanë folur të hënën në telefon. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka thënë se Washingtoni beson se një sulm tokësor në Rafah do të ishtë një “gabim” dhe se Izraeli mund t’i arrijë qëllimet e tij ushtarake në mënyra të tjera.

Washingtoni ka nisur një fushatë të re diplomatike për armëpushim në luftën gjashtëmujore mes Izraelit e Hamasit, për lirimin e pengjeve dhe për të mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave në Gazë.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken bëri të ditur për një udhëtim në Lindjen e Mesme, ku do të takohej me liderë të lartë të Egjiptit dhe Arabisë Saudite për të "diskutuar arkitekturën e duhur për një paqe të qëndrueshme". Në mënyrë të pazakontë, Blinkeni nuk përmendi një ndalesë në vetë Izraelin dhe ministria e Jashtme izraelite tha se nuk kishte marrë asnjë njoftim për t'u përgatitur për një të tillë.

Artikuj të ngjashëm