Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nëpërmjet një videoje të publikuar, i është drejtuar audiencës amerikane duke i bërë apel për përkrahje.
Në video ai fillimisht uron Donald Trumpin për ditëlindje dhe më pas ka lavdëruar SHBA-në për “ruajtjen e lirisë” për 250 vjet.
Netanyahu ka thënë se Ushtria e Izraelit po ashtu “po mbron lirinë” në Lindjen e Mesme kundër “regjimit tiranik iranian”.
“Armiku jonë është armiku juaj. Dhe duke bërë atë që po bëjmë, po merremi me diçka që do të na kërcënojë të gjithëve, herët a vonë”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se po që se Izraeli të mos vepronte, Irani do të armatoste satelitët e tij – Hezbollahun e Hamasin – me armë bërthamore.
“Kjo është ajo që po bën Izraeli me përkrahjen e qartë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe popullit amerikan dhe shumë të tjerëve në botë”, ka shtuar ai.
Fillimisht Shtëpia e Bardhë u përpoq të distancohej nga sulmet e Izraelit mbi Iran, por më vonë e shprehu mbështetjen. Trumpi madje e quajti “të shkëlqyeshëm sulmin”.
