Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nëntë të vdekur nga shembja e një ndërtese në Pakistan

Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur në qendër të Pakistanit.

Pjesë të ndërtesës kanë rënë edhe në shtëpitë afër saj, duke lënë të lënduar disa njerëz në Multan, një qytet në provincën Punjab, ka bërë të ditur zyrtari qeveritar, Rizwan Qadeer, raportoi AP.

Sipas tij, në mesin e të vdekurve janë katër anëtarë të një familjeje.

Ashfaq Malik, një i afërm i të vdekurve, ka thënë se ndërtesa është shembur në orët e hershme të mëngjesit.

Shembja e ndërtesave është e zakonshme në Pakistan, ku shumë janë të ndërtuara me materiale të lira ndërtimi, derisa udhëzuesit e sigurisë janë injoruar për të shkurtuar shpenzimet.

Në qershor të vitit 2020, 22 persona kanë vdekur kur një ndërtesë ishte shembur në Karachi, qyteti më i madh i Pakistanit.