Më 20 shkurt, Valya mori një thirrje nga djali i saj në ushtrinë ruse. Njësia e tij ishte “në stërvitje” afër kufirit ukrainas.
“Ai tha se po bënin stërvitje qitjeje dhe se po jetonin në tenda”, Valya i tha BBC-së. “Ajo ishte hera e fundit që fola me të”.
Katër ditë më vonë, trupat ruse u futën për ta pushtuar Ukrainën.
Ofensiva e Rusisë ka sjellë vështirësi për fqinjin e saj. Që kur presidenti rus, Vladimir Putini, urdhëroi pushtimin, mijëra civilë janë vrarë në Ukrainë.
Por, edhe në shtëpi ka pasoja për familjet e ushtarëve rusë të cilët janë dërguar në betejë.
EdheValya nuk është emri real i gruas. Duke iu frikësuar pasojave nga autoritetet për të folurin hapur, nëna ka kërkuar t’i mbahet i fshehtë identiteti.
“Në fillim të majit, një rreshter më telefonoi nga baza e djalit tim. Me gjasë ai telefonoi të gjithë prindërit”, tha ajo.
“Ai më tha se djemtë janë mirë, se janë në kontakt me ta çdo ditë. Qëndruam në kontakt përgjatë marsit dhe ai tha se ata janë mirë. Më pas një burrë që pretendoi se ishte shok i djalit tim më dërgoi mesazh. Nuk e njihja. Ai më gjeti në rrjetet sociale. Ai më tha se djalit tim i ishte hedhur këmba në erë dhe kishte vdekur. Bëra shumë thirrje dhe tentova të takoja zyrtarët. Por, askush nuk më tha gjë”.
“Eventualisht, rreshteri që flisja me të më tha: ‘Djali yt për herë të fundit kontaktoi më 23 shkurt’. Pra, pse më ke thirrur (për të më thënë se gjithçka ishte mirë)? Vetëm për të na qetësuar”.
“Më vjen keq, unë jam vetëm rreshter”, iu përgjigj ai.
Valya u përpoq të zbulonte më shumë. “I shkrova njësisë së djalit tim”, kujtoi ajo.
“I shkrova zyrës së ushtrisë. I shkrova Ministrisë së Drejtësisë. Dhe pastaj i shkrova të gjithëve sërish. Askush nuk më ka thënë informacionin bazik: ku, kur dhe si është zhdukur djali im. Dhe gjithçka që më është thënë është se ai po merrte pjesë në ‘operacionin special ushtarak’ dhe se ai ishte zhdukur”.
Sa ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë? Është vepër penale në Rusi të raportohet diçka tjetër përveç të dhënave zyrtare.
Por, të dhënat zyrtare vështirë se dalin. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka përditësuar të dhënat për ushtarët e vdekur që nga 25 marsi.
Atëherë shifra ishte 1,351 ushtarë rusë të vrarë. Muajin pasues Kremlini pranoi se kishte humbje të konsiderueshme të trupave në Ukrainë.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
Në përpjekje për të justifikuar pushtimin, autoritetet ruse dhe media shtetërore tentuan të çnjerëzonin ukrainasit në sytë e publikut rus.
Ata i akuzojnë ushtarët ukrainas dhe zyrtarët si “ultra-nacionalistë” dhe “nazistë”. Pretendojnë se Ukraina është agresori dhe Rusia çliruesi.
Por, Valya nuk e sheh Ukrainën si armike.
“Nëse shteti ynë do të sulmohej kështu, ne po ashtu do ta mbronim veten, ashtu siç po bëjnë ata”.
Në Rusi, Kremlini kontrollon televizionet, kështu që edhe mesazhet që jepen.
Por, jo tërësisht. Valya është në kontakt me nënat e ushtarëve përreth Rusisë. Ajo tha se në mesin e nënave ka një rritje të pakënaqësisë kundër autoriteteve për çuarjen e trupave në Ukrainë.
“Ato e urrejnë qeverinë. E urrejnë Putinin”, tha Valya. “Të gjitha duan që kjo luftë të përfundojë. Të gjithë nënat duan”.
“Ne jemi klasa më e ulët. Të gjithë djemtë që po luftojnë janë nga rajonet e varfra të Rusisë. Nuk janë moskovitë. Nuk ka djem të zyrtarëve qeveritarë atje”.
“Nëse nënat e të gjithë ushtarëve atje tani, dhe nënat që kanë humbur djemtë e tyre, nëse ato të gjitha ngriten, a mund ta imagjinoni sa e madhe do të ishte ajo ushtri? Dhe ato do ta bëjnë. Nervat e tyre do të shkatërrohen. Ndalojeni. Ndalojeni gjithë këtë dhe mbroni fëmijët tanë”.
Edhe
Inteligjenca britanike thotë se gati 500 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë
Që kur Valya ka folur për BBC-në, ajo ka marrë një lajmërim zyrtar se djali i saj është vrarë në Ukrainë. Një ushtar rus më shumë i cili nuk do të kthehet në shtëpi.
Përktheu: Emine Shehu