Policia në Kenia ka zhvarrosur 21 trupa pranë qytetit bregdetar të Mailindit, derisa është duke hetuar një predikues i cili dyshohet se u ka thënë atyre që të vdesin urie.
Në mesin e të zhvarrosurve ka edhe fëmijë dhe Policia atje ka bërë të ditur se kanë dyshime se ka edhe persona të tjerë që u janë bindur thirrjeve të këtij predikuesi.
Varret e tyre janë në pyllin e Shakaholas. Javën e kaluar pas një informacioni, policia gjeti 15 persona të sëmurë rëndë të enjten, por vetëm 11 arritën të gjallë në spital.
Predikuesi Paul Mackenzie Nthenge është në paraburgim, në pritje për të dalë para gjykatës.
Transmetuesi shtetëror i Kenias e përshkroi atë si një "udhëheqës kulti" dhe raportoi se 58 varre janë identifikuar deri tani.
Një nga varret besohet se janë varrosur trupat e pesë anëtarëve të së njëjtës familje, tre fëmijëve dhe prindërve të tyre.
Mackenzie ka mohuar akuzat, por gjykata ka refuzuar ta lirojë me kusht.
Ai ka deklaruar se kishën e tij e ka mbyllur në vitin 2019, derisa dyshohet se ai u ka thënë ndjekësve të vdisnin urie me qëllim që "të takonin Jezusin".
Kenia është një vend fetar dhe kjo nuk është hera e parë që njerëzit joshen për t'u bashkuar me kishat ose kultet e rrezikshme, të parregulluara. / BBC