Botë

Ndryshimet në pensione kërcënojnë qeverinë e Merzit në Gjermani

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Një debat mbi ndryshimet në pensione po kërcënon të ardhmen e qeverisë së koalicionit gjerman, pasi krahu rinor i konservatorëve të kancelarit, Friedrich Merz, po rrit mbështetjen për një përpjekje për të bllokuar legjislacionin, i cili sipas tyre do t'i lërë gjermanët e rinj të mbajnë barrën për brezin e vjetër.

Një grup prej 18 deputetësh të rinj, Unioni i të Rinjve, është akuzuar se po e mban qeverinë e koalicionit të Merzit si peng, për shkak të kërkesave të saj për të rishikuar ndryshimet e propozuara të pensioneve, të cilat do të garantonin rritje të pensioneve për gjashtë vjetët e ardhshëm. 

Midis rebelëve që po refuzojnë të votojnë për legjislacionin është nipi 28-vjeçar i ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl. Johannes Volkmann, një deputet i Lahn-Dill në Gjermaninë perëndimore, argumenton se brezat e rinj do të mbeten duke mbajtur barrën për pensionistët aktual dhe pensionistët e ardhshëm.

Merz, i cili ka një shumicë të vogël prej vetëm 12 vendesh në Bundestagun me 630 vende, përballet me një bllokim të mundshëm përpara votimit që do të mbahet në dhjetor. Volkmann, i cili është bërë zëdhënës jo vetëm i grupit, por edhe i një numri gjithnjë e në rritje të votuesve konservatorë të pakënaqur, ka thënë se propozimet e Merzit për pensionet, do të çonin në kosto shtesë prej rreth 120 miliardë eurosh deri në vitin 2040, ,të cilat, siç ka thënë, "do të duhet të mbahen nga brezi im... kjo është thjesht e paqëndrueshme nga ana fiskale".

“Rebelë” të tjerë, përfshirë deputetë të moshuar që thonë se planet duhet të rimendohen, mund ta çojnë numrin e përgjithshëm të të përgatiturve për t'iu kundërvënë Merzit në 40 deri në 50.

Merzi ka shprehur pakënaqësi teksa iu drejtua një takimi të Unionit të të Rinjve - anëtar i të cilit ishte  dikur, në Gjermaninë jugore gjatë fundjavës, duke u thënë atyre se do të “votonte në favor të kësaj pakete pensionesh me ndërgjegje të pastër”.

Ai ka thënë se ishte një nga shumë rregullimet që duheshin bërë në shtetin e mirëqenies në lulëzim të Gjermanisë.

Problemet e Gjermanisë nuk janë specifike për ekonominë më të madhe të Evropës, megjithëse përkeqësohen nga madhësia e vendit dhe një popullsi që po plaket edhe më shpejt se shumica e vendeve të tjera në Evropë.

Tani ka vetëm rreth dy punëtorë që mbështesin çdo pensionist, kur vetëm pak vite më parë kishte tre, dhe në vitet 1950 kishte deri në gjashtë.

Përkatësisht, kontributet e detyrueshme të pensioneve, të ndara midis punëdhënësve dhe punonjësve, janë rritur në pothuajse 19% të pagave dhe përballen me rritjen edhe më të lartë sipas planeve aktuale.

Pensionistët aktualisht marrin rreth 48% të pagës së tyre si pension.

Edhe ekspertët thonë se popullsia në moshë pune po mban barrën e panevojshme, veçanërisht ndërsa popullsia plaket. Deputetët e rinj argumentojnë se kërkohet një ulje prej vetëm 1%, pra në 47% të pagës mesatare, një çmim i vogël që brezi i vjetër duhet të paguajë në mënyrë që të lehtësojë barrën mbi të rinjtë.