Gjermania do ta rrisë gradualisht moshën e pensionimit në rreth 70 vjeç deri në fillim të viteve 2090, sipas rekomandimeve të mbështetura nga kancelari, Friedrich Merz, si një mënyrë për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve përballë plakjes së popullsisë.
Duke paraqitur gjetjet e tij të martën, një komision ekspertësh i krijuar për të shqyrtuar reformimin e sistemit të pensioneve, ka thënë se mosha e pensionimit duhet të lidhet me rritjen e jetëgjatësisë dhe se pensionimi i parakohshëm duhet të hiqet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Asnjë qytetar nuk ka nevojë të shqetësohet”, ka thënë Merz, duke shtuar se masat do të parandalojnë kolapsin e sistemit të pensioneve, i cili po përballet me vështirësi të mëdha, dhe do të forcojnë kontratën sociale mes brezave. Sipas tij, të rinjtë do të kenë një “arsye për optimizëm”, pasi këto masa do t’u “heqin një barrë të jashtëzakonshme” nga supet.
Komisioni i ekspertëve ka zhvilluar seanca të gjata pune nga janari deri në paraqitjen e planit të tij me 33 pika të martën.
Ndër rekomandimet kryesore është investimi në tregjet e aksioneve i kontributeve të detyrueshme që paguhen nga punëtorët dhe punëdhënësit, me qëllim rritjen dhe mbrojtjen e vlerës së fondit për brezat e ardhshëm. Gjithashtu u propozua zgjerimi i kontributeve të detyrueshme të pensioneve për të përfshirë edhe nëpunësit civilë dhe personat e vetëpunësuar.
Aktualisht, mosha e pensionimit për ata që do të dalin në pension në fillim të viteve 2030 në Gjermani është 67 vjeç, një kufi i vendosur rreth dy dekada më parë. Paneli rekomandoi që kjo moshë të rritet gradualisht në përputhje me jetëgjatësinë, duke arritur në rreth 70 vjeç në fillim të viteve 2090.
Gjermania ka një nga popullsitë që plaken më shpejt në botë dhe, ashtu si shumë vende perëndimore, përballet me sfidën se si të garantojë të ardhmen e sistemit të pensioneve, në një kohë kur gjithnjë e më pak punëtorë financojnë pensionet e një numri në rritje pensionistësh që jetojnë më gjatë.
Qeveria shpreson t’i miratojë reformat para pushimeve verore të parlamentit muajin e ardhshëm, megjithëse ato duhet të debatohen dhe të votohen edhe në parlament.
“Të gjitha elementet e kësaj pako reformash duhet të zbatohen shpejt”, ka thënë Merz, duke këmbëngulur se “Dështimi nuk është një opsion”.
Lideri i partisë “Unioni i Kristian Demokratëve” ka thënë se koalicioni qeverisës është i bashkuar dhe nuk dëshiron të ngecë në debate mbi formulimet, pasi disa anëtarë të majtë të qeverisë nga partneri i vogël i koalicionit si dhe sindikatat, kanë vënë në pikëpyetje drejtësinë e disa rekomandimeve.
Kritikët kanë kundërshtuar veçanërisht propozimin për heqjen e së drejtës që personat me 45 vjet punë të dalin në pension në moshën 63-vjeçare pa pësuar ulje të pensionit. Sipas tyre, kjo do të dëmtonte punëtorët në profesione fizikisht të rënda dhe me paga më të ulëta, si ndërtuesit apo kujdestarët.
Ekspertët, nga ana tjetër, argumentojnë se nga kjo skemë kanë përfituar shpesh burra me paga të larta dhe me histori të pandërprerë punësimi.
Merzi ndodhet nën presion për të treguar se qeveria e tij, në pushtet prej pak më shumë se një viti, por që po humbet mbështetje në sondazhe dhe po përballet me mosmarrëveshje të brendshme, është në gjendje të përmbushë premtimet për reforma të thella ekonomike dhe sociale, me synimin për të ringjallur ekonominë gjermane që po tregon shenja dobësimi.