Pika kufitare e kontrolluar nga Egjipti në Gaza po përballet me bllokadë si pasojë e rrethimit të vendit nga Izraeli. Furnizimet thelbësore nuk mund të kalojnë në Gaza e as njerëzit nuk mund të largohen andej. E në gjendje alarmuese janë spitalet e stërmbushura, të cilat janë në prag të kolapsit
Kolona e kamionëve që transportonin furnizime thelbësore për banorët e Gazas në vendkalimin Rafah midis territorit të rrethuar dhe Egjiptit ishte e gjatë.
Ndërmjetësit po kërkojnë një armëpushim që do t’i lejonte ata të hynin në Gaza dhe të huajt të lejoheshin të largoheshin.
“Ne kemi batanije dhe ilaçe. Dashtë Zoti do vazhdojmë dhe presim miratimin për të kaluar. Jemi plotësisht të përgatitur për të arritur tek njerëzit tanë në Palestinë dhe për t’i mbështetur ata me këto ndihma dhe për t’i treguar gjithë botës se Egjipti është gjithmonë porta e mirësisë për të gjitha vendet arabe dhe islamike”, ka thënë drejtori i Fondacionit Al-Arabi.
Më shumë se një milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazas përpara një pushtimi të pritshëm të Izraelit që kërkon ta eliminojë udhëheqjen e Hamasit pas inkursionit të tij vdekjeprurës.
Grupet e ndihmës paralajmërojnë se një ofensivë tokësore izraelite mund të përshpejtojë një krizë humanitare.
Edhe
Izraeli rihap pikëkalimin kufitar Rafah, mijëra palestinezë shpresojnë të largohen për trajtim mjekësor
E spitalet në Gaza kanë paralajmëruar se janë në prag të kolapsit me gjeneratorët e urgjencës që fuqizojnë makinat si ventilatorët dhe inkubatorët vetëm edhe 24 orë me karburant, teksa furnizimet me ilaçe pothuajse janë shterur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se spitalet janë të tejmbushura pasi njerëzit kërkojnë siguri.
Katër spitale në veri të Gazas nuk funksionojnë më dhe 21 kanë marrë urdhra nga Izraeli për evakuim.
Mjekët kanë refuzuar duke thënë se kjo do të nënkuptonte vdekje për pacientët me sëmundje kritike dhe të porsalindurit në ventilatorë.
“Uji është i nevojshëm për të siguruar kushte sanitare në repartet e spitaleve, në dhomat e operacionit dhe në repartet e urgjencës. Është thelbësor për parandalimin e infeksioneve të lidhura me spitalin dhe për parandalimin e shpërthimit të sëmundjeve në spitale”, ka thënë OBSH-ja.
Edhe
Rihapet për qarkullim të kufizuar pika kufitare Rafah
Agjencia shëndetësore e OKB-së ka bërë të ditur se ndihma për shpëtimin e jetëve për 300 mijë pacientë aktualisht është në pritje të hyrjes përmes Rafahs.
Ushtria izraelite ka njoftuar se Hamasi dhe militantët e tjerë palestinezë janë duke mbajtur rreth 200 pengje në Gaza.
Ky është numër më i lartë i pengjeve sesa vlerësimet paraprake.
E sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është rikthyer në Izrael për herë të dytë në më pak se një javë për konsulta me zyrtarët e lartë izraelitë pas diskutimeve që pati me liderët arabë për luftën mes Izraelit dhe Hamasit.
Blinken arriti në Tel-Aviv më 16 tetor pasi vizitoi gjashtë shtete arabe, ku dëgjoi shqetësimet e liderëve arabë për një sulm tokësor të Gazas që do të shkaktonte një katastrofë humanitare për palestinezët dhe ndoshta do të nxiste një konflikt më të gjerë rajonal.
Edhe
Nisin përgatitjet për rihapjen e pikëkalimit kufitar të Gazës në Rafah
Ai do të zhvillojë bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe anëtarët e ekipit të tij të sigurisë kombëtare, përderisa Shtëpia e Bardhë po e shqyrton mundësinë që presidenti amerikan, Joe Biden, të vizitojë Izraelin gjatë kësaj jave.
Lufta që filloi më 7 tetor është bërë më vdekjeprurësja nga pesë luftërat e Gazas për të dyja palët, me më shumë se 4 mijë të vdekur.