Botë

NATO: Rrjedhjet nga tubacionet, sabotim i qëllimshëm

NATO ka konsideruar se rrjedhjet e gazit nga tubacionet Nord Stream janë rezultat i veprimeve të qëllimshme, të pamatura dhe të papërgjegjshme, shkroi të enjten Anadolu Agency.

Aleanca e Atlantikut të Veriut ka thënë se ka informacione që ajo që ndodhi në tubacionet ruse është sulm i qëllimshëm.

Kjo aleancë ushtarake ka paralajmëruar përgjigje të vendosur ndaj çdo sulmi të qëllimshëm në infrastrukturën e saj kritike.

“Çdo sulm i qëllimshëm kundër infrastrukturës kritike të aleatëve do të përballet me përgjigje të bashkuar dhe të vendosur”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga NATO-ja.

Autoritetet daneze kanë konfirmuar të mërkurën se më shumë se gjysma e gazit në tubacionet e dëmtuara Nord Stream 1 dhe 2 është rrjedhur.

Tri rrjedhje - dy në zonën e Danimarkës dhe një në zonën e Suedisë – janë zbuluar këtë javë në dy tubacione të mëdha ruse. Suedia ka identifikuar rrjedhjen e katërt të gazit në Detin Baltik, më 29 shtator.

Shërbimi suedez i sigurisë ka nisur një hetim për rrjedhjet e pashpjegueshme në tubacione, duke i konsideruar ato si sabotim.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet më 30 shtator për të diskutuar për këtë incident.