Botë

Suedia gjen rrjedhje të re në tubacionin rus të gazit

Suedia ka gjetur një rrjedhje të re në një tubacion të madh nënujor që transporton gaz natyror rus në BE, duke e bërë atë të katërtin e zbuluar këtë javë.

Danimarka dhe Suedia raportuan më herët rrjedhje gazi në tubacionit Nord Stream 1 dhe 2, duke paralajmëruar autoritetet për mundësinë e një sulmi të qëllimshëm, shkruan BBC-ja të enjten.

BE-ja tha se rrjedhjet ishin shkaktuar nga sabotazhi.

Rusia hodhi poshtë sugjerimet se kishte sulmuar tubacionet e veta si “të parashikueshme dhe të pa baza”.

Roja bregdetare suedeze tha se ata kishin gjetur rrjedhjen e katërt në Nord Stream 2, shumë afër një rrjedhjeje më të madhe të gjetur më parë në Nord Stream 1.

BE-ja akuzoi më parë Rusinë për përdorimin e furnizimeve me gaz si armë kundër Perëndimit për mbështetjen e saj për Ukrainën.

Udhëheqësit e BE-së janë mbledhur për të bërë të qartë se çdo sulm i qëllimshëm në infrastrukturën energjetike të kontinentit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

Norvegjia tha se do të vendosë ushtrinë e saj për të mbrojtur instalimet e naftës dhe gazit.

Asnjë tubacion nuk po transporton gaz për momentin, megjithëse të dy përmbajnë gaz.

Tubacioni Nord Stream 1 – i cili përbëhet nga dy degë paralele, nuk ka transportuar gaz që nga gushti kur Rusia e mbylli atë, duke thënë se kishte nevojë për mirëmbajtje.

Shtrihet 1200 kilometra nën Detin Baltik nga bregu rus pran Shën Petersburgut deri në Gjermaninë veri-lindore. Tubacioni i tij binjak, Nord Stream 2, u ndërpre pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt.

Sizmologët raportuan shpërthime nënujore përpara se të shfaqeshin rrjedhjet. Komanda e mbrojtjes e Danimarkës ka publikuar pamjet e rrjedhjeve të tregojnë flluska- më e madhja është 1 km në diametër, në sipërfaqen e Detit Baltik.

“Nuk ka dyshim se këto ishin shpërthime”, tha Bjorn Lund i Qendrës Kombëtare të Sizmologjisë të Suedisë.

Andrei Kortunov i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse - një institut me qendër në Moskë - tha: “Ata gjithmonë drejtojnë gishtin nga Rusia, por unë mendoj se duke qenë se është pronë ruse, nuk do të ishte shumë logjike që Rusia t'i shkaktojë dëme asaj. Ka mënyra të tjera për ta bërë më të vështirë jetën evropiane. Ata thjesht mund të ndalojnë dërgesat e gazit pa dëmtuar infrastrukturën”.