Botë

Perëndimi rrit sigurinë rreth tubacioneve pas dëmtimit të Nord Stream 2

Vendet evropiane thonë se do ta rrisin sigurinë rreth instalimeve të naftës dhe gazit pas sabotimit të dyshuar të dy tubacioneve kryesore.

Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe NATO-ja kanë sugjeruar se dëmtimi i tubacioneve midis Rusisë dhe Gjermanisë ishte i qëllimshëm, por nuk e kanë fajësuar drejtpërdrejt Rusinë, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Rusia ka thënë se nuk është e përfshirë, derisa ka pyetur nëse SHBA-ja ishte.

Rusia është akuzuar më parë për përdorimin e furnizimeve me gaz si një armë kundër Perëndimit për mbështetjen e saj për Ukrainën.

Rrjedhjet në tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 u zbuluan të hënën dhe të martën.

Asnjëra prej tubacioneve nuk funksiononte në atë kohë, pasi projekti Nord Stream 2 u braktis kur Rusia pushtoi Ukrainën dhe Rusia mbylli Nord Stream 1 në shtator, duke përmendur nevojën për mirëmbajtje.

Ministri danez i Energjisë, Dan Jorgensen tha se rrjedhjet ka të ngjarë të zgjasin për të paktën një javë, derisa gazi që del nga tubat të mbarojë. Një hetim për këtë rast është nisur.